Pajaziti ndërprenë bashkëpunimin me Drenicën

Futboll

Pajaziti ndërprenë bashkëpunimin me Drenicën

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 13:49
Sadat Pajaziti

Sadat Pajaziti nuk është më kryetrajner i klubit të futbollit Drenica nga Skenderaj. Ai konfirmoi se me Drenicën ka ndarë rrugët pas një periudhe të suksesshme me këtë ekip, duke përfunduar në vend të shtatë me 48 pikë në elitën e futbollit. “Ju informoj që pas një bashkëbisedimi që kisha me kryetarin e klubit të Drenicës Ilir Veliqi si dhe drejtorin Tahir Lushtaku u vendosëm që ta ndërpresim bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme. Dua të falënderoj kryesinë e klubit për korrektësinë dhe profesionalizmin e posaçërisht kryetarin e klubit Ilir Veliqi, drejtorin sportiv Tahir Lushtaku dhe të gjithë anëtarët e tjerë të kryesisë që më mbështetën vazhdimisht. Gjithashtu falënderoj futbollistët, stafin dhe të gjithë tifozët për mbështetjen. Jam shumë krenar që isha pjesë e Drenicës për aq kohë sa punuam bashkë dhe lirisht mund të them se unë do të jem tifoz i Drenicës përgjithmonë. Po largohem nga klubi me një peng, që se realizuam kalimin në finale te Kupës se Kosovës për të cilën besova shumë së do t’ia dalim për t’i gëzuar të gjitha ata tifozë që e duan aq shumë klubin.

Besoj se kryesia e klubit do të riorganizohet shpejtë dhe do të krijohet një ekip shumë konkurrues për vitet në vijim, sepse Drenica gjithmonë ka treguar se di të organizohet dhe të jetë kundërshtarë i denjë për çdo ekip”, shkruan Pajaziti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat