Limani: Mezi po presim t’i qasemi garave të Champions-it

Futboll

Limani: Mezi po presim t’i qasemi garave të Champions-it

Nga: Kemajl Goca Më: 21 maj 2018 Në ora: 19:27
Ardian Limani

Qyteti i Gjilanit me rrethinë kremtoi suksesin e madh të Dritës! Drita është kampion i ri i Kosovës, ky është titulli i dytë për këtë ekip pas mevetësimit të futbollit tonë nga ai serbosllav. Për herë të parë Drita fitoi titullin në vitin 2003 dhe pas 15 viteve sërish solli këtë trofe në qytetin e Gjilanit. Tifozët ‘Intelektualët’ krijuan atmosferë për mbamendje deri në orën e vona të së dielës!  Në ndeshjen e javës së fundit, në derbin e kampionatit, Drita doli e pamposhtur (0:0) në duel me Prishtinën, e cila u zhvillua në stadiumin  “Shahin Haxhislami” në Pejë.

Drita zuri vendin e parë me 67 pikë, kësisoj u stolis me titullin e kampionit, kurse Prishtina renditet në vend të dytë me 64 sosh. Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, tha se puna e madhe dhe lojërat e mira janë edhe fryt që dolën kampionë. Ai është i lumtur jo vetëm për titullin, por edhe që do ta përfaqësojnë Kosovën në garën më prestigjioze të Champions League.

“Bota sot”: Drita pas 15 viteve fiton titullin e kampionit, ku ishte çelësi i këtij suksesit?

Ardian Limani: Pikë së pari kemi pasur një ekip tepër cilësore, pastaj harmonia në skuadër, stafi kualitativ, një kryesi tejet korrekte si dhe infuzioni më i madh ‘Intelektualët’! Lojërat e mira që kemi treguar janë dëshmi e meritës për këtë titull!

“Bota sot”: A e keni pritur një seri prej 29 ndeshjeve pa humbje?

Image

Ardian Limani: Të them të drejtën nuk kam menduar për të tilla rekorde, por e kemi ditur se jemi vështirë të thyeshëm, e atë që e kemi bërë është me mjaft meritë.

“Bota sot”: Sa ishte vështirë me Prishtinën dhe çfarë iu shqetësojë më shumë?

Ardian Limani: Prishtina është emër i madh, nëse kthehemi prapa e dimë se Prishtina është skuadër e ndeshjeve të mëdha! Ka kualitet dhe mendoj që vetëm detajet e vogla e kanë vendosur këtë çështje.

“Bota sot”: Tash Drita në Champions, jeni në emocione të mëdha?

Ardian Limani: Mezi po presim t’i qasemi këtij kompeticioni, është ndjenjë shumë e veçantë ta përfaqësosh Kosovën në këtë event!

“Bota sot”: Kujt ia dedikoni titullin?

Ardian Limani: Plotësisht i dedikohet ‘Intelektualëve’, por dua që t’ia dedikoj edhe familjes sime dhe gjithë atyre që më kanë përkrahur!

“Bota sot”: A ishte edicioni më i mirë deri me tash?

Ardian Limani: Sipas gjithë analistëve ishte kështu, e po kështu mendoj edhe unë! Ka qenë edicion i luftuar shumë dhe deri në fund gara e nxehtë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat