Maldini: Duhet kohë, ky Milan nuk ka asnjë krahasim me atë ekip

Futboll

Maldini: Duhet kohë, ky Milan nuk ka asnjë krahasim me atë ekip

Më: 19 maj 2018 Në ora: 18:59
Paolo Maldini

Milani do të luajë vendin e gjashtë në ndeshjen e fundit në shtëpi, kundër Fiorentinës, por pritshmëritë në fillim të sezonit ishin shumë më të larta. Paolo Maldini ka bërë një bilanc personal për sezonin e ekipit të drejtuar nga Rino Gattuso.

Siç është raportuar nga “Tuttosport”, ish-kapiteni i Milanit thekson vështirësitë e hasura nga “djalli”: “Pritej një situatë e komplikuar pas kalimit të pronësisë diku tjetër, mbas kaq shumë vitesh. Milani është bërë një makinë rekrutimi e shtrenjtë, që ka sjellë shumë lojtarë të rinj dhe kjo e ka vështirësuar krijimin e një ekipi solid. Rezultatet nuk janë aspak nga ato që shpresonim të gjithë në fillim të sezonit”.

Sipas ish-kapitenit, ky aktuali nuk ka krahasim me Milanin e Berluskonit: “Jo, sepse baza e ekipit, që pastaj bëri historinë, ishte tashmë atje dhe nuk ishte nevoja të revolucionarizohej grupi. Revolucioni i vërtetë ishte në nivelin e mentalitetit dhe strukturave”.

Një sezon i komplikuar për Donnarumma, që ka përfunduar në qendër të kritikave, pas gabimeve fatale kundër Juventusit. Maldini e sheh kështu këtë situatë: “Komunikimi është shumë i rëndësishëm. Sigurisht, Gigi ka pasur disa gabime dhe nuk e di se ku çalon problemi, që mund të sjellë këtë situatë. Kam keqardhje, sepse Donnarumma është një djalë aq i fortë, aq i ri dhe aq premtues, sa pritshmëritë e Milanit ndaj tij. Ai ka një raport të thyer tashmë me tifozët, një gjë që nuk është e mirë për askënd”.

Gjëja e vërtetë pozitive nga kuqezinjtë, sipas ish-kapitenit, ishte trajneri Gattuso: “Ai ishte një nga surprizat e pakta pozitive të sezonit. Përkatësia kuqezi dhe dëshira ishin në nivelet e njohura për të gjithë te Gattuso. Por, ka treguar se është një trajner i mirëfilltë tashmë.

Mendoj se përvojat jo të nivelit më të lartë në Seria B dhe C, Greqia dhe Zvicra, kanë zhvilluar shumë cilësi të tjera, që janë të panjohura për Rino. Në aspektin e personalitetit dhe komunikimi, Gattuso ishte shumë mirë, por mendoj se e ndihmoi edhe përvoja e fituar në Pisa dhe në Greqi”.

Sipas Maldinit, Milani do të marrë kohë për t’u kthyer në nivelet e larta: “Ne kemi nevojë për disa kohë, që të shohim Milanin që gjithmonë kemi pasur. Kjo ka të bëjë edhe me njëlloj të caktuar mentaliteti, që tani është pak i humbur. Juventusi, pasi nuk ka ndryshuar pronësinë, arrin ta ruajë këtë cilësi gjatë viteve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat