Krasniqi: Drita ka ekip të fortë

Futboll

Krasniqi: Drita ka ekip të fortë

Nga: Kemajl Goca Më: 23 mars 2018 Në ora: 10:15
Endrit Krasniqi në veprim

Drita nga Gjilani shpreson se do ta fitojë titullin e kampionit, skuadër që prinë me 44 pikë në elitën e futbollit, një më shumë se Prishtina dhe tri se Liria nga Prizreni, pas 24 jave të luajtura deri me tash.

Klubi nga Gjilani mëton ta ruajë kreun e tabelës deri në fund dhe të stolisen me titullin e kampionit, që do të ishte sukses i madh dhe një dhuratë e çmueshme për tifozët ‘Intelektualët’ dhe për Anamoravën. Mesfushori i Dritës, Endrit Krasniqi, autori i golit të fitores (1:0) kundër Vëllaznimit në Gjakovë, tha se është i lumtur që janë në krye të klasifikimit. “Lideri po ndërrohet, por ne do të mundohemi që në fund të jemi në krye të tabelës dhe të shpallemi kampion të Kosovës”, tha Krasniqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Shënuat gol kundër Vëllaznimit dhe i sollët tri pikë Dritës, a mendoni se morët pikët që mund ta përcaktojnë edhe titullin? “Mendoj se çdo pikë që marrim janë të rëndësishme për ne sepse jemi duke shikuar ndeshjet njëra pas tjetrës dhe çdo pikë në këtë fazë është e rëndësishme për ne”, tha ai.  Sa i përket luftës për titull, futbollisti ka deklaruar se do të jetë e ashpër deri në fund, por nuk e ka lakuar me emër ndonjë ekip: “Mendoj se diferenca në mes ekipeve është e vogël dhe të gjitha munden të bëjnë befasi”. A është Drita më e motivuar se kurrë?

“Besoj se kemi ekip të mirë e cila ka lojtarë shumë cilësor dhe besoj se do të jemi të motivuar deri në fund për të arritur qëllimin”, përgjigjet ai.  Futbollisti mendjen e ka te sfidat e radhës përkatësisht me Flamurtarin e Prishtinës, e cila luhet në Gjilan. Sipas tij, nuk ka takime të lehta: “Nuk mendoj se është lehtë sepse tash më në Superligë, nuk ka kundërshtar të lehtë por ne do të japim më të mirën që pikët të qëndrojnë tek ne”.  Nëntë javë deri në fund dhe gjithçka e paqartë se cila do të jetë më afër titullit të kampionit. Një numër i madh i skuadrave luftojnë për titull por Drita ka rastin që këtë vit të sjellë trofeun në Gjilan.  Krasniqi në fund tha se nuk janë në presion, por detyrë e tyre është të japin maksimumin në secilin sfidë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat