Messi: Kroacia është me një stil si Spanja

Futboll

Messi: Kroacia është me një stil si Spanja

Më: 28 maj 2018 Në ora: 15:44
Messi

Argjentina është në grupin D së bashku me Kroacinë, Islandën e Nigerinë. Kombëtarja e Argjentinës vlerësohet prej favoritëve që mund të fitojë Kampionatin Botëror, që mbahet gjatë kësaj vere në Rusi.  Sulmuesi më i mirë në botë, Lionel Messi, ka fituar të gjitha trofetë e mundshme me klubin e Barcelonës, por me Argjentinën as Kupën e Amerikës së Jugut dhe as Kampionatin Botëror.

Synimi i ashtuquajturit jashtëtokësor është ta fitojë Botërorin, trofe që i mungon. Kapiteni i Argjentinës ka thënë se do ta shkëmbente një titull të Barcelonës për një trofe me ekipin kombëtar. 30-vjeçari u përfshi në finalen e humbur të Botërorit të kaluar në Brazil, ndërsa Messi nuk mundi të parandalonte as humbjet e finaleve të tjera në Kupën e Amerikës së Jugut, në vitin 2015 dhe 2016. Duke ardhur nga titulli në La Liga dhe “Copa del Rey”, çka e çoi në 32 numrin e tij të trofeve në “Camp Nou”, Messi është i dëshpëruar për të shijuar suksesin me të besuarit e Jorge Sampaolit.

“Do ta ndryshoja titullin e Barcelonës për një të tillë me skuadrën kombëtare. Fitimi i një titulli me Argjentinën do të ishte diçka unike”, tha Messi. Argjentina do të përballet me Islandën (16 qershor), Kroacinë (21 qershor) dhe Nigerinë (26 qershor). Dy herë kampionët botërorë, të cilët më së fundi e fituan garën e madhe në vitin 1986, kuotohen jo pak në “Rusia 2018” falë magjisë së Messit.

Dhe Messi pranoi se Argjentina është më poshtë se sa Brazili, Spanja dhe kampionët në fuqi, të Gjermanisë. “Kam besim të madh në këtë grup, jemi duke punuar shumë mirë, kemi lojtarë me shumë kapacitet dhe përvojë. Por ne nuk duhet të hedhim mesazhin se ‘do të jemi kampionë bote’, sepse jemi më të mirët. Në fakt, sepse realiteti nuk është kështu” ka thënë Messi. Duke folur në lidhje me grupin D, Messi lakon edhe emrin e Islandës: “Islanda ka një ekip, që e tregoi në kampionatin e fundit europian se është i vështirë për këdo. Kroacia ka një mesfushë, që luan shumë mirë, është me një stil si Spanja, por në nivel më poshtë. Nigeria gjithmonë na sfidon”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat