Di Francesco: Kush nuk beson te përmbysja, të qëndrojë në shtëpi…

Futboll

Di Francesco: Kush nuk beson te përmbysja, të qëndrojë në shtëpi…

Më: 25 prill 2018 Në ora: 12:48
Eusebio Di Francesco

Eusebio Di Francesco pranoi se Roma e tij u dorëzua deri diku në humbjen 5-2 në “Anfield”, megjithëse këmbënguli se gjysmëfinalja e kthimit nuk është shumë larg dhe gjithçka mund të ndodhë. Sipas tij, kushdo që nuk beson në një përmbysje, duhet të “qëndrojë në shtëpi”, kur të luhet ndeshja e kthimit.

Italianët u dukën të vdekur dhe u “varrosën” për 68 minuta, në ndeshjen e parë të së martës, në “Anfield”, me Mohamed Salah, Roberto Firmino dhe Sadio Mane, që e kishin dërguar rezultatin në 5-0. Megjithatë, golat e vonë të shënuar nga Edin Dzeko dhe Diego Perotti i dhanë Romës shpresa për një përsëritje të përmbysjes së saj në çerekfinale, kur mundi Barcelonën 3-0 në ndeshjen e dytë, për t’u kualifikuar falë golave në fushë kundërshtare.

Di Francesco ishte i mërzitur me mënyrën se si skuadra e tij nuk arriti të fitonte mjaft beteja në mesfushë dhe i zemëruar që pësoi 3 gola në 13 minuta, pas pushimit. Gjithsesi, ai këmbëngul se të tijtë duhet të besojnë se mund të arrijnë në finale.

“Ne filluam të humbnim shumë duele dhe të të zhbilancoheshim pas golit të parë, – tha trajneri i Romës në një konferencë shtypi. – Nuk e lexuam lojën siç duhet të kishim bërë dhe na mungonte cilësia. Unë mendoj se kemi merituar për t’i shënuar këto dy gola, ekipi ka provuar të ketë shpirt, por nuk më pëlqen që hoqëm dorë gjatë pjesës së dytë. I kontrolluam 20-25 minutat e para, por pastaj filluam të humbasim shumë duele.

Futbolli nuk është një lojë për sistemet, është për të fituar ato duele individuale. Mund të kenë qenë më shumë se pesë në një fazë. Ne nuk kemi nevojë për mrekulli, vetëm duhet të besojmë, si kundër Barcelonës. Tifozët tanë do të jenë atje, duke na mbështetur.

Kjo ishte gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve për Romën në tri dekada, ne nuk jemi mësuar me të, por më lejoni t’ju kujtoj: çështja e kualifikimit nuk ka mbaruar. Kushdo që nuk beson në përmbysje, mund të qëndrojë në shtëpi. Ne kemi për të luajtur ende edhe një gjysmëfinale”.

Fillimi i dëshpëruar i Romës në pjesën e dytë u përzie, kur Di Francesco u pa duke shkëmbyer fjalë zemërimi me mesfushorët Radja Nainggolan dhe Kevin Strootman. Trajneri shpjegoi se lojtarët e tij ia kishin keqkuptuar udhëzimet, duke i bërë ata të ngrinin një sistem tjetër:

“Ka pasur një keqkuptim me zëvendësimin, unë u kërkoja atyre të luanin 4-3-3, ndërsa ata luajtën 4-2-3-1. Ajo që nuk e prisja ishte të pësonim kaq shumë gola, njëri pas tjetrit, në gjysmën e dytë të lojës. Kur humb shumë duele në mesfushë, është e vështirë të ndryshosh prirjen e lojës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat