Klasikja Bayern Munich-Real Madrid; sonte luhet finalja përpara Kievit…

Futboll

Klasikja Bayern Munich-Real Madrid; sonte luhet finalja përpara Kievit…

Më: 25 prill 2018 Në ora: 12:23
Ilustrim

Kievi arrihet nëpërmjet Mynihut, një ndalesë e detyrueshme për Real Madridin në disa nga garat e tij të fundit europiane, ato të ngjyrave të Champions-it. Edhe pse historia e kësaj përplasjeje ka lindur në kohën e zezë dhe të bardhë, kur Bayern Munich imponoi tiraninë e vet në Europë dhe Real Madridi u përpoq të ndillte kohë më të mira, tashmë quhet me të drejtë klasikja e kontinentit tonë.

E gjitha kjo ndodhi falë rivalitetit të madh dhe yjeve që kanë luajtur në të dyja skuadrat. Nga ballafaqimi i parë mes gjigantëve spanjollë dhe gjermanë, në mes të dekadës së viteve ’70, deri më sot, ka kaluar një jetë. Ka 24 precedentë kjo lloj ndeshjeje, klasike europiane “par excellence”, e cila sot feston “martesën” e saj për argjend në një kontekst të barazisë maksimale.

Real Madridi ka fituar më shumë kualifikuese, por Bayern Munich merr më tepër nga “torta” e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Në tërësi, trendi i dueleve mes Real Madridit dhe Bayern Munich duket se ka ndryshuar në kohët e fundit. “Los Blancos” i eliminuan bavarezët në vitin 2014 dhe 2017, në rrugën drejt “decima” dhe Champions-it të dymbëdhjetë, respektivisht.

Triumfi i katër viteve më parë ishte i pakontestueshëm, kategorik. Reali, i cili gjithmonë ka qenë i zbehtë në Mynih, e dërrmoi ekipin e Guardiolës, ndërkohë që prestigjin e këtij të fundit në kryeqytetin bavarez e kompromentoi jo pak. Ishte një nga goditjet e mëdha në këtë epokë të tretë të artë të Real Madridit në Ligën e Kampionëve. Të dyja skuadrat do të përballen sonte në një tjetër gjysmëfinale të kompeticionit më të rëndësishëm të klubeve në Europë.

Precedentët e fundit
Më i ngushtë ishte eliminimi i një viti më parë, në çerekfinale. Skuadra e Zidane, e cila kishte fituar përsëri në “Allianz”, duhej të përdorte “zgjatjen” për t’i kapërcyer gjermanët, gjithmonë krenarë. Të humburit u ankuan për arbitrimin, i cili, së bashku me pluhurin e madh, pas ndëshkimit ndaj Lucas Vázquez në Real Madrid-Juventus, ka “flatra të bardha”.

Bayern Munich do të përpiqet të shfrytëzojë nxehtësinë e tifozëve të vet. Në çdo rast, kjo përplasje është test për karakterin e kryesorit holandez, Kuipers, gjyqtari i finales “Lisbonë 2014”. Në fushën e futbollit, 21 nga 22 protagonistët kanë fytyra, emra dhe mbiemra.

Jupp Heynckes, trajneri që e udhëhoqi Real Madridin drejt lavdisë 20 vite më parë, në vitin 1998, pas tri dekadash të frustrimit, luan një bast profesional: James Rodriguez në vend të të dëmtuarit Vidal. James, i cili kishte një vit të parë shpërthyes në “Bernabeu”, e humbi betejën me Isco dhe besimin e Zidane.

Trajneri francez nuk hezitoi t’i hapte derën e largimit në verën e kaluar. Në Mynih, kolumbiani ka rifituar vetëbesimin e tij. Njohja e sfondit të Real Madridit me ish-ë të tij do të jetë një nga pikat “fokale” të lojës.

Një Bayern Munich ultrafensiv, që ecën i pakontestueshëm në Gjermani, do të përballet me mesfushën, që mizorisht nënshtroi Juven në finalen e Cardiff-it, 10 muaj më parë. Sepse ky repart është një siguri e madhe e “Los Blancos”, të cilët, gjithashtu, kanë ndërtuar një prapavijë me shtylla të njohura, nën drejtimin e Sergio Ramos së rikthyer.

Dyshimi i njëmbëdhjetëshes
Në fakt, dyshimi i vetëm i Real Madridit është shoqëruesi i Cristiano Ronaldos. Me Benzema joproduktiv dhe Bale të izoluar nga grupi dhe skuadra, duket momenti i Asensio, ose Lucas, të cilët po nënshkruajnë një sezon më të madh. I pari tashmë e ka dëshmuar vlerën e tij edhe gjatë sezonit të kaluar, ndaj të njëjtit rival, si në Mynih dhe në Madrid. Dy precedentë që mund t’i japin atij përparësi.

180 minuta larg Kievit
180 minuta e ndajnë Real Madridin nga një finale e re e Ligës së Kampioneve. Është e vërtetë se në vitet e fundit, “Los Blancos” kanë arritur t’i këmbejnë rolet me “bishën” Bayern, me pesë fitore radhazi, rekordi më i mirë në mes të këtyre dy skuadrave, që nga gjysmëfinalet e vitit 2012.

Ëndrra është Kievi, por rruga drejt kryeqytetit të Ukrainës ka një ndalesë të detyrueshme në Mynih. Ishte pikërisht Bayern Munich, klubi i fundit që fitoi tre Champions të njëpasnjëshëm. Nëse Real Madridi dëshiron ta shijojë këtë gjë, e di se do të duhet të vallëzojë përsëri në “varrin” e vet…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat