Panucci: Nuk kishim kokë, as këmbë. Lojtarëve u kishte mbaruar benzina - Bota Sot
Panucci: Nuk kishim kokë, as këmbë. Lojtarëve u kishte mbaruar benzina

Futboll

E premte, 22 qershor 2018

Panucci: Nuk kishim kokë, as këmbë. Lojtarëve u kishte mbaruar benzina

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 12:11
Panucci

Christian Panucci e ka braktisur konferencën për shtyp, direkt pas ndeshjes me Ukrainën, i gjendur nën kritikat dhe vërshëllimat e tifozëve kuqezi. Megjithatë, ka bërë një intervistë shterruese të dielën në darkë për kanalin zyrtar të FSHF-së në “Youtube”. Aty u jep përgjigje shumë pikëpyetjeve të ngritura pas tri humbjeve në miqësoret e fundit, ndaj Norvegjisë (1-0), ndaj Kosovës (3-0) dhe ndaj Ukrainës (4-1). Situata duket tejet e nderë në kampin kuqezi dhe e pashpresë, teksa në shtator nisin kualifikueset e Ligës së Kombeve, ku Shqipëria duhet të përballet me Skocinë dhe Izraelin.

Mister, skuadra nuk funksionion, nuk arrin ta ndezë zjarrin, çfarë nuk shkon?
Asgjë kaq e rëndë dhe kaq katastrofike, sikurse duan që të duket. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, sepse skuadrës i kishte mbaruar benzina. Kishim shumë vështirësi, sepse ne nuk jemi Brazili apo Franca. Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan, Memolla gjithashtu, kishte 5 muaj pa luajtur. Ukraina kishte të gjithë lojtarët e Shaktarit dhe të Dinamos së Kievit, pra kishte tjetër cilësi. Në këto momente, nëse nuk rikuperojmë të gjithë lojtarët e rëndësishëm, vuajmë shumë. Jam mëse i bindur që kur të rikthehen futbollistët e rëndësishëm, ata që fituan në Turqi, ata që zhvilluan ndeshjen kundër Italisë dhe ata që gjuajtën drejt portës së Spanjës plot 15 herë, atëherë do të jemi konkurrues.

Kombëtarja e dy ndeshjeve të fundit nuk ishte e tillë. Pse duhet të mendojmë që do të përmirësohemi në të ardhmen, kur pas humbjes 3-0 me Kosovën, u mposhtëm 4-1 edhe me Ukrainën?
Sepse skuadra gjithmonë ka bërë mirë, sepse në fund të sezonit lojtarët ishin shumë të lodhur. Kishin pushuar për 15 ditë, pastaj erdhën në kombëtare. Nuk më pëlqen të shfajësohem, por bateritë kishin rënë plotësisht. Më vjen keq dhe jam shumë i zhgënjyer dhe i trishtuar si të gjithë shqiptarët, por është e pamundur që kjo të jetë ajo skuadër që fitoi me Turqinë. Kjo është krejt ndryshe, me shumë të rinj. Duhej të provoja shumë të rinj, të rrezikoja, që të shihja nëse dikush ishte gati për kombëtaren. Në shtator, kur të kthehen të gjithë lojtarët, skuadra do të jetë kompetitive.

3 ndeshje, 8 gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar. A nuk mendoni se është përkeqësuar shumë gjendja? Si mund të dilet nga kjo situatë?
Skuadra nuk ka bërë mirë në fazën mbrojtëse. Mavraj është një element shumë i rëndësishëm për ne, por në 5 muajt e fundit nuk ka luajtur. Edhe në mesfushë kemi humbur lojtarë të rëndësishëm, ndaj ishim të cënueshëm. Isha unë i pari, që e dija këtë. Por jam i sigurtë që kur të vijnë kualifikueset dhe të kthehen lojtarët, do të bëjmë shumë më mirë.

Keni ardhur me mendimin për të ndërtuar një skuadër sulmuese, por me ç’shihet, nuk kemi asnjë mundësi për të qenë të tillë?
Nuk kishim forcë, nuk kishim këmbë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Edhe ndaj Ukrainës luajtëm vetëm 20-25 minuta, më pas “black out” total dhe erdhi goli i parë. Duhet ta pranojmë situatën, duke shpresuar që të na kthehen shumë futbollistë.

Çfarë do të thotë e kritika e duhur?
Kjo e duhura dhe e ekulibruar, kur vlerësohen të gjitha situatat. Zhvilluam dy ndeshje negative, por ne nuk kemi 60 lojtarë. Kur na mungojmë vetëm 5-6 futbollistëve, shndërrohemi në një skuadër shumë më pak konkurruese. Ky është realiteti.

A mendoni akoma që kjo skuadër duhet të luajë në sulm?
Absolutisht po, sepse mendoj se është e drejtë të bëjmë kështu, kur të kthehet Grezda, kur Roshi të jetë mirë, Sadiku të jetë mirë dhe Manaj të jetë mirë. Do të provojmë të luajmë. Në këto dy ndeshje problemi nuk qëndronte te taktika mbrojtëse, apo sulmuese. Nuk kishim as kokën dhe as këmbët.

Je i trishtuar?
I keqardhur, sepse kemi humbur. Duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se, kur të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë një skuadër të mirë dhe do të provojmë të shkojmë në Europian.

Gazetarët pretendojnë se ndoshta nuk po merrni përgjigjet e duhura nga skuadra. A ju kuptojnë futbollistët?
Në këto dy ndeshjet e fundit ishte e vështirë, sepse ishin me pushime. Për mua ishte shumë e vështirë t’u ndizja dritën. Nuk ia dola, sepse u kishte mbaruar benzina. Gjithsesi, jam i bindur që skuadra më ndjek dhe se në shtator do të jetë krejt ndryshe.

Jeni shprehur se lojtarët kanë talent, kanë potencial, por kjo nuk po shihet…
Nuk është se nuk po shihet, por nuk kishim gjysmën e formacionit titullar. Ne jemi ekip kombëtar, por nuk kishim shumë lojtarë të rëndësishëm si Xhaka, Grezda, Memushaj, Basha…. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan dhe në nivel ndërkobëtar këto gjëra peshojnë shumë.

Të gjitha pyetjet lidhen për një mbrojtje me shumë probleme…
Në këto momente kemi shumë problem, sepse mund të bëjmë pak ndërrime. Kemi Ajetin, që nuk luan te Crotone, Veseli ka luajtur një ndeshje në muajin e fundit, Mavraj 5 muaj pa luajtur. Shpresoj që Mavraj të gjejë shumë shpejt një ekip të ri, sepse është shumë i rëndësishëm për ne dhe duhet të luajë.

Kështu siç po shkojnë gjërat, e ndihesh i rrezikuar?
Për momentin, absolutisht jo, sepse kemi ekulibrat e duhur për të kuptuar që në nëntor gjërat shkonin mirë, me Norvegjinë, brenda ndeshjes. Nëse mendojmë që duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë gabojmë gjithçka. Nëse jemi të gjithë të bashkuar, atëherë mund t’ia dalim. Mund të humbasim, edhe të fitojmë. Nuk e mendoj aspak këtë rrezik, jam shumë i bindur në punën time.

Si mund të humbasim 4-1 pa marrë një karton të verdhë?
Për këtë i pyeta edhe lojtarët në dhomat e zhveshjes. Pati shumë pak grintë, sepse lojtarëve iu mungonte forca. Kemi luajtur më mirë me Ukrainën se ndaj Kosovës. Ukraina është shumë më e fortë se Kosova, kjo na bën të kuptojmë shumë gjëra.

Por diçka mungon kësaj skuadre…
I mungonin 7 lojtarë.

Jo vetëm për sot…
Përkundrazi, në Turqi kishim “fenomenë”. Ishim një skuadër e madhe, që luante dhe dëfrente. Tani mungojnë 7 futbollistë nga ajo skuadër. Sot mungon gjithçka.

Pas miqësores me Kosovën ju u shprehet se mungon “zjarri”, futbollistët ndaj Ukrainës ishin më mirë fizikisht…
Jo, vetëm gjysmëorën e parë. Pastaj, skuadra nuk reagoi si duhet në kokë, por ky është një moment i veçantë i sezonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test