Gjermanoperendimorët-kampionë të paparashikuar, Zvicër, (1954) (5)

Futboll

Gjermanoperendimorët-kampionë të paparashikuar, Zvicër, (1954) (5)

Nga: Skifter Këllici Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:10
Gjermania

Tregon Anton Mazreku...

Më 1964 së bashku me Anton Mazrekun shkruam një artikull të gjatë me titull “20 vjet futboll shqiptar” që u botua në  numrat  4dhe pesë  të revistës së përmuajshme  “Ylli”.(Partia e Punës, sic kam përmendur në shkrimin e parë, kushtuar botërorit uruguajan më 1930,vazhdonte të mohonte arritjet e hershme  edhe në futboll, kampionatet e të cilit kishin nisur të zhvilloheshin që më 1930). Aty, ndër të tjera u ndalëm te dy takimet e majit të vitit 1948 midis Përfaqësues së Tiranës dhe Përfaqësues së Budapestit. Takimin e parë e patën fituar hungarezët 2-1 ,kurse të dytin Tirana madje 3-1,me gola të Fagut me 11-metërsh dhe dy të Boriçit.

Pas disa ditësh, më 23 maj, skuadra jonë kombëtare barazonte 0-0 me një përzgjedhje të kombëtares hungareze. Ndonëse vetëm dhjetëvjeçar,  më kujtohen shumë mirë këto ndeshje. Tepër tërheqëse. Por vlerësimet e Mazrekut, që ishte 30 vjet më i madh se unë, ishin doemos shumë më të pjekura dhe mbi të gjitha profesionale

“Që futbolli hungarez ishte tradita, kjo dihej botërisht,-më tregonte atëherë, Mazreku.-Dhe pikërisht këto tradita po i shfaqte kjo skuadër e përbërë nga lojtarët të skuadrave më të mira hungareze, ”Ujpesht,”Vashash’”, MTK”.Por kur dy vjet më pas më 1950  u ndeshëm me përfqësuesen hungareze, pamë një skuadër me të ardhme shumë të madhe në futbollin botëror. Jo pse fitoi 12-0 kundër ekipit tonë, por sepse demonstroi një futboll që unë e kisha parë më 1939,kur Italia barazoi me Anglinë në Milano dhe në   takimet e tjera që axurret zhvilluan në Beograd me Jugosllavinë dhe në Bukuresht me Rumaninë, të cilat i fituan. Por theksoj  se humbja e thellë e skuadrës sonë u kushtëzua kryesisht nga gjendja e rëndë shpirtërore e futbollistëve, e shkaktuar nga arratisja e Bahri Kavajës dhe Bule Vathit,të cilët ,kur anija me të cilën udhëtonim për në Rumani po kalonte Bosforin,u hodhën prej në det , iu dorëzuan autoriteteve turke dhe kërkuan prej tyre strehim politik.”

Dhe ja kjo kombëtare, ku u shquheshin të rinjtë Pushkash,Cibor,Kocish,portieri Groshic,Bozhiku,Hidekguti  etj.,pasi fitoi medaljet e arta në Olimpiadën e Helsinkit më 1952, duke mos arkivuar që nga viti 1950 asnjë humbje,  e mbiquajtur nga vetë hungarezët “Araniskapt”,(skuadër e artë), zbriti në stadiunet e Zvicrës,për  të dëshmuar se “vezullimi i artë i saj do t’i lëbyrte kundërshtarët “.

Dhe vërët kështu ndodhi në këtë botëror të zhvilluar nga 16 qershor deri 18 korrik  1954 në Zvicër.Për herë të parë në një veprimtari të tillë u arrit që të katër grupet  të plotësoheshin me nga 4 skuadra, të cilat do të ndesheshin me sistem rrethi midis tyre dhe dy të parat e cdo grupi do të kalonin në fazën e cerekfinaleve, që do të luhej me sistem mënjanimi.Ndeshjet u zhvilluan në stadiumet e Bazelit,Bernës,Gjenevës,Lozanës,Luganos dhe Zyrihut.

Edhe ky botëror zhvillohej  në një klimë të acartë politike:Kur flakët e luftës ishin shuar në Kore,kishte shpërthyer  lufta  në Vietnam,ku në betejën e Dien Bien Fusë ushtria franceze pësoi disfatë të plotë dhe pas 80 vjet pushtimi kolonial u largua nga Vietnami.Sidoqoftë, u nda në paralelin e 17 ne dy pjesë:Vietnami i Veriut, i kontrolluar nga komunistët dhe i Jugut, nën ndikimin amerikan.

Por e papritura më e madhe e këtij botërori qe shfaqja e kamerave televizive që u dha mundësi miliona shikuesve të ndiqnin  për herë të parë  një ngjarje kaq të madhe sportive nga shtëpitë e tyre.

 

Vazhdon tregimin Nando Martelini dhe unë…

 

“Që Hungaria ishte favoritja e parë e këtij botërori.-më thoshte komentatori i njohur italian, Nando Martelini gjatë bisedës sonë  në Radio”Dimensione Suono” në Romë, këtë e dëshmoi fitorja   e saj  e bujshme ne në nëntor të vitit 1953 në stadiumin “Uembli” të Londrës  kundër përfaqësuese angleze 6-3 , e cila pas 90 vjetësh  pësonte humbjen e parë në këtë stadium legjendar. Por mbi të gjitha fitorja e dytë, këtë radhë 7-1 në Budapest.”

Ndonëse 15-vjecar,së bashku më bashkëmoshatarë të mi i kam parë dokumentarët hungarezë që u kushtoheshin këtyre dy ndeshjeve që tronditën botën e futbollit dhe bashkë me të autoritetin e futbollit konservator  anglez.

E vërteta është se, meqë në këtë botëror nuk merrte pjesë Bashkimi Sovjetik, njoftimet rreth tij në shtyp ishin të kufizuara,bile edhe në gazetën “Sporti Popullor”, aq më tepër që ajo botohej , si edhe shumë vjet më vonë, një herë në javë.

Nuk dija italisht dhe si pasojë ende nuk kisha nisur të dëgjoja transmetimet e ndeshjeve të futbollit nga RAI. Mirëpo fitoret  e Hungarisë që ishte vend komunist, për më tepër i drejtur nga stalinisti i tërbuar,Matias Rakoshi, që më 1956 gjatë revolucionit hungarez,i quajtuar atëherë “kundërevolucion”, ia mbathi në Moskë,filluan të njoftoheshin, ndonëse shkurtimisht në gazetat e përditshme “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi…Hungaria është e para në grup  ,por për vendin e dytë zhvillohet  një ndeshje suplementare midis turqëve dhe gjermano-perendimorëve,të cilën të parët, si të bënin një shtetitje turistike,  e fitojnë 7-2.

Në grupet e tjera fituese janë Brazili dhe Jugollavia,që lenë pas Francën dhe Meksikën,Uruguai dhe Austria që mënjnojnë Cekosllovakinë dhe Skocinë,Anglia dhe Zcicra që këputën cdo shpresë të Italisë dhe Belgjikës.

“Ishte dyta herë që axurrët ,pas dështimit më 1950, kur u mundën nga Suedia, pësonin po të njejtin fat në  botërorin zviceran,-vazhdoi bisedën Nando Martelini.-Po duhet pohuar se nëpër fushat  italiane të futbollit ende nuk po dukeshin futbollistë të talentuar që të zëvendësonin ata që kishin humbur më 1949 jetën në katastrofën ajrore te Supergës pranë Torinos.”

Në takimin e parë çerekfinale, Brazil-Hungari  ka me të vërtetë pasazhe virtuoze, por edhe  skena që pak ndryshojnë nga ndeshjet e mundjes.Gjyqtari anglez Elis, dëbon nga fusha hungarezin Bozhik dhe brazilianin Nilton Santos.Pastaj  dënon të dyja skuadrat me nga 11-metërsh që shndërrohen në gola.Hungarezët fitojnë 4-2,me shtesë loje, por beteja e nisur në fushë, bëhet edhe  më e ashpër jashtë saj. Madje Pushkashi që në këtë ndeshje nuk luan, i bën shenjë trajnerit brazilian, Moreira, duke i lënë të nënkuptojë se brazilianët janë mushka shkelmhedhëse.Moreirës i ngrihen  qimet drizë dhe i sulet Pushkashit, madje përleshet edhe me ministrin e hungarez të sportive, Sebesh. Vetëm ndërhyrja e policisë ul gjakrat.

Ky botëror dëshmoi edhe një herë se anglezët, që kishin shpikur futbollin, kishin nevojë jo të jepnin mësime por të...mësonin, për derisa u mundën nga Uruguai 4-2.

Në gjysmëfinalen tjetër Hungaria ka përpara pikërisht këtë  gjigand jugamerikan, i cili  ka ardhur për herë të parë në një botëror  evropian, që  të tregojë se jo më kot ka fituar më 1950 kupën, duke mposhtur Brazilin dhe ku, mu në në shtëpinë e vet!...Por uragani hungarez nuk ndalet as edhe në këtë ndeshje, ku për të përcaktuar fituesen, duhen përsëri 30 minuta shtesë. Përsëri 4-2 për Pushkashin me shokë.

Ndërkohë Gjermania, ndonëse jo pa vështirësi, mund së pari Jugosllavinë  2-0, pastaj shpartallon 6-1 Austrinë dhe ndodhet në finale më Hungarinë.

Ato ditë ne, nxënësit e vitit të tretë të gjimnazit “Qemal Stafa” sapo kishim filluar një aksion njëmujor  rinie që bëhej në fushat  e fermës së Kamzëz. Siç thashë më sipër, këtë botëror e ndiqnim vetëm nga lajmet e “Zërit të Popullit”, gazetë që na e lexonte për ditë  komandanti i aksionit, një riosh që ishte komunist i flaktë. Dhe i quante fitoret  e Hungarisë  fitore të kampit socialist kundër… kampit kapitalist! Mirëpo,kur lexoi  në gazetë se Hungaria ishte mundur nga Gjermania Perëndimore, sa nuk uluriti tërë pezm. Po këtu ndodhi e papritura. Një shok yni, biri i një profesori të nderuar matematike, po që ishte burgosur   më parë e pastaj kishte dalë i pafajshëm, brohoriti për fitoren e gjermanëve!..
“Pra, ti je me revanshistët gjermanë?! –iu kërcënua komandanti. U krijua një gjendje e nderë, se çështja u fut në... politikë, bile me zarar!..Por shoku ynë, pa iu dridhur qerpiku,  ia priti: ”Jo, mor vëlla, unë jam tifoz i skuadrës dhe jo i revanshistëve”- siç quheshin  qeveritarët  e atëhershëm gjermano-perendimorë dhe sidomos kancelari i tyre, Adenauer. Për fat të mirë, ky problem u mbyll.
Edhe sot e kësaj dite diskutohet për këtë humbje  të beftë të Hungarisë që duhej ta fitonte këtë botëror, se me të vërtetë ishte skuadra më i mirë e atyre viteve ,me 26 fitore radhazi. Për në tepër që hungarezët udhëhiqnin në dhjetë minutat e para 2-0, me gola të Pushkashit dhe Ciborit. Pritej kështu një festival golash, si në takimin e parë në grup, ku hungarezët kishin dërmuar kundërshtarët  8-3.Por trajneri Herberger,kishte marrë masa :Librihu mbulonte Pushkashin, Ekeli Hidegkutin,Për më tepër, Pushkashi, që na ishte edhe kolonel në ushtrinë komuniste hungareze, bënte ligjin. Ndaj, ndonëse ende i dëmtuar  me kokëfortësi kërkoi të luante në këtë finale. Si pasojë e udhëzimeve të rrufeshme të Herbergerit, pasardhësit e teutonëve barazuan.

 Kështu pjesa e për u mbyll 2-2.U duk se loja po shkonte drejt barazimit, për të kaluar në shtesë, që do të ishte vdekjeprurëse për Hungarinë e sfilitur. Por gjysma e dytë e kësaj pjese  ishte e tëra e markës gjermano-perëndimore, ku shquheshin  dy vëllezërit Fric dhe Oto Valter. Dhe pikërisht në gjashtë minutat e fundit ishte Rani ai që iu dha  atyre atë që quhet “colpo di grazia”,(goditje e vdekjes), duke i sjellë Gjermanisë Perëndimore fitoren e Kupës së Botës.

Pas takimit Pushkashi me shokë u ankuan për gjykim të njëanshëm, aq më tepër për  një gol në fund të lojës   që u quajt i pavlefshëm për jashtëlojë. Dhe i tillë ishte...

Gjermanët që udhëtuan me tren nga Zvicra,u pritëm plot hare në atdheun e tyre në  skajet më të largëta të të cilit, kjo fitore quhej e jashtëzakonshme. Dhe lavdia i takonte skuadrës  dhe kapitenit të saj Fric Valter.

Çfarë fati! Ish-futbollist i Kaizerslauternit para Luftës së Dytë Botërore, më 1942 ishte marrë ushtar, kishte luajtur në  skuadrën e repartin e tij, kishte përfunduar rob në një kamp përqendrimi dhe kur forcat sovjetike kishin çliruar atë zonë, tamam kur po dërgohej  në një gulag në Siberi, nga ku vështirë të kthehej gjallë, një nga rojat e kampit kishte deklaruar se ai nuk ishte gjerman,por… austriak. Sovjetikët e kishin besuar. Kështu Fric Valteri ia  kishte mbathur për në shtëpi, ishte kthyer sërishmi  në fushat e futbollit për t’u bërë në moshën 34- vjecare kapiteni i skuadrës kampione të botës!

Pas botërorit  gjërmanoperendimorët u akuzuan për përdorim droge.Por nga Gjermania erdhi  përgjigje qetësues .Ishte fjala për  një   epatit viral, sëmundje ngjitëse, që kishte prekur disa futbollistë  gjatë qëndrimit në Zvicër dhe që  vazhdoi më pas,  duke i detyruar ata që të kuroheshin me ilaçe. Në shtypin sportiv sovjetik,sic kam lexuar më pas, ky epatit viral u cilësua… drogë e përdorur nga futbollistët për të rritur më shumë aftësitë fizike. Por nga kjo epidemi u godit edhe Herbergeri, trajneri i skuadrës. “Mos ndoshta edhe ai paskësh përdorur drogë kur nuk doli në fushë tëluajë  kundër hungarezëve?- qe përgjigja që dhanë gjermano-perendimorët në shtyp. 

“Sidoqoftë, Hungaria ishte fituese morale e këtij kampionati,-më vuri në dukje Martelini gjatë bisedës.-Të mos harrojmë se në çerekfinale dhe gjysmëfinale  kundër Brazilit dhe Uruguait hungarezët, veç tensionit dramatik të krijuar në fushë, ata u detyruan të zhvillonin dy shtesa, pra plot një orë lojë më shumë se gjermanët, të cilat i rraskapiten fizikisht, kurse kundërshtarët e patën më të lehtë me Jugosllavinë dhe Uruguain.

Megjithatë, “fituesi nuk gjykohet”.

Pas revolucioni  të vitit 1956 që shpërtheu në Hungari, ”skuadra a  e artë” e bazuar   kryesisht nga futbollistë të skuadrës ushtarake “Honved”  të Budapestit  u shpërbë.Pushkashi dhe Kocishi u arratisen në Spanjë, ku i pari luajti me “Realin”, madje edhe me përfaqësuesen e Spanjës në Boterorin1962 në Kili.Kurse i dyti me “Barcelonën. U arratisën edhe të tjerë ndër të cilët portieri Groshic dhe mesfushori Bozhik.Por u kthyen në atdhe.Dhe nuk pësuan fatin e portierit tonë të madh, Qemal Vogli, që u arratis  po më 1956 në  Gjermaninë Perëndimore, por u kthye vetë dhe u dënua si tradhtar më shumë vjet burgim.   

 

Nga rezultatet e fazës finale:

Për vendin e tretë

Austri-Uruguai 3-1

Finale 

RF Gjerman-_Hungari 3-2

RF.Gjermane: Turek,Posipal,Kolmajer,Ekel,Librih,Mas,Ran,Morlok,Shefer,F.Valter,O.Valter,Shefer

Hungaria; Grosic,Buzanski,Lantosh,Bozhik,Lorant,Zakariash,Cibor,Kocish,Higdegkuti

Pushkash,Tot. 

Gjyqtar,Ling,(Angli)

Nga galeria e yjeve

Pushkash,Groshic, Hidegkuti,(Hungari),Fric Valter,Ran,(RF Gjermane),Zhulinjo,(Brazil),Boniperti,(Itali)

Ndeshje- 20

Gola-140,(5.36 për ndeshje)

Shikues-899.500,(34.212 për ndeshje)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat