Me ndeshjen e Kupës së Kosovës që u zhvillua të dielën që e lamë pas, bie edhe perdja e kampionatit tonë. Ajo që shtangu të gjithë, ka qenë finalja e Kupës e cila ka thyer rekordin në aspektin negativ sa i përket shikueshmërisë, nuk kishte më shumë se 600 veta në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Trajneri i mirënjohur i futbollit, Afrim Tovërlani, i cili i takon gjeneratës së artë të Prishtinës, është shprehur kritikë për trajnerët nga Shqipëria, që punojnë në disa klubet e elitës së futbollit tonë. Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Tovërlani flet për cilësinë kampionatit të fundit, për gjasat e klubeve tona në garat evropiane dhe me çfarë syri i pa trajnerët nga Shqipëria dhe ku do të shkojë si trajner në edicionin e ri.
“Bota sot”: Përfundoi kampionati, si e ke parë në përgjithësi?
Afrim Tovërlani: E shoh si kampionat të mirë dhe me investime më të mëdha se vitet e kaluara por shumica e klubeve pretendente nuk patën strategji të mirë.
“Bota sot”: Kosova është vërshuar me trajner nga Shqipëria, Mirel Josa në Prishtinë, Sylejman Starova në Feronikel, Gugash Magani në Trepçë '89 e Blendi Shkëmbi në Liri, a sollën freski në klubet që drejtuan?
Afrim Tovërlani: Është mirë që erdhën dhe u bindem se çka munden të bijnë. Por ne fakt u dashtë të presim deri në përfundim për të thënë argumentet se nuk sollën asgjë të re përveç lojës defenzive, shpenzimeve më të mëdha, gjuhën e flasin më të artikuluar se ne dhe arsyetimet e lodhura. Pra shkurt nuk sollën diçka që nuk e kemi ditur apo pasur në Kosovë, pa keqkuptime.
“Bota sot”: FC Prishtina gjithmonë mbahet mend për lojë ofensive dhe jo defensive, është një formulë e Josës më shumë taktike?
Afrim Tovërlani: Prishtina si klubi më i madh në vend kurrë s’ka luajtur dhe nuk duhet të mendoj te luaj e frikësuar dhe me mënyra duke pritur ndoshta do ta fitoj ndeshjen. Në fakt kjo edhe i kushtoj me humbjen e titullit. Por janë kryesia e Prishtinës që duhet ta vlerësojnë vet. Megjithatë nuk mundet askush ti mashtroj tifozët në Prishtinë e Kosovë sa i përket lojës sepse e dijnë të gjithë se si duhet të luaj Prishtina.
“Bota sot”: Kosova ka shumë emra të njohur të trajnerëve, përse injorohen, a mos vallë janë të shtrenjtë?
Afrim Tovërlani: Nuk e di. U bë mirë që erdhën edhe homologët tanë dhe u bindem se sa munden dhe dijnë. Derisa nuk erdhën ka qenë e padrejtë të themi ndonjë gjë por tashmë në bazë të rezultateve dhe argumenteve mund të flasim. Dhe është arsyeja se sa dijnë kryesitë e klubeve tona të vlerësojnë punën e trajnerëve.
“Bota sot”: Drita në parakualifikime të Champions League e Prishtina në Europa League, ka shpresë për paraqitje më të mira se në edicionin e kaluar?
Afrim Tovërlani: Që të dyjave ju dëshirojë suksese. Drita si duket do ta ketë më lehtë nëse do të dij ta shfrytëzoj por edhe ka mundësin në rast eliminimi prapë të jetë në Evropa League. Prishtinës varet se kush do ti bjerë në short dhe varet si do të organizohen dhe transferimet që do të bëjnë. Shpresoj që të kenë rezultate të mira.
“Bota sot”: Finalja e Kupës, a ishte imazhi më i keq për futbollin tonë, që nuk u përcoll më shumë se 600 shikues, pra për herë të parë pasluftës më së paku shikues. A ndikojë cilësia apo tifozët ishin të revoltuar: Prishtina pa titull dhe Vëllaznimi bie nga elita?
Afrim Tovërlani: Po ishte pasqyra më e keqe prej se unë mbaj mend pavarësimin e futbollit. As para lufte kur kishim probleme nga policia serbe kjo nuk ka ndodhur. Unë mendoj se ishte dëshpërimi i dy tifozerive dhe mos licencimi i Vëllaznimit ka ndikuar që mos të ketë tifoz. Sikur të kishte te drejt ekipi gjakovar të luaj në Evropë mendoj që do të kishte shumë shikues. Por edhe me Prishtinën janë dëshpëruar qytetarët sepse u bë viti i 5-të që nuk e fitojnë titullin e kampionit.
“Bota sot”: Ku do të shkojë Afrim Tovërlani në edicionin e ri, për faktin se flitet se ka oferta nga disa klube?
Afrim Tovërlani: Do të shkoj aty ku do të ketë një planifikim, një strategji dhe aty ku dëshirojnë kupa. Nuk dua të shkoj ndokund veç hajt sa të jem trajner i ndonjë ekipi. Përndryshe do të rri dhe jo të bëhem trajner që mbyll birat e çdo kujt.