Salernitana është gati të përfitojë shërbimet e futbollistit shqiptar

Futboll

Salernitana është gati të përfitojë shërbimet e futbollistit shqiptar

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 15:42
Ledian Memushaj

Sezoni i Ledian Memushajt nuk ishte ndër më entuziazmuesit në karrierën e mesfushorit. Vlonjati zbriti në fushë në 17 ndeshje të Serisë A, duke mos gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës me Beneventon. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve jo në maksimumin e mundshëm, ofertat për 31-vjeçarin nuk mungojnë.

Sipas mediave në Itali, klubi i Salernitanës është gati të përfitojë shërbimet e futbollistit shqiptar. Drejtori sportiv, Fabiani, dhe trajneri, Collantuono, janë të bindur tek aftësitë e Memushajt dhe për këtë arsye pritet të nisin bisedimet me Beneventon. Marrëdhënia e mirë mes 2 klubeve mund të favorizojë mbylljen me sukses të negociatave.

Pronari i klubit nga Salerno është Claudio Lotito, i cili është edhe presidenti i Lazios, dhe në përzgjedhjen e vlonjatit si një prej përforcimeve të merkatos së verës mund të ketë ndikuar Igli Tare.

Salernitana e mbylli kampionatin e Serie B në vendin e 12-të, duke qenë 9 pikë larg zonës së “Play -offi”-t. Ledian Memushaj, i cili është ende nën kontratë me Beneventon, e njeh mjaft mirë Serinë B, duke qenë se në karrierën e tij ka luajtur për 7 vite në këtë ligë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat