Rrëfimi i gjyqtarit Andi Koçi: Nuk është hera e parë që Erjon Braçe shan

Futboll

Rrëfimi i gjyqtarit Andi Koçi: Nuk është hera e parë që Erjon Braçe shan

Më: 25 prill 2018 Në ora: 15:40
Pamje nga një ndeshje

Andi Koçi ka konfirmuar për “Panorama Sport” se është qëlluar me çakmak nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Sipas gjyqtarit kryesor të ndeshjes Partizani-Skënderbeu 0-1, ngjarja ka ndodhur kur ai u është drejtuar dhomave të zhveshjes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, gjyqtari thotë se nuk është hera e parë që Braçe, një tifoz i deklaruar i Partizanit, bën veprime dhe gjeste të turpshme ndaj arbitrave.

Andi, çfarë ndodhi gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu?

Besoj që shkoi mirë gjithç- ka nga ana e arbitrimit, nëse e keni fjalën për këtë. U përpoqa që bashkë me kolegët të bënim më të mirën dhe, nga vlerësimet e para që më kanë ardhur, opinioni ka qenë pozitiv.

Në fakt pyetja ishte për incidentin me Erjon Braçen… E vërtetë është që ju ka qëlluar?

Po, e vërtetë është.

Kur ndodhi kjo?

Në momentin që po hynim te dhomat e zhveshjes.

Ju goditi Braçe?

Po, me një çakmak. Nuk e di se kujt ia ka marrë aty apo ndoshta e kishte të vetin. Nuk ia kam idenë. Por ai për fat të keq ka precedentë, nuk ishte hera e parë kjo…

Po thoni që ju ka sulmuar edhe më parë?

Po, por jo vetëm mua. Kështu bën pothuajse gjithnjë edhe me të tjerë, jo vetëm me mua.

Çfarë bën konkretisht Braçe?

Shan, ofendon, ose bën gjeste të tjera të kësaj natyre. Ju siguroj se nuk është rast i izoluar ky imi. Është shumë emocional, nuk e marr vesh çfarë njeriu është…

Juve ku ju gjuajti pas ndeshjes me Partizanin? Në cilën pjesë të trupit?

Nuk më kapi çakmaku për fat të mirë. Nuk u dëmtova.

Mendoni se ju ka goditur sepse e kanë rrëmbyer emocionet apo ka diçka personale me ju?

Jo, nuk besoj se ka ndonjë gjë personale me mua. Por të them të drejtën, nuk është se bëra edhe ndonjë gabim trashanik apo ndonjë gjë të rëndë në fushë edhe hajt se po e “mirëkuptoj” deri diku këtë sjellje… Por nuk pati asgjë. Më vjen shumë keq, sepse në vend që një deputet të japë shembullin për të tjerët, ai nxit kësi situatash.

A keni pasur përplasje me ndonjë drejtues të klubit të Partizanit më parë?

Jo, asnjë. Njerëz shumë korrektë. Asnjëherë nuk më kanë thënë qoftë edhe një gjysmëfjale.

A keni ndonjë peng për rastet e diskutueshme gjatë ndeshjes?

Rastet i kam parë pas ndeshjes. E bëj gjithmonë. Mendoj se i kam zgjidhur në mënyrën e duhur. Nuk kanë pse të ankohen asnjë prej dy ekipeve. Natyrisht që goli në minutën e fundit dhemb. Edhe mua po të më ikë një penallti e padhënë në të 94-ën normale që më dhemb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat