Besa nuk ra, atë e rrëzuan?!

Futboll

Besa nuk ra, atë e rrëzuan?!

Nga: Fadil Beqiraj Më: 15 maj 2018 Në ora: 17:24
Fadil Beqiraj

Opinion

I pabesi të rrëzon, tradhton, shkatërron sepse nuk di se ç’është BESA, pra këta njerëz të pabesë, të padijshëm, të pa zot, të pa karakter e rrëzuan KF Besën në ligën e parë.  Paralajmërimet e mija se mund të përsëritet viti 2001, kur edhe në atë kohë njerëz të pabesë, të paditur, të paaftë e sollën KF Besën në situatë për të rënë nga liga, dolën se kësaj radhe ia bënë edhe më keq, sepse KF BESA barazhin e ka pasur të sigurt, por po del se dikujt nuk i ka konvenuar as barazhi, ka qene dëshirë që menjëherë të largohet nga liga.

Besa u përforcua me futbollist, me trajnerin Valdet Shoshin, me kryesi të re, të cilët u zotuan se nuk ka gjasa që Besa të largohet nga Superliga, dhe se më e pakta që mund të bëjmë barazhin do ta sigurojmë, dhe përmes barazhit do të mbesim në Superligë, se kemi skuadër më të mirë se Flamurtari dhe Vllaznia. Futbollistët e Besës nuk është se luajtën keq dhe kundër skuadrave të forta bënin një paraqitje të mirë dhe nuk dorëzoheshin, anipse humbnin nuk koriteshin, humbën nga Prishtina,  nga Drita në Pejë me rezultat të ngushtë, këto dy skuadra që janë më të fortat në Superligën e Kosovës në futboll por si mund të shpjegohet një humbje e thellë nga Flamurtari 0:4 në Pejë, skuadër kjo që ka kohë që ishte larguar nga Superliga së bashku me Vllaznin e Pozheranit.

Kush e tradhtojë Besën, shikuesit, qytetin, futbollin, Haxhi Zekën, i cili në moshën 43 vjeç u kthye për ti ndihmuar skuadrës? Kush e kurdisi ndeshjen: politika, disa futbollistë, kryesia? apo çfarë ndodhi dikush duhet ti shpjegojë opinionit futbolldashës në Pejë dhe me gjerë, dikush duhet ta merr përgjegjësinë sepse Besa nuk ra, atë e rrëzuan njerëz të cilët nuk kanë besë. Do të dëshiroja që me në fund trajneri Valdet Shoshi të bëhet burrë dhe ti tregojë opinionin të gjerë se kush e solli skuadrën e Besës në këtë situatë dhe të mos konsiderohet me si lodër e të tjerëve, dhe ta hjek përgjegjësinë prej vetës nëse nuk është fajtorë, unë besoj që ai nuk është fajtori kryesor.

Një futbollist i kalibrit të Haxhi Zekës, i cili ka dhënë gjithçka për skuadrën e Besës nuk munda ta kuptoje se si ra në kurthën e të tjerëve dhe në moshën 43 vjeç bënë ballë të kthehet, si mundi ta humb imazhin e vet prej një futbollisti me cilësi dhe kualitete të larta që ka pas Kosova pas lufte! Unë jam gazetar i sportit i cili prej vitit 2000 deri me 2018 kur Besën e larguan nga Superliga i di të gjitha ato që kanë ndodh me Besën dhe rreth Besës, nuk kam qenë dhe as nuk jam i ndikuar nga politika si shumë koleg të mi që dalin nëpër televizione, flasin ne radio, shkruajnë në gazeta, portale të ndryshme dhe nuk e tregojnë të vërtetën por flasin ashtu si i dikton partia e tyre politike, dhe kështu ata nuk mund ti quaj gazetar sportiv, por kukulla të cilët po e dëmtojnë futbollin dhe sportin ne përgjithësi.

Do të dëshiroja që dikush të njoftojë opinionin e gjerë në qytetin e Pejës që të marrë përgjegjësinë, ata të cilët janë përgjegjës për dëmet që ia kanë bërë KF BESËS në të kundërtën unë jam i detyruar që ti tregojë të gjithë ata, të cilët e sollën KF BESËN në këtë situatë me fakte dhe argumente të cilat i posedojë. Ata që përfituan me djersën e futbollistëve dhe e shkatërruan Besën, nuk e kanë vendin aty por në burg, ne mos sot, nesër gjithsesi...

Autori është gazetar sportiv

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat