Kush e kishte zhveshur cullak midis rrugës Afrim Muçiqin?

Futboll

Kush e kishte zhveshur cullak midis rrugës Afrim Muçiqin?

Nga: Kemajl Goca Më: 18 prill 2018 Në ora: 11:43
Afrim Muçiqi

Periudhat e vështira 1991-99 nuk do të shlyhen kurrë nga kujtesa e secilit shqiptar të Republikës së Kosovë. Kohë të rënda, Kosova ishte e okupuar nga pushtuesi serb. Çdo gjë që ishte shqiptare i pengonte Serbisë agresore. Kishin dëbuar shqiptarët nga puna, sportistët nga stadiumet dhe objektet sportive, studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe nxënësit nga shkollat etj. Në vitin 1996, ishte njëri nga momentet më të sikletshme apo më kritike për këngëtarin e mirënjohur, Afrim Muçiqi, aktualisht nënkryetar i klubit të futbollit Prishtina.

Atëkohë, Muçiqi ka qenë futbollist i Llapit nga Podujeva dhe pas ndeshjes që e kishin luajtur në fushën te Kosova B në Kastriot, mes Llapit e Unitedit të Sadovinës së Jerlive, rrugës për t’u kthyer në shtëpi i ka zënë më e keqja. Ndalohen nga milicia kriminale serbe. Milicia i ka detyruar që të zhvishen cullak Afrim Muçiqin me bashkëlojtarë të tjerë. Sepse milicia shoveniste serbe ishte çmendur kur ka dëgjuar se Afrim Muçiqi me shokë kishin zhvilluar ndeshje kampionale në kuadër të Republikës së Kosovës në futboll.

Image

Ertan Xhihiqi, Afrim Muçiqi dhe Adil Vokrri

Muçiqi e pranon se i kanë zhveshur cullak dhe pa rroba i kanë lënë të ecin rrugës. Sipas Muçiqit, pas disa kilometrave kanë shkuar te disa të afërt që i kanë njohur dhe i kanë siguruar rroba, që të vishen. Ai tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, se në atëkohë milicia serbe fortë e kishte rrahur trajnerin e tyre, Idriz Mehmeti. Muçiqi kurrë nuk i fshihet nga mendja kjo ngjarje sepse ka qenë një siklet i madh për të dhe për shokët e tij që të ecin rrugës të zhveshur sepse milicia ua mori rrobat nga trupi. Muçiqi është krenarë që dhanë shumë në atëkohë dhe sfiduan okupatorin serb, për të ardhur deri te kjo ditë, ku sot Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Në fakt, çdo futbollist apo çdo sportist që ka shkuar për të luajtur, ka qenë njësoj sikur të shkon në vijën e frontit të luftës sepse nuk është ditur se çfarë do të presë para, apo gjatë zhvillimit të ndeshjes ose gjatë udhëtimit apo pas kthimit nga loja. Afrimi dhe shumë të tjerë kanë përjetuar lloj kërcënimesh nga milicia serbiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat