Ndeshjet e mbijetesës, të dielën edhe sfidat për Europën

Futboll

Ndeshjet e mbijetesës, të dielën edhe sfidat për Europën

Më: 12 maj 2018 Në ora: 17:52
Ilustrim

Këtë të diel do të luhen ndeshjet e javës së 34 të Kategorisë Superiores ku në lojë tashmë është vetëm mbijetesa dhe Zona Evropiane. Skënderbeu do të luajë me Teutën që kërkon qëndrimin në Superligë. Trajneri Daja konfirmoi se do të bëjë rotacione për këtë ndeshje sigurisht pa e nënvlerësuar atë.

“Do ta respektojmë kampionatin por do t’u përmbahemi edhe planeve tona. Në skuadër ka shumë të rinj që e meritojnë të jenë te Skënderbeu. Duke qenë se kemi pasur objektiva madhorë, ata nuk kanë pasur mundësi të luajnë, dhe në 3 ndeshjet e mbetura do të kenë hapësirën maksimale”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Në Gjirokastër, Luftëtari do të presë Kukësin me skuadrën e Hasan Likës që kërkon të konsolidojë vendin e saj në zonën evropiane

“Objektivi ynë është të hyjmë në zonën evropiane ne do të kërkojmë që ta arrijmë atë në ndeshjet e ardhshme duke nisur nga ajo me Kukësin. Do të jetë një sfidë shumë e vështirë pasi do të luajmë kundër skuadrës nënkampione të vendit”, u shpreh Hasan Lika, trajner i Luftëtarit.

Ndërsa trajneri i Kukësit, Pakult u shpreh se skuadra e tij ende nuk e ka siguruar vendin e dytë, gjë të cilën verilindorëve u mjafton vetëm 1 pikë për ta arritur.

“Matematika ende nuk na e ka siguruar vendin e dytë dhe për këtë arsye duhet të jemi të motivuar. Luftëtari ka shumë cilësi si skuadër. Duhet të jemi të përqendruar për të marrë 3 pikët. Nëse do lëshojmë në aspektin psikologjik, atëherë do ndëshkohemi. Asgjë nuk ka mbaruar, mendojmë vetëm për vendin e dytë”, tha trajneri i Kukësit.

Në ndeshjet e tjera, Kamza që kërkon mbijetesën do të presë Flamurtarin që ende shpreson për të arritur zonën evropiane. I njëjti skenar është edhe në sfidën mes Partizanit e Vllaznisë. Për të dyja skuadrat, opsioni i vetëm është fitorja nëse duan të arrijnë objektivat e tyre. Ndeshja tjetër e kësaj jave është ajo mes Laçit dhe Lushnjes që prej javësh e ka prere biletën e kthimit në Kategorinë e Parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat