“Tërmet” në Tepelenë, kërkojnë stadium kombëtar!

Futboll

“Tërmet” në Tepelenë, kërkojnë stadium kombëtar!

Më: 22 maj 2018 Në ora: 15:01
Tepelenë

Njeriun e “fitoreve publicitare” në mesin e socialistëve, Tërmet Peçin e Bashkisë së Tepelenës e vizitoi këtë të martë kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili e konsideroi shembull sa u përket shërbimeve ndaj qytetarëve.

Por, duke lënë mënjanë politikën e lavdet që vartësi kishte ndaj eprorit, një kërkesë e çuditshme si një lëkundje e vërtetë tërmeti u shpalos gjatë fjalës së kryebashkiakut Peçi.

“Faktikisht këto duartrokitje nuk janë për mua, janë për komandantin (Ramën). Siç bëri këtë mrekulli, kryeministri të na bëjë edhe një stadium për të gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Emrin e vëmë si të duash, në do ‘Arena Ali Pasha’, apo si të duash”, do të shprehej mes të tjerash Tërmet Peçi.

Faktikisht, Gjirokastra e ka stadiumin e qytetit ku zhvillon ndeshjet Luftëtari, sikurse edhe Tepelena një fushë stërvitore të quajtur “Sabaudin Shehu”. Kërkesa për një stadium përtej të qenit lokal nënkupton të jetë bërë për një stadium kombëtar. Disi e çuditshme, edhe pse kurrë mos thuaj kurrë.

Në Shqipëri, aktualisht është duke u punuar për stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, pas shembjes së “Qemal Stafës”, ndërsa Kombëtarja kuqezi i zhvillon ndeshjet ndërkombëtare vetëm në dy stadiume që i plotësojnë kushtet e UEFA-s dhe FIFA-s, ai “Elbasan Arena” në qytetin e Elbasanit dhe “Loro Boriçi” i Shkodrës.

Kryeministri Rama nuk iu përgjigj kërkesës për stadium, por premtoi se në qershor do të nisë puna për një projekt specifik, siç është Ujësjellësi i Tepelenës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat