Shotani: Kushtet e Ballkanit nuk i kanë as ekipet e Superligës

Futboll

Shotani: Kushtet e Ballkanit nuk i kanë as ekipet e Superligës

Nga: Kemajl Goca Më: 20 mars 2018 Në ora: 18:30
Bekim Shotani

Ballkani nga Theranda po dëshmohet shumë i fortë, e cila në katër ndeshjet e para të pranverës arriti tri fitore e një barazim në Ligën e Parë të Kosovës. Pas 21 jave Ballkani është në vend të dytë me 44 pikë, dy me pak se lideri KEK-u dhe dy më shumë se pozita e tretë, Vushtrria. Kryetrajneri i Ballkanit, Bekim Shotani, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, se kushtet e Ballkanit nuk i kanë as ekipet e Superligës së Kosovës. Në hapje të pranverës Ballkani u nda baras (0:0) në Prishtinë me Ramiz Sadikun, pastaj si vendas triumfoi 2:1 ndaj KEK-ut, njëherit i shkaktoi humbjen e parë në kampionat, si mysafir në Hogosht e mundi me 1:0 Kikën dhe së fundi e deklasoi me 5:0 Hajvalinë.

“Besoj se ekipi është në formën më të mirë dhe shumica e lojtarëve janë të Superligës, kanë përvojë të madhe dhe ajo është arma më e fortë. Objektivi ynë është Superliga. Në klub e kanë me çdo kusht Superligën dhe projekti i madh i kryetarit të klubit, Arsim Kabashi, me ka shtyrë t’i bashkohem këtij kolektivit. Vetëm në takim me Ramiz Sadikun kemi pasur rënie, ku luajtëm baras, në të tjera ishin qind për qind.

E kemi  ngushtuar epërsinë me KEK-un, skuadër që deri në takim me ne ka qenë pa humbje”, tha Shotani. “Mënyra si është përgatitur fusha, me bari artificial dhe e pranuar nga FFK-ja, me grupin e lojtarëve, që e kanë kthyer Visar Berishën, pastaj Berat Hyseni, Leutrim Gashi, Liridon Kukaj, Durim Gashi, Ramadan Kryeziu etj. lojtarë homogjen, edhe objektivat janë të qarta: Superliga dhe qysh tani kemi filluar të përgatitemi për elitë sepse në qershor është vonë”, tha ai. Kushtet janë fantastike sipas Shotanit. “Kushtet përcjellëse, janë 50 topa origjinal për stërvitje, kemi të gjitha që i duhen një klubi për të bërë analizat, kameramanin në stërvitje e në ndeshje”, tregon Shotani.  

“Këta djem me përvojën e tyre na kanë lehtësuar sadopak synimet. Presioni është i kuptueshëm nga skuadrat tjera, sepse të kesh një rival si KEK-u deri në ndeshjen me ne nuk ka pasur humbje, një Vushtrri superiore në krye me Labinot Osmanin, një Ferizaj, Onix, Fushë Kosovë, vërtet është sfidë e madhe sepse të gjashtë skuadrat luftojnë për dy vendet e para. Në çdo ndeshje kemi premia, pagat me rregull, kushte për punë të nivelit të lartë, nuk e besoj që i kanë ekipet e Superligës dhe kjo më ka joshur që me çdo kusht ta kërkojmë elitën. Nuk e besoj asnjë ekip që i ka këto kushte në elitë sikurse ne, 26 lojtarë marrin paga dhe janë të nivelit të barabartë me Superligë, plus premitë për fitore.

Duke i pasur parasysh këto, çdo rezultat negativ apo çdo dështim i Ballkanit do të jetë senzacion. Objektiv është edhe vendi i parë jo vetëm Superliga. Mëkat nëse nuk jemi në vendin e parë sepse kjo udhëheqësi në krye me Arsim Kabashin, me një projekt të madh që vështirë është të shpjegohet me fjalë, është një motiv shtesë për të gjithë ne. Ballkanit për momentin i mungon një fushë ndihmëse me bari natyral, por e ka ndërtuar me barin artificial. Na duhet një me bari natyral që t’i përshtatem ekipeve që luajnë me fusha natyrale. Nëse futen në elitë do të na vyen edhe dy-tre lojtarë që të jemi në nivelin për elitë. Qysh tani përgatitemi për Superligë”, tha Shotani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat