Hyseni: Në Gjakovë përveç fitores na konvenon edhe barazimi

Futboll

Hyseni: Në Gjakovë përveç fitores na konvenon edhe barazimi

Nga: Kemajl Goca Më: 17 maj 2018 Në ora: 19:24
Ergon Hyseni

Ballafaqimi mes Vëllaznimit nga Gjakova dhe Gjilanit, është sikurse një finale sepse do të përcaktohet se cila do t’i shmanget barazhit. Gjilani renditet në vend të tetë me 45 pikë, kurse Vëllaznimi është një pozitë më poshtë me 43 sosh pas 32 jave të luajtura në elitën e futbollit.  Vëllaznimi me fitore siguron mbetjen në elitë, pra shmang edhe barazhin, kurse Gjilanit i duhet vetëm një pikë. Të shtunën në orën 16.00 pritet stadiumi në Gjakovë të jetë i stërmbushur me shikues dhe të shohin ndeshje të luftuar deri në pikën e fundit. 

Vëllaznimi apo Gjilani, cila do të mbetet në barazh, do të ndeshet me Ferizajn që zënë pozitën e tretë në Ligën e Parë të Kosovës. Futbollisti i Gjilanit, Ergon Hyseni, shprehet optimist para kësaj sfide dhe sipas tij, është paksa e favorshme për skuadrën e tij. “Fatkeqësisht është një finale kjo ndaj Vëllaznimit, por kjo sfidë është paksa e favorshme për ne, shkaku se dihet përveç fitores na konvenon edhe barazimi. Sido që të jetë në këtë ndeshje do të futemi maksimalisht për fitore”, tha Hyseni. A jeni në presion të kësaj sfide kur dihet se stadiumi pritet të mbushet përplot shikues?

“Nuk e kemi problem nëse stadiumi do të jetë i mbushur me shikues, nganjëherë janë motiv shtesë, por pres që edhe tifozët tanë ‘Skifterat’ të vijnë në Gjakovë e të na përkrahin. Sa i përket pikës, ne udhëtojmë për tri pikë, por edhe ajo pikë do të ishte e mirëseardhur”, thotë ai. A është dëmtuar Gjilani dhe për sa pikë, si dhe si ka ardhur deri këtë pikë që të rrezikohet të bie në barazh?

“Nuk e di nëse me takon mua të gjykoj se a jemi dëmtuar a jo, por nuk dua të shkoj me larg se në derbin e qytetit mes Dritës, janë dëshmitarë e gjithë Kosova se çfarë referimi pati me ato ndërhyrjet brutale!”, përgjigjet Hyseni. “E mora ndeshjen ndaj Dritës si shembull që të kuptohet që jemi faktikisht të dëmtuar në shumë e shumë ndeshje. Po besoj që disa probleme të më hershme shkaktuan këtë pikë të rrezikshme!”, tregon Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat