Guri flet pas grumbullimit në Kombëtare: Realizova një ëndërr, Superioria po vjen në rritje

Futboll

Guri flet pas grumbullimit në Kombëtare: Realizova një ëndërr, Superioria po vjen në rritje

Më: 26 maj 2018 Në ora: 15:32
Sindrit Guri

Një ëndërr e bërë realitet për sulmuesin e talentuar Sindrit Gurin.

Pas kalimit te Ostende erdhi edhe ftesa në kombëtaren kuqezi për ish sulmuesin e Kukësit, autorin e 20 golave në këtë sezon të Superiores.

Për herë të parë nga salla e konferencave të kombëtares kuqezi në Zurich të Zvicrës, Guri nuk i fsheh emocionet për këtë ndryshim të madh në karrierën e tij.

“ Ishte një ndryshim i madh për vetë faktin se erdhi edhe ftesa në kombëtare por edhe transferimi tek ekipi belg Ostende. Ishte një vit shumë pozitiv për mua, pasi sezonin e kaluar nuk kisha shumë hapësira. Kam bërë mirë në këtë sezon. Kukësi këtë vit u dha mundësi aktivizimi lojtarëve më të rinj në moshë, unë e shfrytëzova momentin tim dhe ja ku jam, ndodhem në kombëtare dhe dua të jap maksimumin për këtë fanellë”.

Guri, Abazaj, Lilaj, Gavazaj dhe sëfundmi Selmani janë futbollistët e grumbulluar në kombëtare nga kampionati shqiptar për miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës. Sipas 24-vjeçarit rritja e cilësisë së Kategorisë Superiore është evidente.

“ Kampionati shqiptar ka një rritje, kjo shikohet edhe në Europë me performancat që ka bërë Skënderbeu por edhe Kukësi. Nëse ka rritje kampionati shqiptar pse të mos grumbullohen edhe lojtarë nga kampionati ynë siç ndodhi me mua dhe me Abazajn. Të tjerë lojtarë në të ardhmen që luajnë në kampionatin shqiptar mund t’i bashkohen kombëtares”.

Për kombëtaren Guri do të ishte i gatshëm edhe të sakrifikohej edhe pse dëshira e tij është një dhe e vetme.

“ Unë jam sulmues dhe dua të luaj si sulmues por për kombëtaren jam i gatshëm të sakfrikohem. Është trajneri ai që vendos”.

Në fund një mendim për skuadrën e vendlindjes së tij Vllazninë që u rrëzua në Kategorinë e Parë.

“Jam ndierë shumë keq në momentin që mësova se Vllaznia ra nga kategoria. Si shkodran ndihem vërtetë keq. Këtu në kombëtare jemi 4 lojtarë shkodranë dhe gjatë këtyre ditëve e kemi prekur shpesh temën e Vllaznisë. Nuk e kuptoj çfarë kuptimi mund të ketë kampionati shqiptar pa Vllazninë dhe Tiranën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat