Finalja e Kupës, Ilir Daja kërkon “bis” trofesh nga Skënderbeu i tij

Futboll

Finalja e Kupës, Ilir Daja kërkon “bis” trofesh nga Skënderbeu i tij

Më: 26 maj 2018 Në ora: 15:53
Ilir Daja

Nesër, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu do të përballet me Laçin, në përpjekje për të bërë “bis” trofesh, pasi ka fituar tashmë titullin kampion. Një ambicie profesionale, veç të tjerash, kjo edhe për trajnerin Ilir Daja.

Një ditë para sfidës me kurbinasit, që nga ana e tyre e synojnë për herë të tretë këtë trofe, Daja ka nënvizuar në një prononcim për “Supersport”: “Ky është sezoni i duhur për të bërë tripletën. Them kështu, pasi kemi arritur të fitojmë titullin kampion, ishim dinjitozë në grupet e “Europa League” dhe mund të fitojmë Kupën e Shqipërisë.

Kundërshtari i ditës së nesërme? Mendoj se cilido ekip, që do të dilte në finalen e Kupës së Shqipërisë, do të ishte për t’u vlerësuar. Laçi është surpriza e këtij kampionati dhe kjo jo për faktin që kapi Kupat e Europës, por sepse ka lojtarë të rinj me shumë prespektivë.

Kjo është një meritë e stafit të atij klubi. Mund të them se është ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për t’u fituar nga Skënderbeu, nëse do të jemi në maksimumin tonë. Skuadra jonë është e lodhur nga ky sezon i gjatë, bashkë me ta edhe ne.

Të gjithë duam ta shijojmë këtë finale dhe më pas të shijojmë pushimet. Jam krenar për arritjet e rezultateve, por kjo nuk ka ardhur vetëm nga Daja. Çelësi i suksesit është bashkimi i fuqisë së të gjithëve, nga presidenti deri te punëtori i fushës. Vetëm kështu shkon drejt suksesit në futboll”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat