Çfarë po ngjan me Vllazninë?

Futboll

Çfarë po ngjan me Vllazninë?

Më: 28 maj 2018 Në ora: 13:36
Lojtarët e Vllaznisë

Fundi i këtij edicioni tregoi se ankandi për shitjen e aksioneve të Vllaznisë është i pashmangshëm. Deri më tani kuqeblutë kanë rezistuar për inerci në elitë, njësoj si i sëmuri që ka nevojë për sërumet që të qëndrojë në këmbë. Megjithatë ka ardhur koha e një operacioni të mirëfilltë dhe në Shkodër fati i skuadrës është i destinuar për të ndryshuar vetëm në rast ndryshimi në menaxhim. Koha ka treguar se në duart e bashkisë është e vështirë arritja e rezultateve dhe në duart e këtij institucioni kuqeblutë rrezikojnë të kthehen si Lushnja, ekip që menaxhohet nga bashkia dhe që Superioren e përdor si një ashensor, pasi në vitin e ngjitjes njeh vetëm dështim duke u rikthyer sërish tek inferiorët. Nuk është çështje buxheti, pasi për hir të së vërtetës Vllaznia e këtij edicioni është një nga ekipet me buxhetin më të lartë, nuk ka të bëjë as me faktin që mungojnë futbollistët cilësorë, pasi aty janë emra të njohur dhe të rinj premtues, pjesë e ekipit kombëtar të 21- vjeçarëve. Ajo që i mungon është një president, figura e një njeriu i cili shpenzon paratë e veta dhe për të cilat kërkesa e llogarisë është e madhe. Jeta e përditshme ka treguar se gjërat në një ndërmarje shtetërore është shumë e vështirë të funksionojnë dhe Vllaznia nën menaxhimin e bashkisë është shembulli më i keq. Për të ndryshuar kursin por mbi të gjitha për t’iu bashkuar elitës së futbollit në vend, duhet sa më shpejt privatizimi. Ankandi i klubit më të vjetër në vend është i paevitueshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat