Kupa, Skënderbeu synon trofeun e munguar. Laçi, “qershinë” mbi “tortë”

Futboll

Kupa, Skënderbeu synon trofeun e munguar. Laçi, “qershinë” mbi “tortë”

Më: 27 maj 2018 Në ora: 10:07
Skënderbeu

Sonte në mbrëmje, në orën 19:00 do të luhet edhe finalja e Kupës së Republikës që do të mbyllë sezonin futbollistik në Shqipëri, një sfidë ku përballë njëra-tjetrës do të vihen dy skuadra si Laçi e Skënderbeu, me kurbinasit e cilësuar si “ekspertë” të këtij trofeu pasi e kanë fituar dy herë në 4 vitet e fundit, ndërsa korçarët ende nuk e kanë shijuar triumfin në kompeticionin e dytë për nga rëndësia.

Por, duke parë verdiktet që ka dhënë kampionati i Kategorisë Superiore, duket se Skënderbeu do të tentojë të fitojë edhe të vetmin trofe që i mungon në “palmaresin” e klubit, e pse jo për t’i vënë vulën në mënyrën më të mirë të mundshme një sezoni të dominuar në fushat e blerta, për të pritur më pas mes ankthit vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.

Ilir Daja ka marrë një lajm të mirë përpara kësaj finaleje, që ka të bëjë me praninë e Ali Sowe në stërvitje, golashënuesit më të mirë të Superiores. Një tjetër sulmues i “ujqërve të dëborës”, James Adeniyi mund të jetë gjithashtu nga minuta e parë e lojës në “Elbasan Arena”. Nigeriani, në finalen e vitit 2015 do të shënonte në “Qemal Stafa” golin vendimtar që do t’i akordonte trofeun ekipit të Laçit, ndërsa sot do të bëjë të pamundurën që të mposhtë kurbinasit e të nxjerrë fitues korçarët.

Një tjetër aspekt për t’u veçuar është edhe Orges Shehi, portierin veteran të korçarëve, protagonist të të gjithë titujve kampionë me Skënderbeun, për të cilin kjo e sotmja mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën e 8 herë kampionëve të Shqipërisë.

Por, edhe Laçi nuk do mbetet pas. Pavarësisht se e ka garantuar pjesëmarrjen në Europa League përmes renditjes në kampionat, ekipi i drejtuar nga Gentian Mezani, edhe pse me shumë të rinj në përbërje, ka zhvilluar një futboll mbresëlënës, e ndoshta mbyllja e edicionit me një trofe do të ishte një fund tejet i lumtur për kurbinasit.

Në përballjet e drejtpërdrejta të këtij sezoni, gjithçka është në barazpeshë: dy fitore për Skënderbeun dhe dy për Laçin. Kupa e Republikës do të ndajë edhe fatet e këtij bilanci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat