Te Shkëndija apo Renova presioni?

Futboll

Te Shkëndija apo Renova presioni?

Më: 16 maj 2018 Në ora: 12:15
Ilustrim

Shkëndija nga Tetova sot në orën 16:15 janë ‘mysafirë’ të Renovës në Tetovë, ndërsa kjo ndeshje si për futbollistët ashtu edhe për publikun do të jetë parapërgatitje për festën e 20 majit kur Shkëndija do të pranojë trofeun e titullit të kampionit.

Shkëndija të mërkurën zhvillon ndeshjen e parafundit të këtij sezoni historik në të cilin kuqezinjtë dominuan kampionatin nga dita e parë. Ekipi do të jetë ‘mysafir’ i Renovës në stadiumin e qytetit në Tetovë në kuadër të xhiros së 35-të në një duel ku kuqezinjtë pretendojnë fitore, por pikët nuk kanë kurrfarë rëndësie pasi titulli është siguruar shumë kohë më parë, ndërsa presioni është te Renova që ende ka rrezikun e mbijetesës.

Pas fitores së fundit me Skopjen në Tetovë, Shkëndija është përgatitur për duelin me rivalin lokal, ndërsa duke kërkuar të respektohet në mënyrë profesionale deri në fund kampionati stafi teknik paralel përgatit ekipin për ndeshjen më të rëndësishme të kësaj faze, finalen e Kupës me Pelisterin më 23 maj.

Në kushte të këtilla për kuqezinjtë dy duelet e fundit janë mundësi për të festuar titullin e kampionit dhe pritet që të mërkurën publiku të nisë parapërgatitje për atë që pason xhiron e fundit më 20 maj në Tetovë. Shkëndija nuk ka problem me mungesa në formacion, pasi gjithë futbollistët janë të gatshëm për lojë, ndërsa para ndeshjes do të vendoset formacioni startues që takimet e fundit përjetonte vazhdimisht rotacion.

Shkëndija këtë sezon në tre përballjet kampionale ishte bindëse përballë Renovës (fitore 2:0, 6:1 dhe 5:0), ndërsa eliminoi rivalin lokal edhe në gjysmëfinale të Kupës kur ndeshja e parë u mbyll baraz 1:1 (takimi i vetëm që nuk humb Renova këtë sezon përballë kuqezinjve), ndërsa në ndeshjen e kthimit Shkëndija fitonte 2:0.

Renova-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 16:15 minuta, shkruan në faqen e Shkëndija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat