Djaloshit të Kosovës një herë ia thyen dorën me lopatë, pastaj me guri ia përgjaken kokën!

Futboll

Djaloshit të Kosovës një herë ia thyen dorën me lopatë, pastaj me guri ia përgjaken kokën!

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2018 Në ora: 11:52
Haxhimusa kështu dukej pas goditjes me guri në Gjakovë

Ndëshkimet duhen të jenë shumë të ashpra për secilin klub në Republikën e Kosovës, që lejon tifozët të futen në stadiume me lopata apo me gur, shishe të qelqit etj. Madje të ndëshkohen edhe me një vit suspendim nëse shikuesit shkaktojnë incident, kjo masë duhet të shërbejë për edicionin e ardhshëm dhe të ndalohen dukuritë e këqija.

Nuk është hera e parë që ndodhin skena të turpshme në futbollin tonë. Jeta e njeriut është mbi të gjitha, asgjë nuk është rezultati, fitove apo humbe ose luajte baras! Çfarë na duhen rezultatet kur nesër dikush na vdes në fushë për shkak se klubet nuk kanë njerëz adekuat në hyrje të stadiumit dhe t’i kontrollojnë tifozët se çfarë kanë me vete!  Gjërat e forta nuk lejohen të futen në stadiume sepse pasojat janë shumë të paparashikueshme. Kemi iks raste në vendin tonë.  Në vitin 2015, sulmuesi i Gjilanit Betim Haxhimusa ka qenë me fat të madh pasi që një përfaqësues i klubit Feronikeli (ekonom siç thuhej atëkohë), me lopatë e kishte goditur në dorë Haxhimusën.  Goditja kishte qenë fatale duke ia thyer dorën futbollistit.

I njëjti rast i ndodh sërish Haxhimusës, por kësaj radhe në Gjakovë dhe goditet në tjetër vend, jo në dorë por në kokë nga një guri i një tifozit të pandërgjegjshëm! Dhe përgjaket i tëri Haxhimusa! Atëherë, kjo dukuri duhet të parandalohet një herë e përgjithmonë në stadiumet tona.  Federata e Futbollit e Kosovës me komisionet përkatëse që ka, duhet të dal me vendime të ashpra dhe t’i paralajmërojë klubet me 1 deri në 3 vite suspendim pa shikues që të luajnë në stadiumet e tyre ose edhe me dënime më shumë se 15 ndeshje jashtë fushës së tyre deri 100 kilometra dhe t’i sanksionojë edhe me mbi 50 mijë euro gjobë! Turpi i fundit nuk tolerohet dhe duhet të jenë masat më të ashpra të mundshme për çdo klub që lejon në stadium të futen gur, çekiç, e gjësende të forta. Një gjë e tillë ndodhi të shtunën e kaluar në sfidën Vëllaznimi dhe Gjilani, e cila kishte përfunduar pa fitues (0:0).

 FFK duhet t’i paralajmërojë klubet tash e tutje apo për të ardhmen se vetëm një hedhje e një gjësendi të fortë në fushë suspendimi të jetë i rëndë qoftë edhe për një vit, ndryshe nuk vetëdijesohemi dhe nuk ka nevojë askush të ardhmen të përgjaket ose të bie edhe viktimë e gurëve, e shisheve të qelqit apo kush dreqi e di se çfarë bartin me vete tifozët. Nuk kemi nevojë të shohim skena trishtuese. Jeta e njeriut është më e vlefshme se çdo fitore, se çdo titull dhe se çdo gjë tjetër. Prandaj, edhe para disa viteve në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ në Prizren, nga një tifoz i pandërgjegjshëm ishte goditur në sy futbollisti i Trepçës ’89, Kushtrim Nebihu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat