Superiorja, Vllaznia “dehet” nga goli laçian, e pëson nga Kukësi

Futboll

Superiorja, Vllaznia “dehet” nga goli laçian, e pëson nga Kukësi

Më: 19 maj 2018 Në ora: 16:44
Superiorja

Teuta, njëra prej të rrezikuarave pranë zonës së ftohtë të renditjes së Kategorisë Superiore, e ka nisur ndeshjen e saj të javës së parafundit vrullshëm, duke shënuar që në minutën e parë ndaj lushnjarëve, që e kanë prerë prej kohësh biletën për rikthim në Kategorinë e Parë.

Për durrsakët shënoi Amadu dhe, pavarësisht barazimit të përkohshëm nga Sefa për Lushnjen, “djemtë e detit” kaluan sërish në epërsi me anë të Beqjas, kur ka kaluar më shumë se gjysmë ore lojë nga pjesa e parë e ndeshjes.

Rezultati ka ndryshuar shumë shpejt, vetëm pas dy minutash lojë, edhe në Kamëz, aty ku vendasit ndeshen me Laçin me objektiva të kundërta; kamzalinjtë për mbijetesë dhe kurbinasit për zonën e kupave të Europës.

Goli i shënuar nga Reginaldo për laçianët vjen si “ogur i mirë” edhe për tifozët në “Loro Boriçi”, të cilët ndonëse janë duke ndjekur ndeshjen mes Vllaznisë dhe Kukësit, janë gjithë sy e veshë nga Kamza për të mësuar fatet e këtij takimi. Fatkeqësisht, “shpërqëndrimi” ndoshta ka prekur edhe lojtarët në fushë, me shkodranët që kanë pësuar gol nga Kukësi.

Në rast fitoreje të Kamzës, shkodranët do të binin zyrtarisht në Kategorinë e Parë, por duket se përpara se të luten për dhurata nga të tjerët, duhet të bëjnë detyrat e veta deri në fund.

Në ndeshjet e tjera, Partizani ka kaluar në avantazh ndaj Flamurtarit, me gol të Abdurahimit, ndërsa Luftëtari-Skënderbeu është në shifra të barabarta 1-1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat