Ultimatumi i presidentit

Futboll

Ultimatumi i presidentit

Më: 20 prill 2018 Në ora: 12:20
Kukësi

Kukësi barazoi ndaj Laçit në “Zeqir Ymeri”, rezultat i cili ishte fatal për fatin e kampionëve në Kupën e Shqipërisë. Verilindorët e patën ndeshjen në dorë, por ishte Rexhinaldo ai që ia ndërpreu rrugën drejt finales Kukësit. Mbas këtij takimi, lojtarët ishin shumë të shqetësuar dhe zhgënjyer, pasi nuk e mendonin se ndeshja mund të shkonte kështu.

Trajneri Pakult dhe të gjithë drejtuesit gjithashtu kanë shfaqur haptazi zhgënjimin dhe kanë kritikuar lojtarët. Madje, mbas takimit, në dhomat e zhveshjeve ka pasur tension, pasi disa prej senatorëve kanë ngritur zërin, kanë kërkuar llogari për atë që ndodhi e sidomos për golin e pësuar.

Ka ndërhyrë trajneri Pakult dhe drejtori Nexhipi që kanë qetësuar situatën dhe janë munduar që të ngrenë moralin në ekip. Por, më i zhgënjyeri është presidenti Gjici, i cili sapo ka përfunduar takimi është larguar i mërzitur nga stadiumi. Kreu i klubit nuk ka pranuar të takojë asnjë prej pjesëtarëve të stafit dhe aq më tepër futbollistët. Të gjithë titullarët, dhe jo vetëm, janë në sitë. Nga pikët e marra gjatë këtyre tri javëve do varet dhe e ardhmja e tyre.

PLANI – Kukësi ka një kalendar aspak të favorshëm, pasi dy takimet e radhës i luan në transfertë në Laç e Korçë, por dhe në vijim, në shtatë javët që i kanë mbetur, luan në Durrës ndaj Teutës që kërkon mbijetesën dhe kundër Luftëtarit, i cili lufton për Kupat e Europës.

Kukësi do të ruajë këtë diferencë me Partizanin, të paktën derisa të ketë siguruar matematikisht vendin e dytë. Pastaj, në bazë të performancës, do bëhet vlerësimi për secilin lojtar dhe do përzgjidhen futbollistët që do të jenë pjesë e Kukësit për Kupat e Europës.

Pritet të paktën 4-5 lojtarë të largohen në përfundim të kampionatit, madje dhe më parë nëse nuk do japin më të mirën e tyre dhe të bindin drejtuesit. Sakaq, personat që merren me transferimet e lojtarëve, si drejtori Nexhipi dhe menaxheri Halili, po punojnë intensivisht për afrimin e disa futbollistëve cilësorë. Tregu portugez, belg, kosovar dhe grek, janë në epiqendër të kërkimeve për të afruar lojtarë. Përveç brazilianit Zhan Patrik Rais, akoma nuk kanë dal në pah emrat e rinj, të cilët mbahen sekret nga klubi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat