Brazili, përgjithnjë zotërues i Kupës së Botës (1970)

Futboll

Brazili, përgjithnjë zotërues i Kupës së Botës (1970)

Më: 31 maj 2018 Në ora: 11:40

84 vjet rreth planetit të futbollit botëror (1930-2018) (9)

Është hera e fundit në këtë cikël që do të përmend në titull emrin e Anton Mazrekut, mësuesit e pastaj kolegut tim në mikrofon, sepse  një ditë, fund-korriku të vitit 1969, në moshën 61-vjeçare, ai u  një hemorragji cerebrale, kur pas një ndeshjeje fëmijësh, sapo ishte kishte vënë këmbë  në shtëpi. U nda kështu nga jeta dhe nga futbolli. U nda më pak se  një vit para se të fillonte Botërori 9-të, që do të zhvillohej në Meksikë.

Unë dhe Ismet Bellova nuk do ta kishim më në mikrofonin sportiv të e Radio Tiranës, nuk do të kishim mundësi, veç të tjerash, të këmbenim mendime edhe për botërorët e futbollit, të cilat, ngaqë nuk kishim, as unë dhe as ai  ende televizorë,  vazhdonim t’i shihnim te miq që na prisnin krahëhapur.

Siç kam shkruar në faqet e këtij cikli, Mazreku ishte i pari gazetar që në faqet e “Sportit Shqiptar” të cilën  drejtonte, u dha mundësi shqiptarëve të njiheshin, së pari me zhvillimet e Olimpiadës së Berlinit, më 1936, që e ndoqi “ de visu”, siç thonë latinët, pra duke qenë vetë atje, dhe me  Botërorin te zhvilluar në Francë më 1938, por këtë radhë duke përzgjedhur informacione të huajtura nga agjencitë e huaja të lajmeve  dhe nga  zëri në Radio i komentatorit të madh italian, Nikolo Karozio.

Ai kishte qenë në vitet e Liceut të Korçës shok klase me Enver Hoxhën, kishte luajtur futboll në radhët e Skënderbeut më 1930 së bashku me Pilo Peristerin, i cili ishte bërë madje edhe kandidat  i Byrosë Politike. Dhe çuditërisht, as njeri, as tjetri  nuk u kujtua që t’i dërgonte së paku një  telegram ngushëllimi familjes, kur këtë diktatori e bënte për një bari që rastësisht e kishte njohur gjatë luftës. Mazreku po harrohej  si intelektual i brezit të vjetër, ndaj e kishin nxjerrë në pension të parakohshëm, kur nuk kishte mbushur ende 57 vjeç.

Sidoqoftë, ai mbetet midis nesh jo vetëm me krijimtarinë e tij si gazetar, publicist dhe komentator sportiv në mikrofon ,por edhe si shkrimtar dhe përkthyes. Këtë e dëshmon edhe libri “Fjala dhe heshtja”, botuar vitet e fundit  në Tiranë, ku përfshihet një pjesë e krijimtarisë së tij në këto fusha.

Kur i tregova Martelinit për këtë humbje të një njeriu kaq të respektuar në Shqipëri, edhe ai ndërmendi  mësuesin e tij, pra Karozion, që ishte shuar më 1987, por në moshën 77-vjecare. Dhe e kujtoi me dhembje për një arsye me të vërtetë të habitshme që të revoltonte.

“Karozio,-zuri të më shpjegonte Martelini, gjithnjë në një studio të Radio “Dimensione Sounos” më Romë”,- po komentonte në  një ditë qershori të vitit 1970 në TV ndeshjen Itali-Izrael, që zhvillohej në Meksikë. Ishte ndeshja e tretë dhe e fundit në grup që axurrët zhvillonin më grupin e tyre, ku bënin pjesë edhe Uruguai e Suedia. Ata kishin fituar me Suedinë 1-0, barazuar me Uruguain 0-0 dhe përpiqeshin të fitonin me izraelitët, që të mos përsëritej tragjedia koreane e katër viteve të shkuara në Angli. Dhe ja, pas një harkimi nga e djathta, Riva shënoi një gol shumë të bukur më kokë. Gjyqtari kryesor, braziliani De Moraes , bëri shenjë nga qendra, por anësori, etiopiani Tarakeng, lëkundi flamurin për jashtë lojë të Rivës. Atëherë  Karozio u shpreh: ”Po ky etiopini, ç’pati?”
Mirëpo qarkulluan zëra se Karozio paskësh thënë “Po ky zezakuc, (negrucio në italishte), $’pati kështu?”.

Nga ambasada etiopine në Romë arritën nota proteste  dhe si pasojë Karozion e pezulluan nga komentimi i mëtejshëm i botërorit meksikan, ku me ne ishte bashkuar edhe kometatori i ri, Bruno Picul, madje ky  mbeti edhe botërori i tij i fundit për të, sepse ai u tërhoq përfundimisht nga komentimet televizive”.

I shpjegova  Martelinit se më kujtohej fare mirë kjo ndeshje, por jo kjo shprehje. Edhe ai nuk kujtohej, sepse në atë kohë po komentonte një ndeshje  në  stadiumin e një qyteti tjetër meksikan.

Vetëm në qershor të vitit 2009, duke ndjekur në TV emisionin  “La Domenica sportiva”, që shihet edhe këtu në Amerikë, në një  speciale dëgjova zërin autentik  të Karozios në çastin e golit të Rivës, ku shfaqej shkoqur që ai  nuk kishte përdorur kurrfarë  shprehjeje  raciste ndaj anësorit etiopian. Ky qe dhe akti i rehabilitimit të Karozios, pas vdekjes, që Martelini nuk pati mundësi ta ndiqte, se edhe ai kishte mbyllur sytë më 2004.

Meqë e nisëm me Italinë, le të  vazhdojmë shtegtimin e saj. Ndeshja me Izraelin u mbyll 0-0 dhe kështu axurrët, me një gol në tri ndeshje,(!?) e hodhën lumin dhe u ndodhën në çerekfinale kundër meksikanëve  që “kishin përveshur mëngët”  për t’u të ngjitur në majat e këtij botërori të cilin  e organizonin vetë. Por mbetën të shkordhur kur pas autogolit të Guzmanit, italianët, si të kishin mall për gola, në këtë ndeshje zbrazën në portën e tyre  tre gola të tjerë, dy nga Riva dhe një nga Rivera dhe fituan papritur  4-1.

Në gjysmëfinale i priste skuadra gjermano-perëndimore, e etur më shumë se kurrë për fitore të përbotshme, që u dukej se ua ishte rrëmbyer nga dora anësori Bahramov, i cili kishte përligjur golin misterioz në finalen e katër viteve të shkuara në Londër, ku anglezët ishin shpallur kampionë të botës.

Por mbase nuk do të  kishin arritur në këtë gjysmëfinale, sikur Remsi, trajneri i përfaqësues angleze, të mos kishte bërë  një gabim fatal. Anglezët, deri në minutën e 50-të udhëhiqnin, me gola të Malerit dhe Pitërsit. Duke pandehur se “komedia” kishte mbaruar, u lejoi futbollistëve të luanin me ritme klasike, “adaggio”. Për më tepër, largoi nga fusha Bobi Carltonin që kësisoj  “ta ruante” në takimin e ardhshëm.

Jo pa ndihmën e Bonetit që kishte zëvendësuar në portë Benksin e sëmurë, gjermanët shënuan golin e parë me anë të Bekenbauerit dhe nëntë minuta para mbarimit, Zeeleri, duke përfituar nga një dalje e nxituar e portierit anglez, barazoi. Në shtesë ishte “oportunisti” Myler, që e kemi parë autor të të vetmit gol në portën tonë në shkurt të vitit 1971, (Shqipëri-Gjermani 0-1),  shënoi atë gol që u dha gjermano-perendimorëve  biletën të kalonin në gjysmëfinale. Kjo ishte hakmarrja e tyre për humbjen e katër viteve të mëparshme.

”Asnjë skuadër, e sidomos një skuadër e fortë si Anglia, duke udhëhequr 2-0,nuk duhej të humbiste,” deklaroi pas ndeshjes trajneri anglez Remsi.

Arritëm kështu në takimin gjysmëfinale Itali-RF Gjermane.

Më 2004, tre vjet para se të ndërronte jetë, Martelini shkroi një libër që i kushtohej kësaj ndeshjeje, ndoshta më dramatikja që është luajtur në ndonjë botëror dhe që për të cilën në hyrjen qendrore të  stadiumit “Acteka”,në Meksiko, është vënë një pllakë përkujtimore.

Por, edhe pa  lexuar këtë libër, ai që ka parë ndeshjen në TV, ruan emocione të jashtëzakonshme. Madje edhe vetë Martelini, sikur përjetonte sërishmi ato çaste që u kishte dhënë shikuesve italianë, midis të cilëve edhe shqiptarë, pra edhe mua.

Rezultati është 1-0 për Italinë deri në minutën e fundit të ndeshjes…Mirëpo gjyqtari meksikan, Jamasaki, e ka shtuar lojën më shumë se dy minuta!? Të mos harrojmë se atëherë ende nuk kishte hyrë në fuqi rregulli që minutat e shtesë njoftohen si  sot në stadium dhe në ekranet e TV-së.

“Ku dreqin e i gjeti ato të mallkuara minuta!”, – më thoshte Martelini gjatë bisedës,- të cilat i shqiptova edhe gjatë komentimit të ndeshjes. Dhe pikërisht në ato dy minuta,  fatlume për gjermanët dhe të mallkuara për ne, mbrojtësi Shnelinger, në një orvatje të dëshpëruar barazon. Shtesë loje…”
Janë pikërisht këto 30 minuta që e bënë këtë gjysmëfinale të pavdekshme. Mosmarrëveshje midis Poletit dhe portierit Albertozi. Shënon Myleri. (“E humbëm davanë,- më thoshte Martelini ,-teksa fjala më mbetej në grykë para mikrofonit”).

Dhe ja i vjen radha mbrojtësit Burgniç të barazojë, si Shnelingeri në fund të pjesës së dytë. Por është paqe e përkohshme. Të dyja skuadrat, sado të kapitura gjatë kësaj “Vaterloje”, luftojnë për fitore. Madje Bekenbaueri  i dëmtuar lufton me dorë të lidhur, sepse gjermanët i kanë bërë të dyja ndërrimet.(Është hera e parë në historinë botërorëve  që FIFA me rregullore lejon ndërrime).

Ndërkohë shënon Rivera.3-2. ”Më së fundi po fitojmë,- kujtonte Martelini”. Por odhiseja e golave nuk ka të sosur. Myleri me nuhatjen e tij prej gjahtari, barazon. Mirëpo Rivera nuk  lë kundërshtarët të gëzohen.S hënon golin e katërt, goli i ngadhënjimit”.

“Vetëm atëherë u kujtova se ky ishte fundi i fundit të këtij  orteku golash- pesë në gjysmëore ,pra pesë në çdo gjashtë minuta,- më tha Martelini përfundimisht për këtë ndeshje”.

Në këto radhë, si dhe në artikujt e tjerë të këtij cikli, kam përdorur shumë shprehje të marra nga shkrimet e mia, që kam botuar gjatë këtij botërori në faqet e gazetës “Zëri i Rinisë”, shkrime që, e përsëris, ashtu si më 1958 u botuan me nxitjen e Dhimitër Verlit, kryeredaktor dhe gazetarit të talentuar, Luan Dibra, shkrime që për kënaqësinë time, u ndoqën me vemendje lexuesit.(“Sporti Popullor” vazhdonte të botonte  ende kronika të marra nga nga buletinet e lajmeveve   ATSH-ja).

Ndërkohë, në çerekfinalet e tjera Uruguai kishte mundur më shtesë loje Bashkimin Sovjetik 1-0,  Brazili-Perunë, 4-2, (një nga ndeshjet më spektakolare të këtij botërori).

Në çerekfinalen e parë ndodhi një dukuri e çuditshme: Gjatë shtesës Esparago shënoi të vetmin gol, pasi topi, i pasuar nga shok skuadrës së tij, kishte kaluar bajagi  vijën fundore. Mbrojtësit sovjetikë, në vend që të ruanin Esparagon, ngritën dorën lart, për të sinjalizuar gjyqtarin, i cili, ”pa e bërë qejfin qeder”, drejtoi gishtin   tregues nga qendra. Në titullin e reportazhit  që  lexova atëherë për këtë ndeshje, në “Sovjetski Sport”, jo pa qortim për futbollistët rusë, shkruhej: “Kur gjyqtari nuk vërshëllen, loja vazhdon”.

Kështu në finale u ndodhën Brazili dhe Italia. Ishte një mbyllje e bukur e këtij botërori që zhvillohej për herë të tretë në një vend latino-amerikan sipas parimit të FIFA-së- një herë në Evropë dhe një herë në Amerikë. Them  e bukur, sepse ashtu si  Kili në prag të Botërorit 1962, edhe Meksika u përfshi pas Lojërave Olimpike  të zhvilluara në vjeshtë të vitit më 1968, nga  lëkundje të forta  tërmeti plagët e së cilës u mbyllën shpejt.    

Është e vërtetë që italianët qenë të telendisur nga 120 minutat e skëterrshme me gjermano- perëndimorët dhe shifrat 4-1 për Brazilin ishin ndoshta të tepruara në këtë finale, (pjesa e parë 1-1, pasi Boninsenja iu përgjigj golit të Pelesë). Por  pjesa e dytë nuk pati histori intriguese, sepse  brazilianët shënuan  tre gola të tjerë- Gerson, Zhairsinjos dhe në fund të mbrojtësi Karlos Alberto, që e mbylli me një “fortissimo” këtë finale.

“Italia nuk mund të bënte më shumë ndaj  një Brazili,që deri atëherë, ishte pa dyshim skuadra më e mirë e botës”,- më tha Martelini.- Sidoqoftë, skuadra dhe bashkë me të edhe unë, si komentator  i kësaj finaleje, si  dhe gjysmëfinales dramatike me Gjermaninë Perëndimore, u pritëm me brohoritje dhe lule të freskëta  në aeroportin e Milanos, dhe jo si$ ishin pritur paraardhësit tanë me fruta të  kalbura  pas katastrofës në Botërorin Brazil 1950”. 

   Më së fundi brazilianët kishin triumfuar duke përkryer skemën taktike 4-3-3, që anglezët e kishin përdorur më shumë zhdërvjelltësi në botërorin e kaluar, me  regjisorin B.#arlton, në 4-4-2. Në skuadër shkëlqeu jo vetëm Peleja, ndaj të cilit këtë radhë mbrojtësit kundërshtarë u treguan “kavalierë”, por edhe futbollistë të tjerë, nga mbrojtësi-sulmues, Karlos Alberto, mesfushorët Gerson e Rivelinjo  dhe pas Pelesë edhe Zhairsinjo e Tostao, në sulm.

Niveli teknik i futbollit të paraqitur në Meksikë, ishte më i lartë se ai i botërorit anglez, sidomos në aspektin  sulmues. Anglezët, kampionë të vitit 1966, shënuan gjithsej 11 gola, kurse brazilianët- 19!....

“Në këtë botëror rendimenti i skuadrave mund të kishte qenë edhe më i lartë, por ndikuan edhe kushtet atmosferike, madje edhe takanjose të klimës meksikane, me qershor shumë të nxehtë, sidomos për evropianët, aq më tepër, po të kihet parasysh edhe ajri i rrallë, për shkak të lartësisë së Meksikës  mbi nivelin mbi 2000 m mbi nivelin e detit dhe se shumë ndeshje u luajtën në mesditë, për t’ua lëshuar vendin ndeshjeve të toreadorëve,  shumë popullore në këtë vend.

Ndeshjet u zhvilluan nga 31 maj -21 qershor në stadiumet  e Guadalaharës, Leonit, Pueblës, qytetit Meksiko, stadiumi i të cilit Acteka” ka një nxënësi prej  104 mijë shikuesish, i dyti edhe sot pas stadiumet “Marakana” në Rio de Zhaneiro, me nxënësi prej rreth 200 mijë shikuesish, ku  më 1950 është zhvilluar finalja e famshme Brazil-Uruguai,(1:2).  

Duke fituar për të tretën  herë (1958,1962,1970), brazilianët u bënë zotëri të përhershëm të Kupës së Botës, të mbiquajtur, siç kam shkruar, Zhyl Rime, për nder të presidentit të FIFA-së, që ishte dhe nismëtar i kësaj veprimtarie  të madhe botërore

Rezultatet e fazës finale

Çerekfinale

Uruguai-B.Sovjetik 1-0, me shtesë loje

Italia-Meksika 4-1

Brazili-Peruja 4-2

RF Gjermane-Anglia-3-2

Gjysmëfinale

Brazili-Uruguai 3-1

Italia-RF Gjermane 4-3,me shtesë loje

Për vendin e tretë

RF Gjermane-Uruguai 1-0 

Finalja

Brazili-Italia 4-1

Brazili- Feliks ,Karlos Alberto,Piaca, Brito, Everaldo, Klodoaldo, Gerson,Rivelinjo, Zhairsinjo,Tostao, Pele

Italia- Albertozi, Burgniç, Rozato, Fera, Faketi, Domengini ,De Sisti, Bertini, (Juliano), Macola, Boninsenja, (Rivera).

Gjyqtar-Glëkner, (RD Gjermane)

Finale për vendin e tretë

RF Gjermane-Uruguai 1-0

Golashënuesi më i mirë- Myler, (RF Gj), 9 gola.

Ndeshje- 32

Gola-  95,92.97,( për ndeshje)

Shikues- 1.603.975,(50.124 për ndeshje)

Për herë të parë u zbatua rregulli i kartonit të verdhë dhe pas tij të kuq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat