Chelsea poshtërohet nga Tottenhami

Futboll

Chelsea poshtërohet nga Tottenhami

Nga: Kemajl Goca Më: 1 prill 2018 Në ora: 18:52
Pamje nga ndeshja

Skuadra e Chelseat dëshpëroi me humbje në Premier League. Ata në konak të vetin përkatësisht në  “Stamford Bridge” pësuan humbje me rezultat 3:1 nga Tottenhami, në derbin e Londrës.  Chelsea avancoi në minutën e 30-të, kur Alvaro Morata nga afërsia tundi portën e Tottenhamit. Goli i hershëm në asnjë mënyrë nuk e ka demoralizuar skuadrën spursave. Në fund të pjesës së parë (45+1), Christian Eriksen nga rreth 23 metra shokoi portierin e Chelseat, Caballeron dhe 1:1.

Gol që rrallë herë shihet në stadiume dhe që i dha edhe më shumë zemër Tottenhamit. Dele Alli ishte në ditën e tij dhe shënoi dy herë në pjesën e dytë. Ai në minutën e 62-rë doli i vetmuar dhe kaloi në epërsi (1:2) Tottenhamin. Pas katër minutave (66’) pas një tollovie brenda 16-shit të Chelseat, Dele Alli përfitoi dhe thelloi fitoren në 1:3. Tottenham është në vend të katërt me 64 pikë, ka 8 më shumë se Chelsea në vend të pestë. Tottenham tani ndihet i qetë dhe lufton të për vend të tretë eventualisht të dytë. Chelsea mbetet larg pozitës së katërt, por shpreson të ruajë vendin e pestë deri në fund të kampionatit. Tottenham poshtëroi Chelseat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat