Bushi thur elozhe për Manajn dhe bën apel për fitore

Futboll

Bushi thur elozhe për Manajn dhe bën apel për fitore

Më: 22 mars 2018 Në ora: 22:38
Bushi

Shqipëria do të përballet me Sllovakinë në eliminatoret e Europianit të 21-vjeçarëve, me kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi që kërkojnë të marrim maksimumin nga sfida e kësaj të premteje në “Seman Stërmasi”.

Trajneri i Shpresave në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së 6-të në grup kërkoi që skuadra të bëjë më të mirën duke u treguar e kujdesshme pasi kundërshtari nuk është i thjeshtë.

“Nëse i tolerojmë në mesin e fushës, apo në mbrojtje, atëherë ata patjetër do të na ndëshkojnë, ndaj duhet të luajmë të përqendruar për 90 minuta. Ndeshja është e barabartë dhe mund të fitojmë ne, por edhe ata. Gjithsesi, synimi ynë është të marrim 3 pikët, pasi çdo rezultat tjetër, na heq shpresat për vendin e dytë”, tha Bushi.

Trajnerit të Shpresave llogaritë mes lojës dhe pikëve nuk i dalin, me Bushin që mendon se skuadra meritonte të qëndronte më lartë në renditje dhe pikë në grupin e saj eliminator për atë që skuadra ka dhënë në fushë.

“Kjo skuadër meritonte të kishte shumë më tepër pikë në grup, por kanë qenë pikërisht disa detaje të vogla që na kanë ndëshkuar. Jam i bindur që thuajse në çdo takim ne e kemi dominuar kundërshtarin dhe kemi marrë shumë më pak sesa meritonim”, deklaroi Bushi.

Në skuadër mungojnë disa lojtarë, që kanë shkuar në kombëtaren e madhe, por është rikthyer Rey Manaj, një sulmues me shumë eksperiencë, për të cilin Bushi ka superlative.

“Është super-profesionist dhe jo futbollist problematik, ashtu siç kemi dëgjuar për të. Është treguar shumë i sjellshëm me shokët dhe i gatshëm për t’i ndihmuar, ndaj presim shumë nga ai nesër”, tha Bushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat