Faza e fundit e kampionatit, presioni është mbi arbitrat!

Futboll

Faza e fundit e kampionatit, presioni është mbi arbitrat!

Më: 6 prill 2018 Në ora: 12:50
Pamje nga një ndeshje

Opinion

Arbitrat kanë qenë vendimtarë në disa ndeshje, në tri fazat e përfunduara të kampionatit. Kartonët e verdhë, mungesa e penalltive, vendime të padrejta në dëm të disa skuadrave dhe favorizim i disa të tjerave, gola të anulluar dhe gafa, që s`mund të falen, kanë qenë të zakonshme, pothuajse në çdo javë të Superiores. Disa prej skuadrave kryesore, si Kukësi, Flamurtari, Vllaznia, Kamza, Luftëtari dhe Partizani kanë kërkuar herë pas here nga Federata dhe sektori i arbitrave, që disa “bluza të zeza” të mos gjykojnë më kurrë ndeshje të tyre, në kampionat dhe në kupë. Janë shumë emra gjyqtarësh, të shpallur si të “padëshirueshëm” nga skuadrat e Superligës, për shkak se janë bërë protagonistë në ndeshje të caktuara. Por, tashmë që tri fazat e kampionatit janë mbyllur dhe Superliga ka hyrë në fazën finale, vëmendja ndaj arbitrave vjen duke u rritur. Skuadrat hyjnë në fazën më të nxehtë, teksa lufta është e ethshme, për të marrë sa më shumë pikë.

Lufta për zonën “Euro” është bërë mjaft interesante, ndërsa mbijetesa, po ashtu, është duke u diskutuar tashmë mes katër skuadrave. Gjithsesi, lufta është e përqendruar në dy fronte. Kukësi, Partizani, Laçi, Luftëtari, por dhe Flamurtari, janë pesë skuadrat që tashmë zyrtarisht luftojnë për një vend në Ligën e Europës, ndërkohë që enigmatike është situata e Skënderbeut, pas dënimit të marrë nga UEFA. Fronti tjetër është ai i mbijetesës, aty ku të paktën tri skuadra pritet të rivalizojnë deri në javën e fundit. Teuta, Vllaznia, por tashmë dhe Kamza, janë më të rrezikuara se kurrë, për të shoqëruar Lushnjën për në Kategorinë e Parë, ndaj dhe sfidat direkte mes tyre mund të pasojnë me polemika të mëdha për arbitrimin. Gjithsesi, arbitrat që do të gjykojnë ndeshjet e mbetura të kampionatit për pesë skuadrat që luftojnë për Europën, sigurisht që do të jenë “tabelë qitjeje” deri në sfidën e fundit, pasi çdo gabim njerëzor, apo dhe me dashje, do të jetë vendimtar në sfidat e mbetura.

Në 28 javë kampionat, “bluzat e zeza” kanë nxjerrë nga xhepi plot 32 kartonë të kuq e padyshim shumë të verdhë për skuadrat e Superligës. Janë me dhjetra penallti të padhëna për ekipe të caktuara, por dhe shumë penallti të dhëna, por të paqena gjatë tri fazave të kampionatit. Tashmë, çdo gabim llogaritet mire, pasi mund të vendosë fatet e sezonit për shumë skuadra. Ndaj, më shumë se sa loja, nisur dhe nga historia e sezoneve të kaluar, duket se vëmendja më e madhe e ndeshjeve të mbetura do të jetë tek arbitrat. Skuadrat që kanë pretendime për zonën e Europës, por dhe ato që luftojnë për mbijetesë, do të përballen edhe njëherë mes tyre në fazën e katërt. Ndeshjet direkte mund të jenë vendimtare për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, por dhe mbijetesën, apo rënien nga kategoria. Ndaj presioni sa vjen dhe shtohet për arbitrat, që do të caktohen për të gjykuar përballjet direkte mes ekipeve që kërkojnë një biletë “euro”, apo ekipeve që kërkojnë një dorë për “mbijetesë”. A do përballohet ky presion i kësaj faze të kampionatit? Kjo mbetet të shihet, por se çfarë pritet të ndodhë deri në fund, duket se asgjë nuk kemi parë ende! (marrë në telesport).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat