Ramadani shumë afër suksesit të madh në Danimarkë

Futboll

Ramadani shumë afër suksesit të madh në Danimarkë

Nga: Kemajl Goca Më: 25 prill 2018 Në ora: 16:54
Ylber Ramadani

Reprezentuesi i Shqipërisë, ferizajasi Ylber Ramadani, është shumë afër suksesit të madh me klubin Vejle, që të ngjiten në elitën e futbollit të Danimarkës. Vejle udhëheq kreun me 50 pikë pas 28 jave, një më shumë se Esbjerg, dy se Viborg dhe Vendsyssel. Është një kampionat shumë i fortë, me rivalitet të madh për kreun e tabelës, më së miri e dëshmon edhe diferenca e ngushtë e pikëve mes vendit të parë dhe të katërt. 

Futbollisti nga Kosova është optimist se me Vejlen do ta arrijnë qëllimin, ta ruajnë pozitën e parë në pesë javë sa kanë mbetur deri në përfundim të edicionit. Mesfushori është në formë të mirë dhe beson se do të kthehen të pamposhtur nga sfida e fundjavës (me 28 prill, 15.30), në përballje me Viborg-un, në ndeshjen derbi.  Ramadani tha se kushtet janë të mira dhe ekipin e tij e sheh më të organizuar se të gjithë pretendentët tjerë.

“Bota sot”: Vejle është shumë afër elitës së futbollit danez s, si i sheh ndeshjet e fundit?

Ylber Ramadani: Shumë mirë jemi me rezultate, jemi shumë afër qëllimit, por duhet të jemi me këmbë në tokë sepse kemi edhe pesë ndeshje deri në fund.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe atmosferën në ekip, si dhe me përkrahjen e tifozëve?

Ylber Ramadani: Jemi të kënaqur me kushtet dhe atmosfera tani në ekip është shumë e mirë. Ekipi përkrahet shumë nga tifozët, të cilët janë edhe lojtari i 12-të i yni.

“Bota sot”: Me 28 prill ndeshja kryesore në fushë të Viborg-ut, a shpresoni në fitore apo edhe me një pikë jeni të kënaqur?

Ylber Ramadani: Ne normalisht në çdo ndeshje hyjmë për fitore, por rezultatin e din vetëm Zoti, e jona është të japim maksimumin dhe të mundohem t’i nxjerrim pikët e plota, në luftë për ta ruajtur kreun e tabelës.

“Bota sot”: Esbjerg, Viborg dhe Vendsyssel, cili është rivali më i madh nga këto skuadra në luftë për vendin e parë?

Image

Ylber Ramadani: Të tria ekipet janë rival i yni. Pavarësisht kësaj, ne do të bëjmë më të mirën dhe të jemi në elitë.

“Bota sot”: Çfarë e dallon më shumë Vejlen nga ekipet tjera?

Ylber Ramadani: Vejle nga ekipe tjera dallon si për nga ana e organizimit po ashtu edhe jemi ekip më kompakte. Më së miri e dëshmojnë edhe rezultatet e deritashme.

“Bota sot”: Sa është vështirë të jetohet në Danimarkë, është një jetë më ndryshe, më e mirë se në Kosovë për nga kushtet?

Image

Ylber Ramadani: Po, normalisht se është më ndryshe dhe normalisht është pak më vështirë, por jam përshtatur mirë. Gjërat shkojnë sipas planit, e imja është të jap maksimumin.

“Bota sot”: Ylber Ramadani është edhe në kombëtaren A të Shqipërisë, a mendoni se do të jetë vit shpërthyes në fanellën e kuqezinjve nën drejtimin e selektorit Christian Panucci?

Ylber Ramadani: Kësmet, me emër të Zotit besoj shumë që do të jetë vit i mbarë për mu. Besoj që do të ia dal dhe të bëjë më të mirën për kombëtaren e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat