Paratë apo lavdinë, ku po shkon CR7?!

Futboll

Paratë apo lavdinë, ku po shkon CR7?!

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 09:42
Cristiano Ronaldo

Nëse Cristiano Ronaldo përfundon duke e lënë Real Madridin, ai duhet të matë me kujdes destiancionet e tij të ardhshme. Nuk ka shumë klube, që mund të ndërmarrin nënshkrimin e tij nga këndvështrimi ekonomik. Dhe pastaj mosha sportive e portugezit, e cila, gjithashtu, paraqet probleme ose, të paktën, pikëpyetje.

Destinacioni i parë që vjen në imagjinatë është Manchester United, klubi ku ai e shenjtëroi veten si yll botëror, ku fitoi Champions-in dhe “Topin e Artë” të parë në karrierë. Nga pikëpamja ekonomike, operacioni do të jetë i zbatueshëm.

Por, asgjë nuk do të bindë Mourinhon, i cili nuk duket i gatshëm për të ndryshuar një skuadër të projektuar pa një “lokomotivë” të vetme, ndërkohë që Ronaldo është një lojtar, që në mënyrë të pashmangshme e detyron të luajë për të. Për të mos përmendur që Manchester United i tanishëm është larg potencialit sportiv të ekipeve më të mira në Europë.

Pa lënë Anglinë, CR7 mund të ketë opsionin e Manchester City, i cili i garanton një ekip konkurrues në Angli dhe Europë. Por, duket e vështirë për të bindur Guardiolën, që të vërë punën dhe emrin e tij në duart e një “atleti” si Ronaldo, një lojtar i cili, përtej marrëdhënieve të tij me golin, nuk shton shumë në zhvillimin e lojës.

Jashtë Anglisë, vetëm një klub ka para të mjaftueshme për të paguar Cristiano Ronaldon. Jo vetëm transferimin e tij, por edhe pagën e kërkuar nga lojtari, i cili synon të mos jetë mbrapa Messit dhe Neymarit në aspektin e përfitimeve ekonomike. Ky klub është PSG, me të cilin portugezi ka pasur një “dremitje” edhe në të kaluarën.

Në Paris ka para dhe ambicie, por edhe një problem. Dhe jo problem i vogël. Emri i tij është Neymar. Braziliani dhe portugezi nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën “garderobë”. Rregullat e “fair play financiar” nuk do ta lejonin këtë. Klubi francez tashmë është në kufi me Neymar dhe Mbappé. Ardhja e CR7 do të nënkuptonte largimin e njërit nga të dy. Në fakt, Real Madridi e ka ende ish-sulmuesin e Barçës si një objektiv prioritar. Skenar i mundshëm.

Jashtë Europës, alternativa është Kina. Nëse Cristiano Ronaldo dëshiron të fitojë para, kjo pistë predominon, natyrisht. Në MLS paguajnë shumë më pak, edhe pse mjedisi është më tërheqës për portugezin. Por, të dyja këto opsione ia zerojnë shanset Ronaldos për të luftuar për dy trofe, që formësojnë karrierën e tij: Liga e Kampionëve dhe “Topi i Artë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat