Italia bën “bis” në Botërorin e Tretë, (1938)

Futboll

Italia bën “bis” në Botërorin e Tretë, (1938)

Nga: Skifter Këllici Më: 24 maj 2018 Në ora: 19:02
Pamje nga një ndeshje e 1938

88 vjet rreth planetit të futbollit, (1930-2014) (3)

Në  titujt e dy pjesëve  të  para të rrëfimit tonë për botërorët e futbollit, krahas Martelinit, komentatorit të njohur të RAI-t italian, kam shtuar  edhe emrin e Anton Mazrekut. Dhe jo më kot, sepse që nga kjo pjesë, edhe komentatori, publicisti dhe shkrimtari ynë i paharruar, do të jetë i pranishëm me kujtimet   e tij për botërorët e futbollit, deri më 1969, kur  papritmas u nda nga ne.

Teksa Martelini  gjatë bisedave më përmendi  disa herë Nikolo Karozion, komentatorin e parë të futbollit në EIAR, që pas vitit 1945 do të shndërrohej në RAI, i shpjegova se edhe unë me kolegë të tjerë, kishim pasur një mësues, që më 1 shtator të viti 1938, si$ e kam shpjeguar në pjesën e dytë, u bë shembull yni në kronikat  e ndeshjeve të futbollit nga mikrofonët e Radio Tiranës. Dhe ky ishte pikërisht  Anton Mazreku. Pra, katër vjet pas Karozios, saktësisht, më 1 shtator të vitit 1938.

Për botërorët e futbolli  Mazreku zuri të më rrëfente më 1961, një vit para se në Kili të zhvillohej Botërori i 7-të në Kili. Asokohe, gazetar në Radio Tirana, pata rast të shfletoja për herë të parë koleksionet  e gazetës “Sporti Shqiptar”, që botohej një herë në javë, drejtor dhe kryeredaktor  i së cilës  kishte qenë në vitet 1935-1939, vit kur u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Dhe jo vetëm drejtues, por edhe redaktor, korrektor, daktilografist, i ndihmuar edhe nga  kolegu i tij shkodran,  Luigj Shala, me krijime letrare të autorëve shqiptarë dhe të letërsisë botërore. .Dhe mbeta i befasuar kur pashë që Mazreku, krahas shkrimeve të mahnitshme që kishte shkruar për futbollin shqiptar dhe ndërkombëtar, për Lojërat  Verore Olimpike të Berlinit, më 1936,ku kishte qenë i pranishëm, kishte shkruar edhe për  Botërorin  të Futbollit  të vitit 1938!...

“Mjerisht,- më tha ai,- ndryshe nga Komiteti Organizues i Lojërave Olimpike të Berlinit që dërgoi ftesa edhe në Shqipëri për të marrë pjesë në këto lojëra,(në delegatët që për dy javë ndoqi këto lojëra bëja pjesë edhe unë),  asnjë zyrtar nga FIFA, nuk u kujtua që një delegacion nga Shqipëria të ishte i pranishëm në këtë veprimtari, ndonëse ajo ishte pranuar në gjirin e saj  që më 1932. Kësisoj, këtë botëror e ndoqa nëpërmjet radikronikave në italishte të Nikolo Karozios. Jo vetëm kaq, por, bazuar në to, lajmet e Radios italiane dhe njoftimet nga Agjensia Telegrafike italiane “Stefani”, ky botëror  u pasqyrua dhe në gazetën ”Sporti Shqiptar”.

Duhet vënë ne dukje se  botërori francez u zhvillua në një klimë të ashpër  që kishte përfshirë tërë Evropën. Dhe kjo sepse në Spanjë forcat e djathta, pas humbjeve në parlament, nisën Luftën Civile që e  drejtonte  gjenerali Franko. Vendet e demokracive perëndimore e bënë veshin shurdhër, kur forcat frankiste iu sulën republikanëve, edhe më ndihmën e Musolinit, që një vit më pas do të pushtonte Shqipërinë, dhe Hitlerit, i cili nuk priti gjatë, por që atë vit gllëbaroi Austrinë.

Për herë të parë FIFA vendosi që fituesja e Kupës së Botës dhe vendi organizues të uleshin drejtpërdrejt në sofrën e  kampionatit, pa kaluar telashet e ndeshjeve mënjanuese.

Ndeshjet u zhvillun në stadiumet e Antibës, Bordosë, Havrës, Lilës, Strazburgut, Tuluzës, Reimsit dhe Parisit.

Që në ndeshjen e parë axurrët, kampionë botërorë,  desh e pësuan nga norvegjezët diletantë, që, siç dukej, kishin sjellë me vete thëllimin e fjordeve.

- Veç shikuesve francezë,- kujtonte Martelini,- në stadiumin e Marsejës qenë të pranishëm edhe rreth 10 mijë  italianë, emigrantë politikë në Francë, për shkak të përndjekjeve nga regjimi fashist. Dhe kur panë   që para fillimit të ndeshjes axurrët, dhe krahas tyre edhe trajneri Poco në fushë,  bri skuadrës norvegjeze, sipas udhëzimeve të gjermanëve fashistë, përshëndeten me nderimin   “alla romana”, pra me dorën e djathtë të ngritur lart, në shenjë mosaprovimi  filluan të fishkëllenin. Vite më pas qarkulluan zëra se se Poco ka qenë fashist. Por nuk ishte e vërtetë. Ai jo vetëm  nuk kishte teserën fashiste, por më vonë  u dëshmua se kishte ndihmuar shumë të burgosur të forcave aleatet të arratiseshin dhe të hidheshin  gjatë Luftës së Dytë Botërore në Zvicër”. 

Por të kthehemi te ndeshja: po përfundonte pjesa e dytë dhe rezultati ishte…1-1. Mos po përsëriteshin lajtmotivet spanjolle dhe austriake, kur axurrëve iu desh të fitonin me shtesë loje? Por jo, ishte qendërsulmuesi Piola, i cili në fillim të  viteve ’40-të do të kishte në krah Boriçin tonë në radhët e “Lacios”, shënoi golin e fitores. Sidoqoftë, fitore… pa lavdi.

“Nga ndeshjet  më interesante,- më tregonte një ditë Mazreku,-Ishte ajo midis Brazilit dhe Polonisë, që e  ndoqa me shumë vëmendje  në radio. Duhet thënë se jehona e këtij botërori në Shqipëri ishte ende e vogël, sepse mungonin radiot dhe informacionet në shtyp. E  vetmja gazetë, sic thashë më parë, që  u përpoq t’i informonte sportdashësit, ishte “Sporti Shqiptar”, por edhe ajo me vonesë, sepse dilte një herë në javë. Ndeshja Brazil-Poloni, u zhvillua në Strazburg. Në shtypin botëror  shkruhej se brazilianët ishin  magjistarë të topit, veçanërisht qendërsulmuesi Leonidas, i cili, si të dëshmonte këtë, shënoi shtatë gola në këtë botëror, po aq sa edhe hungarezi Shengeler.

(Vite me pas, kur po shkruaja “Historia e futbollit”, ndërsa lexoja materiale të ndryshme nga libra, gazeta dhe revista të huaja, kam kujtuar këto episode të treguara nga Mazreku). Por, me sa shihej brazilianët me fjalën futboll nënkuptonin vetëm sulmin, sepse kundërshtarët mund të bridhnin e depërtonin  në mbrojtjen e tyre sipas qejfit.

    Pesë herë  u tund rrjeta e tyre nga golat e polakëve. Megjithatë, nuk u bë hataja, se  Leonidasi me topçinjtë e tjerë brazilianë shënuan gjashtë dhe dolën fitimtarë në këtë takim të begatë me gola.

Duhet thënë se më 1938 Martelini nuk ishte më kalama. Kishte mbushur pot 17 vjeç dhe, siç thuhet, kishin nisur “t’i dërsinin mustaqet”. Madje ,siç më tregonte, kishte këmbëngulur shumë dhe kishte arritur t’i bindte prindërit që  të shkonte më 1936 në Berlin, për të ndjekur lojërat olimpike dhe kishte parë  skuadrën axurra,  të fitonte medaljet e arta në turneun e futbollit të kësaj olimpiade, duke mundur Austrinë në finalen e zhvilluar në stadiumin Olimpik të Berlinit, madje  në prani të vetë Hitlerit.   Po ashtu si Mazreku ynë. Por ishte  skuadër  me profesionistë, që sipas rregullores duhej të lejohej të merrte  pjesë në olimpiadë, e cila dy vjet më pas, si$ do të shohim,  do të fitonte, edhe, botërorin francez.

Gjatë bisedës Martelini  ai u ndal edhe në ndeshjen midis Gjermanisë me Zvicrën. Në radhët e teutonikëve kishte edhe lojtarë austriakë, të cilët, ngaqë nuk mund të luanin për atdheun e tyre, Austrinë, tashmë e pushtuar nga ushtritë hitleriane, ishin të detyruar forcërisht të mbushnin radhët e skuadrës gjermane.

Takimi i parë, barazim 1:1…Por në takimin e dytë zviceranët u dhanë  gjermanëve një dajak të mirë  më shifrat 4-2. Lajmi i kësaj disfate arriti deri në Raishtag dhe hijet e dyshimit u zvargën te futbollistët e Austrisë së skllavëruar, që u  akuzuan për sabotim.

- Nga disa komentatorë,-  më tha atëherë  si me shaka Martellini,- thonin  se  kjo humbje, sikur i mbushi  mendjen Hitlerit që të braktiste  futbollin dhe të parapelqente që këtej e tutje të ndiqte vetëm sportin e tij të  preferuar…luftën!”.

Ndeshja  Brazil-Çekosllovaki qe ballafaqim midis dy shkollash të ndryshme, por me një tipar karakteristik- hijeshinë. 90 minuta prodhuan nga një gol për secilën palë. Po ashtu edhe shtesa prej 30 minutash. Vetëm në takimin e dytë Brazili  mposhti  2-1 nënkampionët e botës.

“Ndërkohë, në shumë qytete italiane,- kujtonte Martelini,- filluan festime .Kjo ndodhi kur skuadra axurra mundi në stadiumin “Kolomb” të Parisit Francën,  madje 3-1. Që nga ky takim francezët do të shkonin në fushë si macja me miu, ”traditë” që vazhdon edhe në ditët e sotme.

Dhe vala e këtyre festimeve u rrit edhe më shumë, kur pas disa ditësh, përsëri në Marsejë italianët mundën të gjunjëzonin Brazilin e Leonidasit. E vërteta është se  pas tri ndeshjes të zhvilluara brenda  një jave, ata  ishin tërësisht të raskapitur. Italianët fituan 2-1, me gola të Kolausit dhe Meacës. Por edhe ata u panë në fushë se ishin jo më pak të rraskapitur se kundërshtarët.

Kurse Anton Mazreku në bisedat që kisha bërë më parë me të, më sillte ndërmend takimet të tjera të botërorit francez, që kishte ndjekur nga komentet e Nikolo Karozios. Jo vetëm  kaq, por ai i kishte ndjekur edhe nga reportazhet të cilat i kishte lexuar në “La Gaxeta delo Sport”, e cila së bashku me gazeta e revista të tjera, vinte thuajse  $do  ditë me anije nga Bari në Durrës e që andej në Tiranë.

Këtyre kujtimeve u shtoja edhe unë ato që mbaja mend nga  botërori francez , pasi, ashtu si ai, që nga viti 1956 lexoja regullisht gazetën “Sovjetski Sport”,  ku  isha njohur  me artikuj, kushtuar botërorëve të futbollit, për të cilat do të flas në pjesët e tjera të këtij cikli.

Hungarezëve u duhej të kalonin një pengesë që fillimthi dukej e vështirë- Suedinë. Por  ia arritën qëllimit. Duke luajtur me  ngulm,s ikur të ishin të frymëzuar nga rapsoditë e Listit, fituan madje me rezultat që nuk e prisnin, 5-1.

Kështu në finale u ndodhën Italia dhe Hungaria.

Takimi zhvillohej në stadiumin”Kolomb” të Parisit. Në  bisedën  që patëm në Radio “Dimensine Suono”në Romë, më kujtohet që Martelini përmendi se nga shikuesit në fushë u prit me brohoritje ardhja e presidentit të Republikës franceze, Lebrun. Ndonëse nuk merrte fare vesh nga futbolli, ai kishte dëshirë që të nderonte organizatorët e botërorit dhe vecanërisht presidentin e FIFA-s Zhyl Rime, edhe ai francez.

Kur, duke buzëqeshur përmendi emrin e tij, edhe unë buzëqesha, se i rashë në të  se ku donte të dilte. Puna ishte se presidenti, me t’u ulur pranë  Rimesë, dukë hedhur  në fushë, pyeti me naivitet :”Cilët janë fracezët në fushë?”.

Merret me mend hutimi i presidentit të FIFA-s, i cili arriti për çudi ta nxirrte nga ky telash   veten dhe presidentin e Republikës franceze që kishte bërë këtë goxha gafë, duke i dhënë këtë përgjigje të mençur: ”Francezët, shkëlqesi, përfaqësohen në fushë…nga gjyqtarin”. Duke shqiptuar këto fjalë, tregoi në në fushë gjyqtarin Kapdëvil, që pr fatin e tij të mirë  të mirë ishte francez.
“Futbollin e kuptoj pak,- shpjegoi pas ndeshjes presidenti francez,,- por pashë që italianët  zhvilluan një ndeshje  të bukur..”

E vërteta është se “$ardashi” hungarez mbizotëroi në minutat e para, por ata që shënuan të parët ishin italianët me anë të Kolausit, madje qe në minutën e gjashtë. Por, pa kaluar një minutë entuziazmin e axurrëve e shoi Titkosi, që barazoi. Pastaj ishte Piola që shënoi golin e dytë. Hungarezët e mblodhën shpejt veten dhe bënë $’është e mundur të barazonin. Por harruan se kundërshtarët ishin mjeshtër të kundërsulmit dhe pikërisht atëherë kur shikuesit prisnin që ata të barazonin, Kolausi ua preu  nafakën duke shënuar golin e tretë.

Mirëpo, kur italianët ishin në delir, Titkosi ia kaloi topin Sharoshit, që shkurtoi rezultatin. Kjo ndodhi në pjesën e dytë. Dukej se gjithçka po përmbysej në fushë. Por ishte përsëri Piola që, duke shënuar golin e katërt, nënshkroi dhe fitoren e axurrëve, 4-2.

Kështu, ndonëse katër vjet të shkuara fitorja  e djemve të Vitorio Pocos, nuk kishte qenë shumë bindëse, për shkak te golave disi  të dyshimtë me Spanjën dhe Austrinë, këtë radhë kjo fitore, për herë të dytë e titullit kampion, ishte e përligjur.

”Përsëri festime në qytetet italiane,- kujtonte Martelini.- E midis tyre me çuna të tjerë të lagjeve të Romës, edhe unë.Por, mbi të gjithë fashistët  e Duçes që e quanin këtë sukses si ngadhënjim të tyre.” 

Kampionët patën në finale këtë përbërje:

Oliveri, Foni, Rava,Serantoni, Andreolo, Lokateli, Biavati, Maeca, Piola, Ferrari, Kolausi.

Hungaria: Sabo, Polgar, Biro, Salai,Suks ,Lazar, Sas, Vinceze, Saroshi, Zengeler, Titkos,

Gjyqtar-Kapdëvil, (Francë)

Golëshënuesi më i mirë:

Leonidas,(Brazil),8 gola.

Nga galeria e yjeve:

Piola, (Olivieri, (Itali), Sharoshi,(Hungari), Leonidas, (Brazil), Foni, (Itali), Guaia, (Brazil).

Tabela e rezultateve:

1/8 e finaleve

Itali-Norvegji 2-1

Zvicër-Gjermani 1-1,(me shtesë),takimi i dytë 4-2

Francë-Belgjikë 3-1

Hungari-Inditë Holandeze 6-0

Brazil-Poloni 6-5

Kubë-Rumani  3-3, (me shtesë),takimi i dytë 2-1

¼ e finaleve

Itali-Francë  3-1

Hungari-Zvicër- 2-0

Suedi-Kubë  8-0

Brazil-Cekosllovaki  1-1,(me shtesë),takimi i dytë 2-1

 

½ finale

Hungari-Suedi  5-1

Itali-Brazil 2-1

Finale  për vendin e tretë

Brazil-Suedi   4-2

Finale

Itali-Hungari 4-2

Ndeshje-18

Gola-84,(4.47 për ndeshje)

Shikues, 376.000,(21 mijë për ndeshje)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat