Prehu në paqe president!

Futboll

Prehu në paqe president!

Nga: Fazli Berisha Më: 10 qershor 2018 Në ora: 13:34
Fadil Vokrri

Bota e futbollit sot u  tronditë dhe jo vetëm e futbollit. Lajmi mori dhen me shpejtësinë e dritës, për ikjen tënd në amshim miku im Fadil Vokrri, ndërsa unë nuk po u besoja, as fjalëve as shkrimeve i trishtuar nga lajmi. Në ndërdije doja të ishte një gënjeshtër e keqe që ka bërë dikush. Por, e vërteta ishte e hidhur. U mundova ta qetësojë veten dhe të shprushesha nëpër kohë.  Shumë është shkruar, është folur e brohoritur sa kanë kumbuar zërat e jehu nëpër stadiume ishte i paparë për këtë burrë legjendë të futbollit, që u bë ikonë kudo e shqiptarëve në botë. Ramë në dashuri pa dashur, ndërsa Ti ike pa me thënë lamtumirë. Dhe vogëlsia ime, se ka dot fuqinë të përshkruajë madhështinë tënde. Ishe njeri i përkushtuar, i qetë, i matur dhe i këndshëm, nuk dije të urreje askënd dhe u dëshiroje të gjithëve të mirën,  veti këto që të dallonin prej tjerëve.

Në Kosovë i vogël e i madh janë rritur duke brohoritur emrin tënd, duke prekur fanellën tënde dhe duke shënuar në kujtesë numrin 9, numri i fanellës tënde dhe ky numër sikur që të dha emër si duket u kujdes që të ik me Ty, sepse me 9 qershor i the lamtumirë Kosovës, për të cilën ke dhënë shumë. Me krenari drejtove anijen e klubit Prishtina duke u shndërruar në legjendë të futbollit dhe me shumë mburrje, përkushtim dhe suksese drejtove flotën e madhe FFK deri në frymën tënde të fundit.

Përderisa prisja të shkruaj për udhëtimin tënd drejt Botërorit Rusia 2018, jeta u tregua e pamëshirshme, të mori duke me lënë të shkruajë kujtimin për Ty. Nuk po gjejë fjalë, por po e them me zemër se Ti do të na mungosh të gjithëve, madje edhe atyre që shpeshherë nga lakmia personale të sulmuan. Po shikoja Federatën e Futbollit që sot i ngjante një foleje të braktisur nga e ëma, ndërsa zogjtë po cviliteshin të dëshpëruar. Miku im trashëgimia e jote në sport është aq e madhe dhe e artë sa që do të jetojë aq sa do të ketë njerëz në këtë botë. Miku im faleminderit për të gjitha që ke bërë, që na bëre të na njoh bota dhe na bëre pjesë ta familjes evropiane dhe botërore.

Faleminderit legjendë dhe prehu në paqe president!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat