Pas 42 vjetësh, Italia përsëri në fronin e kampiones (2006)

Futboll

Pas 42 vjetësh, Italia përsëri në fronin e kampiones (2006)

Nga: Skifter Këllici Më: 11 qershor 2018 Në ora: 13:58
Pas 42 vjetësh, Italia përsëri në fronin e kampiones (2006)

84 vjet rreth planetit te futbollit, (1930-2018) - 18

198 vende morën pjesë në ndeshjet mënjanuesë të Botërorit ‘2006, nga ku për në fazën finale të tij u kualifikuan 32 skuadrat më të mira. Pas 20 vjetësh Gjermania do të ishte përsëri selia ku do të zhvillohej ky kuvend. Mund të kishte qenë edhe Bashkimi Jugafrikan, por humbi për një votë:12 me 11.

Si$ u pëshpërit, gjermanët luajtën bukur fort tërë numrat. Çarlz Dempsi,  një prej 24 përfaqësuesve të FIFA-s, nga Oqeania… mungoi. Dhe pikërisht kjo “mungesë” solli që kanditatura gjermane të fitonte ndaj asaj të jug-afrikanëve dhe anglezëve që edhe ata i kishin kartat për të fituar.

Sidoqoftë, për të zbutur gjendjen e nderë që u krijua, Bashkimit Jugafrikan iu dha e drejta që Botërorin 2010. (Më 16 gusht të vitit 2012, në një intervistë të dhënë revistës zvicerane “SontagsBlink”, presidenti i FIFA-s, Blater, hodhi dyshimin se Federata Gjermane Futbollit  kishin blerë votues për të fituar të drejtën e organizimit të  këtij Botërori).

Që futbolli ishte përhapur tërë rruzullin tokësor, këtë e vërtetoi edhe mbulimi i këtij botërori nga rrjetet televizive në 214 vende të botës, ku natyrisht përfshihej edhe vendi ynë.

Një vit më parë, pikërisht më 5 maj të vitit 2005, në lajmet e RAI-t mora vesh se ishte shuar Nando Martelini, ky komentator i njohur italian,  cili ishte së bashku me Anton Mazrekun , më shoqëruan me mbresat e tyre në “ballonin” tonë, që me aventurën uruguajane të vitit 1930 e kishte nisur  udhëtimin  rreth planetit të futbollit  botëror.  

E kisha përfytyruar, ashtu si veten, pranë televizorit duke ndjekur botërorët ’94,   ‘98, 2002...Por këtej e tutje do ta ruaja në vetvete kujtimin e tij, ashtu siç do ta ruanin edhe vetë italianët që ishin rritur më zërin e tij që nga vitit 1946...

Do të ruaja kujtimin dhe respektin për atë që  me pesë gjuhë të huaja, diplomuar për shkenca politike, sakrifikoi diplomacinë për mikrofonin dhe kamerën televizive sportive dhe, siç mu shpreh në një intervistë, nuk u pendua kurrë për këtë. …Të kthehemi tani te ndeshjet  Botërorit Gjermani 2006, që  u zhvilluan nga 9 qershor deri 9 korrik të vitit 2009 në stadiumet e Berlinit, Dortmundit, Frankfurtit, Gelzenkirshenit, Hamburgut, Kaizerslauternit, Këlnit, Mynihut, Nurenbergut, Lajpcigut,dhe Shtutgardit. Të papriturën e parë të këtij botërori e sollën ekuadorianët, që së bashku me  gjermanët, të zotët e shtëpisë, u kualifikuan, madje pasi mundën bindshëm Poloninë dhe Kosta Rikën me të njëjtin rezultat 2-0. Argjentina dhe Suedia nuk e patën të vështirë të dërgonin në shtëpi Paraguain, që katër vjet të shkuara i pati nxjerrë Francës aq telashe, që do të fitonte në minutën e 114-të.

 Të papriturën e dytë pas Ekuadorit, por krejt negative, e përsëriti ekipi Serbi-Mali i Zi, që i humbi të  trija ndeshjet, (0-1 me Holandën, 2-3 me Bregun e Fildishtë dhe 0-6 me Argjentinën), pikërisht  ekipi i atij vendi që së bashku me ballkanasen tjetër, Rumaninë, kishte qenë klienti i parë më 1930 në Uruguai dhe në disa botërorë kishte paraqitur një portret  të mirë.

Portugalia me pikë të plota, dhe pas saj Meksika, lanë pas Angolën dhe Iranin. Gana, debutuese, mposhti Çekinë me letra të forta “kredenciale”  pastaj edhe SHBA-në, larg nivelit të  katër vjetëve të shkuara, kur kishte arritur në çerekfinale.

Australia ndoqi shembullin e Brazilit në grupin F ,ku viktimë mbeti Kroacia e vendit të tretë në botërorin francez ’98 dhe Japonia. Edhe Koreja e Jugut, e katërta më 2002, por  jo pa zhurmë pas fitores me Italinë, u largua nga ky botëror së bashku me Togon, që nuk arriti të ndiqte shembullin e Ganës. (Kameruni dhe Senegali ishin në ...”konvaleshencë”).

 Spanja dhe Ukraina e Shevçenkos ndalën Tunizinë dhe Arabinë Saudite, (kjo e fundit jo për herë të parë larg  dyerve  të çerekfinaleve).

Filloi kështu cikli i fazës së ndeshjeve më mënjanim të drejtpërdrejtë, ku gabimi më i vogël të kushton rëndë.

I ndiqja ndeshjet së bashku me shokë shqiptarë nga televizori i shtëpisë sime në Kuinci, (Boston). Nga tetë ndeshjet e fazëz së 1/8 të finaleve më la shije të hidhur ndeshja Itali-Australi. Një lojë e përgjumur, nga ku shumë më tepër pritej nga axurrët.U desh minuta e 95,(pesë minuta të shtyra nga gjyqtari që Italia të fitonte një 11- metërsh të dyshimtë,  të cilën Toti e shndërroi në  gol dhe kështu axurrët u ndodhën në $erefinale.(Sikur  të kisha pasur afër Martelinin, do t’i kisha shprehur zhgënjimin tim për nivelin e lojës së italanëve dhe jam i bindur që ai do të më jepte të drejtë).

Po aq i mërzitshëm ishte takimi Zvicër-Ukrainë, ku pas një bardhësie, por jo e një “bukurie që të vret”, si$ shkruan Migjeni në një nga skicat e tij të mahnitshme, u desh seria e 11-metërshave,k u zviceranët nuk shënuan asnjë nga tri goditjet e para, (deri atëherë nuk kishte bërë vaki në ndonjë botëror), ashtu siç nuk shënoi  Shevçenko, por jo shokët e tij që realizuan tre.

Me dy gola të Podolskit kundër suedezëve  gjermanët, ndonëse larg Gjermanisë së markës ’74, të Bekenbauerit me shokë, kërkonin të ishin “Yber ales, (mbi të gjithë). Bekemi i dhuroi fitoren Anglisë në takimin me Ekuadorin që, sidoqoftë, u largua nga ky botëror më kokën lart.

Me golat e Ronaldos, Adrianos dhe Ze Robertos, Brazili u dha një leksion të mirë ganezëve,  të cilët treguan, si skuadra të tjera afrikane, se nuk mjafton të luash mirë, por duhet edhe të shënosh.

Portugalia mposhti Holandën (1-0), në një takim ku fitues mund të dilnin edhe “portokallinjtë”.

Franca, pas jehonës së golave të Riberisë, Vierasë dhe Zidanit (3-1), nuk u la asnjë shpresë spanjollëve dhe dëshmoi se kërkonte të përsëriste suksesin e  tetë viteve të shkuara në Paris, kundër Brazilit.

Në Botërorin Itali ’94 argjentinasit e Maradonës dy herë kishin kapërcyer barrierat me 11,-metërsha kundër Jugosllavisë dhe Italisë, në çerek dhe gjysmë finale. Por ja që këtë radhë këto goditje u bënë bumerang për ta. Ishte Gjermania që i mposhti,  pasi në kohën e rregullt Klose barazoi  në 80’, kur  me golin e Ajalës argjentinasit pritnin të kalonin në gjysmëfinale.

Vendasit, të yshtur nga tifozët e papërmbajtur, fituan 4-2, pasi 120 minutat e kësaj beteje me gjithë shtesën nuk sollën “asgjë të re nga fronti i luftimeve”, po të perifrazojmë titullin e një romani të famshëm të Remarkut, (“Asgjë e re në Frontin e  Perëndimit”).

11-metërshit dënuan edhe anglezët në takimin me Portogalinë. Madje K.Ronaldo “spiunoi” te gjyqtari Runin me të cilin luante së bashku në radhët e “Mancester Juaitedit”, sepse ai i… kishte shkelur këmbën!...Si përfundim, Runi dëbua me karton të kuq. Si të ndikoheshin nga kjo, Lampardi, Xheradi dhe Karrageri gabuan nga kjo pikë e mallkuar  dhe portugezët e panë veten  në gjysmëfinale.

Italianët nuk u lanë ukrainasve të Shevçenkos asnjë shpresë dhe e përligjën fitoren  kundër tyre  me rezultatin 3-0.

Pritej që Brazili të hakmerrej kundër francezëve për humbjen e tetë vjetëve të shkuara në finalen e  Parisit, por pesë herë kampionët e botës u gjunjëzuan nga një një gol i rrallë i Anrisë në 57 ‘ dhe u kthyen të zhgënjyer në atdhe pa Kupën e Botës.

…Gjysmëfinale e parë Gjerman-Itali…Gjermanët kujtojnë takimin e  36 vjetëve me axurrët,  të cilin e kishte ripërtirë Nando Martelini, më 2003 në një libër të tij. ”Vaterloja” meksikanase, nuk duhej të përsëritej. Por sa larg ishte ky dyluftim nga ai 36 vjetëve të shkuara, kur në një grusht minutash të shtesës prej 30 minuta u shënuan plot pesë gola!.. Dhe italianët fituan 4-3.

Në këtë takim, pas 119 minutash,  ashtu siç zbërdhëllen një velë  e vetmuar në horizontin e një deti të dremitur, sic shkruan poeti i madh rus, Lermontov në një poezi të tij, ashtu  zbardhëllenin  të lodhura  shifrat  0-0. Por  këtu ndodhi çudia. Pikërisht atë minutë mbrojtësi  Groso, dhe pa kaluar mirë 60 sekonda edhe  Del Piero, depozituan në portën kundërshtare dy gola  që i shastisën gjermanët.

Dhe të mendosh se para fillimit të takimit, drejtuesit e stadiumit, për të nxitur skuadrën e tyre, kishin lënë të buçiste nga fortafolësit  melodinë  e këngës  “Nota magjike”, të  kënduar nga Xhana Manini dhe Eduardo Benato, me të cilin ishte hapur Botërori ’90 në Itali. Por kur u kujtuan ta hiqnin, ishte vonë.

Siç pohoi në fund të takimit mbrojtësi italian, Materaci:  “…të frymëzuarit nga kjo këngë ishim ne dhe jo gjermanët”.

Kështu pas tetë vjetësh transalpinët, si$ quhen francezët nga italianët, u ndodhën përballë axurrëve që kërkonin për herë të katërt të ishin zotëruesit e Kupës se Botës.

U përsërit pak a shumë po i njejti skenar. Por pas  një skandali. Kjo ndodhi në 114’, kur Zidani, me  një kthesë të befasishme, si të ishte dem, iu sul Materacit dhe e goditi në gjoks dhe e përmbysi…. Dhe ta pret mendja që gjyqtari, i sinjalizuar nga anësori,  e dëboi me karton të kuq. Siç doli më pas, italiani e kishte sharë Zidanin me origjinë algjeriane, nga… nëna, a motra.

Pastaj  puna arriti te …penalltitë. Dhe kjo ndodhi pasi Zidani kishte hapur serinë e golave me 11-metërsh në 7’, kurse Materaci më vonë ishte ngritur  si periskop mbi lëmshin e fanellave blu- kaltëroshe të të dyja palëve dhe kishte barazuar,1-1.

Këtyre episodeve mund t’u shtohen  edhe dy të tjera: topi i larguar nga Materaci nga vija e portës dhe goditja e  Tonit në traun e portës franceze. Por, sidoqoftë, pak për një finale botërori.

Siç e pamë, në pjesën  17-të të këtij cikli  në ndeshjen gjysmëfinale Itali-Francë  ’98 Di Biaxho kishte goditur traun, duke “nënshkruar” humbjen e të vetëve. Por tani, duke korrigjuar “shënjestrën’, Pirlo, Materaci, De Rosi dhe del Piero nuk përsëritën gabimin e tij dhe të francezëve, veçanërisht të Trezegezë që imitoi Di Biaxhon dhe kësisoj italianët, pa  shkëlqim, jo vetëm në këtë betejë, por edhe  gjatë tërë botërorit, ulën  për të  katërtën  herë në fronin e mbretëreshës .

Italia: Bufon, Zambrota, Kanavaro, Materaci ,Groso, Gatuzo, Pirlo, Kamoranezi, (Del Piero), Perrota, (De Rosi)),Toti, Toni,(Iakuinta);

Franca: Bartez, Sanjol,Turam, Galas, Abidal, Riberi,,(Trezege), Viera,(Diara), Makelele, Zidan,Maluda, Anri.(Vilfor).

Ishte e dyta herë pas Botërorit SHBA ’94 që fati i kampiones së botës zgjidhej me 11-metërsha. Në takimin  Brazil-Itali gaboi Baxho, ndër më të mirët në fushë. Në takimin e fundit, ai  që gaboi ishte Trezegeja, që  në fund të pjesës së dytë kishte zëvendësuar Riberinë dhe ende nuk ishte ambjentuar me lojën. Shumë diskutime  janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen për lotarinë e 11-metrëshave. Edhe në serinë e këtyre shkrimeve kam shkruar për të…”Po më gjeni një mënyrë tjetër,- thoshte braziliani Avelanzh, ish presidenti I FIFA-s, kur ajo vendosi ne rregulloren e futbollit  nenin e 11-metrëshit.- Nuk u pëlqen lojtarëve? Të mësojnë atëherë të gjuajnë saktësisht nga   ajo pikë e bardhë.”

Por ja që nga kjo pikë “fatale”, siç e ka përcaktuar Anton Mazreku që në vitet ’30 të shekullit të kaluar,  kanë humbur gola plot futbollist të mëdhenj. ”Errare hunanum est”, thonë latinët. (“Të gabosh, është  njerëzore).

Po jap edhe një shembull që do t’i $udisë lexuesit:

Në fundgushtin  e vitit 1955 unë, djalë 17 –vjeçar, po stërvitesha në fushën e Stadiumit “Qemal Stafa”, me shokë të tjerë atletë. Po stërvitej edhe ekipi kombëtar i futbollit për një turne jashtë vendit. Me ta edhe portieri ynë legjendar, Qemal Vogli. I thashë Qemali që njihja mirë: ”E di që unë mund të të bëj gol nga penalltia?”. ”Ik, mor kalama!”- ma priti. Si me përçmim. Ngula këmbë. U bind, u përkul, si$ ishim mësuar ta shihnim dhe unë  gjuajta nga e majta dhe ai lëvizi nga e djathta. Gol. U nxeh, u përkul për një gjuajtje të dytë dhe unë përsëri gjuajta nga e majta. Përsëri gol!... Dhe isha këpucë atletike!…

E përsëris edhe në këtë shkrim, se në vend të 11-metërshave, pas shtesës së lojës të zbatohet  një rregull i tillë: Topi të vihet  në një pike 20 metra larg vijës fundore dhe që aty futbollisti të  nisen drejt portës. Që të shënojë, do t’u duhet të përdorë  disa elemente teknike: dredhë, lëvizje mashtruese, me trup, a pa trup që kështu t’i  shmangen  portierit. Pra, edhe një herë, si$ veprohet në hokeji.

Nga rezultate te fazës finale

1/8 e finaleve

Gjermani-Suedi  2-0

Argjentinë-Meksikë  2-1

Angli-Ekuador  1-0

Portogali-Holandë 1-0

Zvicër-Ukrainë 0-0,(0-3 me shtesë dhe 11-metërsha)

Brazil-Ganë  3-0

Spanjë-Francë 1-3

1/4 e finaleve

Gjermani-Argjentinë 1-1, ( 4-2 më shtesë dhe 11metërsha)

Itali-Ukrainë  3-0

Angli-Portugali 0-0, (1-3 me shtesë dhe 11-metërsha)

Francë-Brazil 1-0

½ e finaleve

Gjermani-Itali 0-2, (me shtesë)

Francë-Portugali 1-0

Finale për vendin e tretë

Gjermani-Portugali 3-1

Finale

Itali-Francë   1-1, (5-3  me shtesë dhe 11-metërsha), në Stadiumin Olimpik, të Berlinit,,(89.00 shikues); gjyqtar-Elizonfo,(Argjentinë)

Golëshënuesi më i mirë Klose (Gjermani), 5 gola.

Futbollisti më i mirë Zidan, (Francë)

Ndeshje-64

Gola-143, (2.3 për ndeshje)

Shikues- 3.359.439,952, (52.491 për ndeshje)

Disa kuriozitete:

Lojtarët më të gjatë të këtij botërori ishin: Zhigic, (Sërbi-Mali i Zi), Kalac, (Australi), Koler, (Çeki), nga 2.02 m.

Gjatë këtij botërori u dhanë 345 kartona të verdhë dhe 28 të kuq, shifra më të larta se në çdo botëror tjetër.

Ndeshja me më shumë kartona ishte Portugali-Holandë, me 12 kartona të verdhë dhe 4 të kuq, (rekord i botërorëve).

Asnjë futbollist nuk shënoi tre gola.

Në takimin gjysmëfinale Gjermani-Itali u shënua golat më të vonshëm të çdo botërori ,përkatësisht më minutën e 119-të dhe 120-të.

Portieri italian,  Bufon, e ruajti portën të paprekur  për 460 minuta, por pa thyer rekordin  e portierit tjerë italian, Xenga, në Botërorin SHBA 1990, me 517 minuta, pa pësuar gol.

Për herë të parë në botërorët e futbollit një gjyqtar gjykoi ndeshjen e parë dhe finale. Ky ishte argjentinasi Elizondo.

Ndeshjet u ndoqën nga 26.29 miliardë njerëz.

Për herë të parë një ndeshje me ekran gjigand u pa nga rreth 10.00 shikues. Kjo ndodhi në një shesh të Bostonit. Dhe ndër ta qenë dhe ca miq të mi shqiptarë, me familjet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat