Vjen reagimi i kryesisë së Vëllaznimit pas rënies nga Superliga

Futboll

Vjen reagimi i kryesisë së Vëllaznimit pas rënies nga Superliga

Më: 26 maj 2018 Në ora: 14:29
Vëllaznimi

Kryesia e Vëllaznimit ka dalë me një deklaratë në te cilën iu kërkon falje tifozëve për rënien në kategorinë e dyte të futbollit kosovar dhe duke kërkuar mirëkuptim nga ana e tifozëve.

Vëllaznimi ra nga Superliga e Kosovës pas humbjes ndaj Ferizajit në ndeshjen e barazhit te enjten.

Ky është reagimi i plotë i klubit te Vëllaznimit:

Drejtuar tifozëve të Vëllaznimitë

FJALË QË BUROJNË NGA ZEMRA

Në këto momente të rënda për klubin tonë, është tejet e vështirë të gjenden fjalë adekuate për t’iu drejtuar juve tifoz, simpatizant, dashamirë, të gjithë juve që e keni në zemër Vëllaznimin, pavarësisht se a jeni nga Gjakova, nga viset e tjera të Kosovës apo jashtë saj. Është vështirë të thuhet diçka e të mos duket si tentim për tu arsyetuar për këtë dështim të papritur dhe dëshpërues. Megjithatë ne kemi vendosur t’iu themi diçka, t’iu themi disa fjalë, disa fjalë që burojnë nga zemra, me shpresë dhe bindje të madhe se ju ato do ti kuptoni drejtë.

Që në fillim një kërkim falje të madhe të gjithë juve që ju shkaktuam hidhërim, ju shkaktuam zhgënjim, ju nervozuam dhe ju dëshpëruam. E dimë se kjo kërkim falje është diçka fare e vogël karshi dëshpërimit të madh që keni përjetuar, por të jeni plotësisht të sigurt se edhe na vetë nuk ndihemi aspak më mirë. Edhe na vetë jemi të indinjuar, të dëshpëruar dhe të thyer me këtë dështim.

Të gjithë na, me mbështetjen e juaj të pakursyer, që nga momenti kur kemi marrë detyrën aktuale, para rreth 4 muajsh, jemi munduar me mish e shpirt që të bëjmë më të mirën, që të konsolidojmë ekipin dhe shtabin teknik, që të përmirësojmë kushtet e punës për futbollist por edhe për ju tifoz, dashamirë dhe përcjellës të Vëllaznimit, që të fillojmë krijimin gradual të një Vëllaznimi të madh. Nuk jemi kursyer në asnjë moment që Vëllaznimi të bëhet emër i respektuar në futbollin kosovar e mbarëkombëtar, dhe kemi menduar se kemi bërë mjaft, por, siç doli në fund, është dashur të bëjmë akoma më shumë që të mos e përjetojmë këtë dëshpërimin përfundimtar. Mu për këtë arsye ju kërkojmë falje të gjithë juve.

Në këso situata, kur përjetohen këso dështimesh, për çdo kryesi të klubit, pra edhe për ne, më së lehti është të tërhiqemi, të japim dorëheqje. Nëse do të vepronim kështu, për këtë do të flitej një apo dy javë, e pastaj kjo do të qitej në harresë dhe ne do “të flinim rehat”! Mirëpo, mesazhet e shumta inkurajuese që nga ju i kemi marrë gjatë këtyre dy ditëve, ku kërkoni që të vazhdojmë punën e filluar, na kanë bindur se klubit dhe juve tifoz dhe dashamirë të shumtë të Vëllaznimit ua kemi borxh që mos të dorëzohemi, të angazhohemi me tërë qenien, që klubin tonë të zemrës, pas 12 muajsh ta shohim aty ku ishte deri para dy ditësh – në Super Ligë.

Shumë të bindur se përkrahja e juaj, sikurse edhe deri më tash, nuk do të na mungon asnjëherë, premtojmë se do të angazhohemi me tërë qenien tonë që Vëllaznimit t’ia kthejmë namin dhe shëndërritjen që e ka pasur me vite e dekada. Këtë e kemi kuptuar si detyrë tonën, por e kemi plotësisht të qartë se na vetëm, pa përkrahjen e juaj, nuk mund t’ia dalim, se e kemi të domosdoshme ndihmën e juaj, sepse bashkimi e bënë fuqinë.

Me premtimin e madh se Vëllaznimi shumë shpejt do të jetë aty ku e ka vendin se do të jetë klub për respekt, Ju ftojmë që të jeni pranë nesh, që të jeni pranë klubit tuaj të zemrës. Nuk thuhet rastësisht: nuk është i madh ai që nuk rrëzohet, por ai që kur të rrëzohet di të ngritët. Vëllaznimi do të jetë i tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat