Brazili - për të pestën herë mbreti i botës (2002)

Futboll

Brazili - për të pestën herë mbreti i botës (2002)

Nga: Skifter Këllici Më: 10 qershor 2018 Në ora: 16:43
Brazili 2002

84 vjet rreth planetit te futbollit botëror (1930-2018) - 17

Më 1996 FIFA  kishte marrë vendim që botërori  2002 të luhej për herë të parë në kontinetin aziatik dhe, saktësisht,  në Japoni dhe Korenë  e Jugut. Dy vende me histori tragjike të periudhës moderne: Japonia, me qytetet, Hiroshima dhe Nagasaki, të rrafshuara më 1945 nga bombardimet atomike, me rreth 200 mijë të vdekur  dhe mijëra të tjerë që vuajtën nga pasojat e kësaj gjëme të stërhatashme, dhe Koreja e Jugut, që, gjithashtu, së bashku me Korenë  e Veriut pati 4 milionë  viktima gjatë luftës së përgjakshme midis tyre, përfunduar më 1953, me ndarjen e  në paralelin  38-të, ndarje që vazhdon edhe sot.

Dy vende pa tradita në futboll, por jo në sporte të tjera, po të marrim parasysh se kishin organizuar dy veprimtari të mëdha botërore; Japonia- olimpiadën verore të vitit 1968 në Tokio,  dhe olimpiadën dimërore në Saporo, (1972), dhe Koreja e Jugut, olimpiadën verore më 1998, në Seul.

Për “inat” të Koresë së Jugut, për organizimin e këtij botërori ishte hedhur  edhe Koreja e Veriut, aq më tepër që kishte edhe stadiumin më të madh në Botë, me nxënësi 1.50.000 shikues!...Por  presidenti i FIFA-s, Blater, me shokë  e kishin mënjanuar me “delikatëse” këtë kërkesë, jo vetëm sepse ky vend diktatorial nuk siguronte lëvizjen e lirë të turistëve, por ishte dhe ndër vendet më të varfri në botë.

…Përsëri po e njëjta formulë, 8 grupe me nga 4 skuadra, ku nga $do grup kualifikohen dy të parat dhe kështu  këto 16 skuadra vazhdojnë betejat ”për jetë a vdekje”, me sistem mënjanimi. Humbëset marrin pa ceremoni rrugën për në…shtëpi. Përësri “golden goal-i”, pra në shtesën prej 2x15 minutash ajo që shënon e para fiton, ndryshe vimë te lotaria e 11-metërshave.

Në fazën e dytë kalojnë më të mirat. Por ka dhe të papritura: Senegalit, debutues, nuk i dridhet qerpiku para Francës, kampione e botës. E mposht atë 1-0, barazon me Danimarkën dhe Uruguain, madje më këtë të fundit  fiton në minutat e fundit 3-2, dhe së bashku me  të parën kualifikohet.  Kurse francezët largohen të mbështjellë  nga kujtimet e lavdishme të botërorit ’98, që mbeten në… sirtar.

Kina e mbi një miliard njerëzve, nuk arrin të gjejë 11 vetë “të hajrit” që të grumbullojnë  të paktën një pikë  në grupin ku bëjnë pjesë Brazili, Turqia, (fituese) dhe Kosta Rika!...

Amerikano-veriorët shastisin portugezët, kur, pasi udhëheqin 3-0, pësojnë dy gola, një autogol, ashtu si kundërshtarët, dhe së bashku më koreano-jugorët janë në 1/8 e finaleve.

Luanët kamerunas, si të jenë “zbutur” nga gjermanët dhe irlandezët që kanë në grup, kthehen në pa lavdi në atdhe së bashku me Arabinë Saudite. Të njejtin fat pësojnë edhe nigerianët, që nuk përsërisin bëmat me Italinë e katër viteve të shkuara, në çerekfinale, kur Baxho më shokë në 100 sekondat e fundit të lojës barazuan e në shtesë fituan. Ajo, duke u fundosur,  tërheq me vete edhe Argjentinën që nuk ka  më solistë si  Maradona   që të luajnë “tangon” e tyre deri në fund, duke lejuar para vetes Suedinë dhe Anglinë.

Edhe Kroacia e treta në Francë, nuk arrin të “kalojë klasën”, së bashku me Ekuadorin, duke lënë të kalojnë para tyre “profesorë” si Meksika dhe Italia.

 Senagalezët dëshmojnë se jo më kot ndodhen në elitën  e më të fortëve, sepse u tregojnë “aeroportin” suedezëve, ndonëse ata shënojmë të parët në 11’, për të pësuar dy gola nga Kamara në 37’ dhe në shtesë, pikërisht në  104’.

Ëndrra e pasardhësve të samurajasve japonezë për t’u gjendur në kupolën  e futbollit botëror, këputet nga turqit, pasardhësit e jenicerëvë, në një betejë që u mbyll shumë shpejt në 12’, kur turku Davala dha vendimin e prerë- “colpo di grazia”, sado që vringëllima e shpatave japoneze u dëgjua jo më pak se se ajo e “këlliçëve”.

Amerikanët dëshmuan se vërtet futbolli është lojë pak popullore për ta, po ta krahasojnë më bejsbollin, basketbollin dhe sidomos me  futbollin amerikan, por ama, ”të rrimë shtrembër e të flasim drejt”, u dhanë një “dajak” që të mbahet mend fqinjëve të tyre të Jugut, meksikanëve, që i kishin parë gjithnjë  “nga lart poshtë”, me dy gola,  si kujtim “përdëllyes’’.

    Ishte e para herë që trashëgimtaret e vendit të quajtur Amerikë, për nder të italianit Amerigo Vespuçi, me emrin e të cilit ky vend ishte pagëzuar, arrinte  midis 8  skuadronëve më të mirë të botës. Dhe kjo i shkundi amerikanët që tani po kuptonin se ky lloj sporti nuk qenkej  i denjë  vetëm për vajzat e tyre, si$ e kam vënë në dukje , më të mirat në botë, por që mund t’i bënte edhe djemtë, po aq të shquar.

Këtë e pashë edhe unë më sytë e mi. I ndodhur në Boston prej marsit të vitit 1999, pas kësaj fitoreje u vu në lëvizje edhe presidenti Bush, që uroi Donovanin, një ndër futbollistët më të mirë amerikanë dhe shokët e tij për këtë sukses.

   I vjen radha tani ndeshjes Itali-Koreja e Jugut. Këtë ndeshje ,si dhe  të tjerat deri në finale nuk e pashë në Boston, por në Tiranë, ku kthehesha pas tre vjetësh.

Do ta “komentoj”, sipas  rrëfimit të një shokut tim, sepse ka qyfyre që besoj t’i bëjë lexuesit e këtyre radhëve të qeshin.

“Vendosa më miq të mi që këtë ndeshje ta shihja në një biçim mejhaneje ku kishte një televizor,- zuri të më thoshte shoku im.- Qemë të tërë tifozë të thekur të axurrëve  dhe pritnim që ata të hakmerreshin për humbjen e 38  vjetëve të shkuara në Angli nga korenoveriorët. Në mejhane ndodhej dhe një burrë barkalec, që po pinte. Kur ne të gjithë pritnim “vendetën”, por jo sipas zakoneve siçiliane, me kobure në kokë, barkaleci ia pati: ”Sot fiton Koreja!”.  Dhe i nxori këto fjalë pa teklif nga goja që e kishte, mashallah, të madhe sa një kamare. Mejhanexhiu, edhe ai tifoz i thekur i axurrëve, ia priti: ”Po të fitojë Koreja, do  të të jap të hashë falas këtë pjatancë me topa hallve. Por, po nuk e hëngre, do ta paguash”. Barkaleci mbylli sytë në shenjë pohimi.

Mirëpo, vërtet Vieri shënoi  në minutat e para, por kur gjyqtari ekuadorian, Moreno, dha një penallti kot së koti që e priti Bufoni. Më pas ky Vier do t’i  kishte dhënë fund kësaj meseleje, por gjuajti jasht me  portë të boshatisur. Pastaj, po ky Moreno nuk quajti të vlefshëm golin e Damianit. Skandal! Dhe ja, dy minuta para mbarimit koreanët barazuan dhe në 117’ Ahni, rezervë i “Peruxhas” u dha fitoren  koreanëve me “golden goal”. I erdhi kështu radha  barkalucit që për çudinë tonë   e përlau  pjatancën  me hallvë në mënyrë të çuditshme: hapte gojën  e stërmadhe dhe me gishta  të futur thellë gojës,  rraste topat e hallvës një nga një, deri në grykë, pa luajtur fare nofullat dhe i la të shkordhur. Ndaj edhe nuk u velit  prej tyre!”

Kjo ishte historia që më rrëfeu shoku.

Me Morenën  për ditë me radhë u mor i tërë shtypi dhe RAI. Por Ronaldo, që do të shpallej golashënuesi më i mirë i botërorit dhe që luante atëherë me “Interin”, u shpreh se ai kishte gjykuar drejt dhe se Italia kishte humbur, sepse trajneri Trapatoni nuk kishte përgatitur një skuadër për të qenë. Kështu Italia humbi, por këtë radhë me një Kore tjetër…(Sa për kurreshtje,  në shtator të vitit 2010 ky Moreno u arrestua dhe në aeroportin Kenedi të Nju Jorkut, sepse iu gjetën  rreth 6 kg drogë në një $antë dhe u dënua me 2.5 vjet burg ).

  Të kthehemi përsëri tek aventurat e këtij botërori …Ndeshjet Angli-Danimarkë dhe Brazil-Belgjikë përfunduan pa histori në favor të të të skuadrave të  para, përkatësisht 3-0,dhe 2-0. Në takimin midis spanjollëve dhe irlandezëve puna na arriti deri te 11-metërshat, ku fati u buzëqeshi të parëve, 3-2.

Kësisoj Botërori koreano-japonez trokiti në  portat e  cerekfinaleve. Por këtë radhë pa japonezët të cilët, si$ e  pamë, nuk kishte qenë nevoja të  të bënin hara-kiri para turqve dhe tani nxitnin koreano-jugorët që të   ngjiteshin drejt Himalajës se këtij botërori. 

Dhe kështu ndodhi. Edhe më këtë betejë u shënua një tjetër skandal. Gjyqtari egjiptian Gandur, sikur ta ishte pasur bilbilin “të prishur”, nuk dekretoi tre gola  të spanjollëve, të cilët sa nuk shkulnin flokët nga dëshpërimi për kato që po  ndodhnin në fushë.

Kur erdhi puna te 11-metërshat, ata e kishin humbur kaq shumë torruan, sa gjuajtën keq, kurse të zotët e shtëpisë, të nxitur nga hallku në shkallët e stadiumit, si$ dukej “tejkaluan  normën”, me pesë goditje të sakta, kundrejt 3 të kundërshtarëve.

Për herë të parë në historinë e botërorëve një skuadër aziatike, Korea e Jugut,  arrinte në një lartësi, nga ku mund të shihte “botën”, si Modunjo me këngën e tij të famshme “Volare”, qe kam përmendur në shkrimin kushtuar Botërorit Suedi 1958.

Nëpër një rrugë të mundimshme kaloi Brazili, që mënjanoi Anglinë, këtë herë shumë e fortë. Madje ishin Oueni që u priu anglezëve në 21’. Brazilianët barazuan në minutën e fundit të pjesës së parë me anë të Rivaldos dhe dolën fitimtarë nga stadiumi pas golit të dytë të Ronaldinjos që po shkëlqënte pranë Ronaldos në “kostelacionin brazilian”.

I vetmi “ambasador” i  Afrikës në këtë botëror, Senegali doli i brohoritur nga fusha, edhe pse u mund nga Turqia 1-0 pas golit të Mansizit, madje në minutën e 94-t.

Nuk mbeti pas as SHBA-ja në takimin me Gjermaninë. Nuk qe një ndeshje midis “maces  dhe miut”. Këtë e dëshmoi rezultati 1-0, pas golit të Ballakut, i arritur më shumë vështirësi.

 Sidoqoftë, presidenti Bush i përgëzoi përsëri futbollistët amerikanë që arritën në një cak kaq të lartë të kuvendit të futbollit botëror.

Siç shpjegova  më lart, në fazën finale pra nga fundi i qershorit dhe fillimit të korrikut të vitit 2002, u ndodha në Tiranë. Disa miq, kur më panë, pandehën  se kisha ardhur për të komentuar ndeshje të këtij botërori .E njëjta gjë u përsërit kur u ndodha në një shtëpi botuese. Por u shpjegova se kisha ardhur vetëm për pushime. Por nëse do të më propozonin nga TVSH-ja, do të pranoja me gjithë dëshirë të komentoja ndonjë ndeshje,kur në Tiranë, si katër vjet të shkuara në botërorin francez ’98, vazhdonte ende gara midis  tërë stacioneve televizive, që  transmetonin  këtë botëror.

Në mbrëmje dikush më telefonoi. Ishte redaktori i asaj shtëpie botuese. Më shpjegoi se kishte biseduar më një nga drejtuesit e TVSH-së, të cilit i  kishte thënë se më kishte parë në Tiranë dhe se do të dëshironte që si teleshikues të tjerë, të komentoja në këtë televizion ndeshje të fazës së fundit të këtij botërori. Por, nga ana tjetër e telit, kishte dëgjuar përgjigjen: “Ne nuk dimë që ai të ketë ardhur në Tiranë”. Vazhdonte kështu historia e vjetër. Por këtë radhë nuk ishte “kryekomentatori”, por   një nga  drejtuesit e TVSH-së.

Ashtu si në ndeshjen në grup, Brazilit iu desh të stërmundohej që të prodhonte një gol kundër Turqisë, që u tregua edhe këtë radhë kundërshtar i denjë për 4 herë kampionët e botës. Të vetmin gol e shënoi Ronaldo në 49’.

Koreanojugorët nuk lanë dyshime për ndonjë skandal “gjyqësor”. Luftuan si “primus inter parem”,(latinisht: “të parë midis të barabartësh”),me gjermanët, që mundën të dilnin ngadhënjimtarë në këtë ndeshje, pas golit të vetëm dhe përsëri  të Ballakut  në 75’.

Finalja për vendin e tretë, shumë dramatike, midis  Koresë së Jugut dhe Turqisë u mbyll 3-2 për të dytën që me tri goditje të sakta të “këllicëve” të tyre, prenë çdo shpresë të atdheut të “diellit që nuk perëndon”, siç njihet Koreja.

Jug-koreanët, nga ana tjetër qëlluan në shenjë dy herë  dhe hynë kështu në “kuartetin vokal” më të mirë të këtij botërori. Madje në këtë ndeshje u shënua një rekord origjinal: Turku Shukur shënoi në sekondën e 11-të golin e parë, duke thyer rekordin e francezit Lakomb, që kishte shënuar në takimin me Italinë golin e parë në sekondën e 44-t të Botërorit Argjentinë ’78.

Në finale u ndodhën kështu dy nga përfaqësueset më të denja të futbollit botëror-Brazili dhe Gjermania.Por këtë radhë “samba” braziliane, falë solistëve Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinjo, që  katër vjet më parë kishte dëshmuar se do të ngjitej  denjësisht “në katedër”,  fioi 2-0, duke ndalur vërshimin e “stuhisë dhe vrullit” vagnerian  të gjermanëve.

Kështu Brazili për të pestën  herë u proklamua mbreti i një botërori, për të “abdikuar” katër vjet më pas në Botërorin Gjerman 2006, për të cilin do të tregoj në pjesën e 18-të të këtij udhëtimi  “88 vjet rreth planetit të futbollit botëror,(1930-2018).

Brazili: Markos, Lucio, Edmilton, Junior, Kafu ,Silva ,Kleberson ,R.Karlos, Ronaldinjo,

Rivaldo, (Paulista)) ,Ronaldo, (Denilson).

Gjermania: Kahn, Linker, Ramalou, Metcelder, Frings,Haman ,Jeremies, (Asamoa), Bode,(Zige), Shnajder ,Klose, Neuvil, (Birhof).

Gjyqtar-Kolina,(Itali)

Stadiumi “International”,Jokohama,(69.029)

Golshënuesi më i mirë i botërorit- Ronaldo, (Brazil), 8 gola;

Lojtari dhe portieri më  i mirë: Kahn,(Gjermani).

Nga rezultatet e fazës finale

1/8 e finaleve

Angli-Danimarkë  3-0

Brazil-Belgjikë  2-0

Senegal-Suedi  2-1

Turqi-Japoni 1-0

Gjermani-Paraguai 1-0

Meksikë-SHBA  0-2

Spanjë-Irlandë  3-2,( me shtesë dhe 11-metërsha)

Korea e Jugut-Itali  2-1, (me  “golden gol” në 114’, Ahn)

1/4e finaleve

Brazil-Angli  2-1

Senegal-Turqi  0-1

Gjermani-SHBA  1-0

Koreja e Jugut- Spanjë 0-0, ( 5-3 me shtesë dhe 11-metërsh)

½ e finaleve

Brazil-Turqi  1-0

Gjermani-Koreja e Jugut 1-0

Finale për vendin e tretë

Turqi -Koreja e Jugut  3-2

Finale

Brazil-Gjermani  2-0

Disa nga stadiumet ku u nga 31maj -30 qershor 2002, u zhvilluan ndeshjet:Dageu, Seul, Busan, Suvan, Guanxhou, Incean (Korea e Jugut);

Jokohama,Saitiuma, Fukuroi, Osaka, Saporo, Kashima, (Japoni)

Ndeshje- 64; Gola- 161, (2.52 për ndeshje); Shikues-2.705.134,( 42.268 per ndeshje).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat