Lladrovci: Kemi gabuar shpesh

Futboll

Lladrovci: Kemi gabuar shpesh

Nga: Kemajl Goca Më: 16 prill 2018 Në ora: 16:59
Lapidar Lladrovci

Sa afrohet fundi i Kampionatit të Kosovës, gjithnjë e më shumë po qartësohen gjërat qoftë për titullin e kampionit qoftë edhe prej skuadrave që mund të largohen nga elita dhe cila nga to do të mbetet në barazh.  Kampioni në fuqi, Trepça ’89 nga Mitrovica, ka qetësinë në gjashtë javët e fundit, me pretendime të jetë sa më lart në klasifikim. ’89-shi aktualisht është në vend të katërt me 43 pikë, ka 10 me pak se lideri Drita dhe shtatë se Prishtina në vendin e dytë, si dhe janë dy pikë larg pozitës së tretë që e mban Llapi.

Lapidar Lladrovci, prej futbollistëve më të mirë në vendin tonë, tha se Trepça ’89 ende nuk është dorëzuar për titull, por sipas tij do të luftojnë derisa të ekzistojnë matematikat. Ai të dielën që e lamë pas ka treguar lojë të mirë dhe ka shënuar golin e dytë për ’89-shin në fitoren bindëse me rezultat 3:0 kundër Vëllaznimit.  

“Bota sot”: A ishte prej ndeshjeve më të mira te Trepçës '89  kundër Vëllaznimit?

Lapidar Lladrovci: Mendoj se ishte ndeshja jonë më e mirë e stinorit pranveror për shumë arsye. Repartet në aspektin taktik ishim shume mirë të koordinuar dhe nuk i lejuam shumë hapësirë kundërshtarit që të na krijonte raste. Kishim posedimin e topit dhe ishim të qetë në pritje të krijimit të hapësirave për ta zënë në befasi kundërshtarin, pastaj goli i parë erdhi herët në momentin më të mirë, me ç' rast na çliroj nga presioni i rezultatit dhe i rasteve të humbura që na kanë ndodhur shpesh gjatë këtij kampionati. Pastaj në pjesën e dytë Vëllaznimi duke u munduar të na sulmoj la shumë hapësira mbrapa me ç' rast krijuam shumë raste dhe erdhëm edhe te 2 gola të tjerë. Në përgjithësi ishte lojë shumë mirë e organizuar nga ne që kishim mundur të shënojmë edhe më shumë, por në këto çaste vlen shumë fitorja dhe na motivon për të vazhduar më tutje me rezultate pozitive.

“Bota sot”: Trepça '89, kampion në fuqi, renditet në vend të katërt me 43 pikë, -10 pikë nga lideri Drita, çfarë e penalizoj për këto javë?

Lapidar Lladrovci: Kemi gabuar shpesh këtë kampionat si në fazën e parë ashtu edhe në të dytën, qoftë për fajin e sulmit i cili shpërdoroj shumë raste po ashtu edhe të mbrojtjes që pësuam gola nga pakujdesia. Në shumicën e ndeshjeve kemi luajtur më mirë se kundërshtarët, por sulmi nuk shënonte, ndërsa pësonim gola nga ndonjë gjysmërast kur se prisnim fare, nganjëherë mendoj se fati nuk ishte me ne. Arsye tjetër mund të jetë edhe largimi i disa lojtarëve bazë, si Kushtrim Lushtaku që u largua për në Gjermani në fillim të kampionatit apo Rron Broja dhe Florent Hasani që u larguan drejtë kampionatit maqedon respektivisht atij hungarez e që ishin lojtarë që e bënin diferencën në kampionatin tonë.

Image

“Bota sot”: Ku e sheh Trepçën '89?

Lapidar Lladrovci: Përderisa të kemi gjasa dhe matematika ta lejojë do të luftojmë pa kompromis deri në fund për titull. Ndërsa Prishtina dhe Drita e kanë presionin e rezultateve ne nuk e kemi, besoj se do t'u afrohemi shumë, pasi që kemi një seri pozitive dhe besoj që deri në fund nuk do të pësojmë humbje. Në fund e shoh Trepçën në vendin e dytë ose të tretë!

“Bota sot”: A ka rritje të cilësisë?

Lapidar Lladrovci: Sa i përket cilësisë mendoj që ka ngritje këtë vit, kjo shihet edhe nga diferenca e ngushtë e pikëve që nga kreu e deri të vendet e barazhit. Pranimi në UEFA dhe pjesëmarrja në Kupat Europiane i ka rritur ndjeshëm ambiciet e kryesive dhe si pasojë ka pasur investime të mëdha në trajnerë dhe lojtarë. Dallimi në cilësi ndërmjet skuadrave ka qenë i vogël, ndërsa cilësia e ligës është rritur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat