Gjyqtari i Arabisë Saudite përjashtohet nga Rusi 2018

Futboll

Gjyqtari i Arabisë Saudite përjashtohet nga Rusi 2018

Më: 17 maj 2018 Në ora: 16:54
Fahad Al-Mirdasi

Nuk ka Botëror për Fahad Al-Mirdasi: nuk është një yll, të cilit do t’i ndiejmë mungesën, por arbitri saudit i njollosur në vendin e tij për korrupsion dhe i përjashtuar përjetësisht nga ky profesion. Skandali kishte shpërthyer që një javë më parë, kur federata e vendit të tij e kishte pezulluar përkohësisht në pritje të hetimeve dhe FIFA kishte njoftuar se vendimi nuk do të ndikonte në pjesëmarrjen e bilbilit arab në Rusi 2018.

Por, Federata e Arabisë Saudite i ka kërkuar FIFA-s përjashtimin e tij nga Botërori dhe përjetësisht nga arbitrimi. Me të përfunduar hetimet, për AlMirdasin erdhi dënimi, edhe për faktin se ishte vetë gjyqtari 32-vjeçar që e pranoi krimin: Al-Mirdasi kishte kontaktuar presidentin e Al Itihadit, Hamad Al-Sania, pak përpara finales së Kupës së Mbretit kundër Al Faisalit me kërkesën e parave në këmbim të favoreve për skuadrën e tij. Mesazhet e “whatsapp”, të përcjella policisë nga vetë Al Senaie, u konfirmuan nga Al Mirdasi, i cili ishte zëvendësuar nga gjyqtari anglez, Mark Klatenburg, përpara finales së të shtunës së shkuar. Më pas, ai u pezullua nga federata saudite dhe tani do të humbasë edhe Botërorin, i cili do të ishte i pari në karrierën e tij, pas provës gjenerale që bëri në Kupën e Konfederatave.

“Pas emërimit të arbitrit Fahad Al-Mirdasi (gjyqtar i FIFA-s prej 2011), për të drejtuar ndeshjen e finales së Kupës, zoti Hamad Al-Sania, presidenti i klubit Al-Itihad, iu adresua Federatës Saudite të Futbollit”, thuhej në deklaratën e kësaj të fundit. “Ai konfirmoi se kishte prova që nënvizonin se Al-Mirdasi i kishte ofruar ndihmë në këmbim të parave. Pasi, presidenti i Itihadit i prezantoi atë që kishte në dispozicion federatës, kjo e fundit e dërgoi bisedën te presidenti i Drejtorisë së Përgjithshme të Sporteve, i cili njoftoi më pas të gjitha autoritetet kompetente në detaje. Al-Mirdasi u arrestua dhe prej atëherë ishte nën hetim administrativ. Pas përfundimit të hetimeve,  Federata Saudite mori në dorë- zim raportin e autoriteteve kompetente, të cilat provuan akuzën kundër gjyqtarit pas pranimit të tij personalisht të kërkesës për ryshfet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat