Babai i futbollistit sulmon me thikë trajnerin e Tiranës

Futboll

Babai i futbollistit sulmon me thikë trajnerin e Tiranës

Më: 22 mars 2018 Në ora: 12:18
Ilustrim

Duket se futbolli shqiptar po përjeton ditë të vështira. Si të mos mjaftonin kontestimet për gjykimet skandaloze javë pas jave, akuzat për manipulime e trukime ndeshjesh, pretenca e rëndë e inspektorëve përkatës të UEFA-s për Skënderbeun: 10 vite pezullim nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë, në shënjestër janë vënë edhe trajnerët. Rasti “Ernest Gjoka” në Shkodër ka zbritur në kryeqytet tashmë. Migen Memelli, trajneri i Tirana U-17, është sulmuar sot me thikë nga prindi i një futbollisti të tij. Fillimisht, babai i një lojtari të paratërinjve të Tiranës, ka hyrë në fushë dhe ka goditur me grusht Memellin, pastaj ka nxjerrë një thikë dhe ka dashur t’i qërojë hesapet me ish-sulmuesin pogradecar, raporton telesport.al.

Ky i fundit është shmangur për fat të mirë dhe gjithçka ka mbetur në tentativë. Shkak për këtë incident të rëndë është bërë mospërfshirja e djalit të agresorit në formacionin e bardhebluve 17-vjeçarë. Gjë për të cilën, babai agresor ka bërë fajtor trajnerin, ndaj të cilit ka tentuar të qëllojë edhe me armë të ftohta. Merret vesh se Migen Memelli është në gjendje të mirë, nuk ka pasur nevojë as për të shkuar në spital, por iu është drejtuar organeve të rendit, ku ka bërë denoncimin përkatës ndaj agresorëve të tij. Autori identifikohet si A.Ç. dhe pasi e ka goditur me grushta trajnerin e bardhebluve, i ka nxjerrë thikën, duke e kërcënuar me fjalët: “Të pres fytin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat