Zylbehari: Ky titull do të jetë historik për Shkëndijen!

Futboll

Zylbehari: Ky titull do të jetë historik për Shkëndijen!

Nga: Kemajl Goca Më: 18 maj 2018 Në ora: 18:26
Faton Zylbehari

E diela e 20 majit është festë futbolli në qytetin e Tetovës, jo vetëm në Tetovë, por kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët i gëzohen suksesit të madh të Shkëndijes. Shkëndija është kampion i ri i Maqedonisë, madje bindshëm renditet e para, me 88 pikë apo ka 32 më shumë se Vardari i Shkupit që është në pozitën e dytë. Shkëndija me kryetrajnerin e palodhshëm Qatip Osmanin, për 35 ndeshje ka shënuar 28 fitore, 4 barazime e pësoi 3 humbje, me goldallim 97:27.

Përveç kësaj Shkëndija është në finalen e Kupës së Maqedonisë, po ashtu futbollistët e saj, si Besart Ibraimi me 23 gola e kapiteni Ferhan Hasani, i njohur si “Buba” me 20 gola, prinë në listën e shënuesve. Kuqezinjtë, klubi më i organizuar shqiptar,  të dielën do të përmbyllin kampionatin në mënyrë më të mirë, që sipas zëdhënësit të saj, Faton Zylbehari, është titulli historik, për arsye se asnjë skuadër e këtij vendi nuk ka arritur me aq shumë pikë dallim të jenë në vendin e parë.  Ky është titulli i dytë në histori të klubit kuqezi, por në këtë edicion ka dominuar në të gjitha frontet. Në intervistën ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, Zylbehari tregon për atmosferën dhe si janë përgatitur për ta festuar titullin e kampionit në qytetin e Tetovës, që jeton me futbollin. 

“Bota sot”: Të dielën (me 20 maj) Shkëndija kremton titullin e kampionit, cila është risia apo befasia për të gjithë?

Faton Zylbehari: Nuk di nëse mund të them befasi apo diçka tjetër, por ju bind se është duke u përgatitur një festë e madhe, spektakël me koncert në qendër të Tetovës, ku gjithsesi kryefjala e mbrëmjes do të jenë futbollistët, stafi teknik dhe kuptohet trofeu për titullin e kampionit. Do të performojnë yje të muzikës shqiptare që pritet të zbukurojnë manifestimin. Në këtë drejtim na duhet pak ndihmë nga publiku për të ardhur në numër sa më të madh, por nuk dyshoj se kjo do të mungojë dhe besoj se të dielën gjithë ata që do të vendosin t’i bashkohen festës së Shkëndijës do të shijojnë një mbrëmje spektakolare.

Image

“Bota sot”: Me 20 maj kundër Pelisterit, me të cilën skuadër takoheni edhe në finalen e Kupës së Maqedonisë, a është një test për trajnerin Qatip Osmanin për të parë formën e rivalit?

Faton Zylbehari: Me respektin maksimal për Pelisterin, por më 20 maj në qendër të vëmendjes do të jetë titulli i kampionit i fituar në mënyrë bindëse nga Shkëndija. Protagonist do të jenë futbollistët kuqezi, tifozeria jonë në krye me “Ballistët”, ndërsa më pas festa që planifikojmë në qendër të qytetit. Sigurisht se nga stafi teknik kemi paralajmërime vazhdimisht se kampionati do të respektohet maksimalisht deri në fund dhe për këtë presim një tjetër performancë të bukur nga ekipi ynë për të mbyllur sezonin ashtu si na ka hije në stil kampioni.

“Bota sot”: Besart Ibraimi prinë me 23 gola në listën e shënuesve, Ferhan Hasani ka 20 sosh, Shkëndija kampion i ri dhe a besoni se do t’i mbledhë të gjitha trofetë e mundshëm?

Faton Zylbehari: Po më shumë se sa besojmë ne jemi munduar të punojmë për të arritur t’i bëjmë tanët trofetë që po përmendni. Ky titull do të jetë historik për mënyrën se si ekipi e rrëmbeu, duke qenë lider nga dita e parë e deri në të fundit. Fitorja eventuale xhiron e fundit me Pelisterin do të na çonte përtej kufirit të 90-të pikëve, jemi 32 pikë para vendit të dytë, që është epërsia më e madhe që një kampion ka arritur ta krijojë në historinë e futbollit të Maqedonisë, tre gola na ndajnë nga kufiri i 100 realizimeve brenda një sezoni, ndërsa vetëm Ibraimi, Hasani dhe Junior bashkërisht kanë shënuar 53 gola, një më shumë se komplet ekipi i dytë në renditje. Jemi në finale të Kupës dhe gjatë rrugës drejt ndeshjes për trofe kemi eliminuar ekipe të forta si Vardari, Rabotniçki e Renova, që në vete flet për cilësinë dhe lojën bindëse që ka shfaqur skuadra. Një ekip me këto parametra, sigurisht se meriton të merr gjithë trofetë e mundshëm. Ndërsa ju kujtoj se këtë vit historik e bën edhe fakti se përveç ekipit të parë, në situatë të njëjtë jemi edhe në pjesën më të madhe të kategorive të reja ku vendi i parë në kampionat bashkohet me trofeun e Kupës.

“Bota sot”: E diela është ditë feste e futbollit, por tifozët ‘Ballistët’, a kanë paralajmëruar diçka të veçantë?

Faton Zylbehari: Po patjetër. Kjo është festë e tyre, pasi gjithmonë janë pas ekipit dhe të konfirmuar si lojtari i 12-të. “Ballistët” ka kohë që janë duke u përgatitur për këtë datë të shënuar në historinë e klubit dhe as mos dyshoni se spektakli nga ana e tyre në tribuna do të jetë i garantuar. Normal për detaje nuk është mirë të flitet, pasi do të humbej ekskluziviteti i asaj që pritet të ndodhë gjatë performimit të tyre në tribuna. Normal apeloj me këtë rast që sa më shumë tifozë apo spektatorë të vijnë të dielën në stadium për të ndihmuar edhe “Ballistët” të realizojnë planin dhe koreografitë e tyre.

“Bota sot”: A është synimi i Shkëndijes të shënon vetëm tre gola ndaj Pelisterit dhe ta rrumbullakojë kampionatin me 100 gola të realizuara?

Faton Zylbehari: Personalisht prej në gjysmën e sezonit jam duke bërë këtë llogari dhe kam besuar fuqishëm se do të ndodh. Tani kur jemi vetëm 3 gola larg shifrës 100 na lejon edhe statistika të besojmë në një gjë të tillë, pasi Shkëndija këtë sezon ka një mesatare prej 3 golave në ndeshje. Stafi teknik gjithmonë e përsërit se statistikat jo se nuk janë të rëndësishme por në këtë moment nuk janë në plan të parë, por besoj se secili prej neve në Shkëndijë dëshiron të realizojmë këtë tanimë kur jemi kaq afër,

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat