Spal-Juve, torinezët kanë fituar 8 radhazi në transfertë

Futboll

Spal-Juve, torinezët kanë fituar 8 radhazi në transfertë

Më: 17 mars 2018 Në ora: 10:12
Spal-Juve

Juventus, pas fitores 2-0 të marrë në mesjavë kundër Atalanta-s, ndeshje e vlefshme për javën e 26-të të kampionatit, e cila ishte shtyrë për shkak të motit të keq, ka shkuar katër pikë larg Napoli-t të vendit të dytë në renditjen e Serisë A dhe mbrëmjen e së shtunës do të ketë mundësinë ta thellojë përkohësisht këtë diferencë me tri pikë të tjera kur të zbresë në fushën e Spal duke parë se Napoli do të zbresë në fushë të dielën.

Nuk duhet të jetë një detyrë e vështirë për t’u arritur nga lojtarët e Massimiliano Allegri-t, edhe pse vendasit janë në vendin e 18-të të renditjes me 24 pikë. Gjithashtu, Spal ka edhe mbrojtjen e tretë më të keqe të kampionatit. Ata kanë pësuar 1.8 gola për ndeshje dhe kanë realizuar vetëm 1.0 për takim. Këtë të shtunë, ata do të kenë përballë sulmin e dytë më të mirë dhe mbrojtjen më të mirë të Serisë A.

Për këto arsye është shumë e lehtë të parashikohet që bardhezinjtë do të regjistrojnë fitoren e radhës në kampionat. Juventus ka marrë 9 fitore dhe 1 barazim në 10 ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet. “Zonja e Vjetër” ka marrë një fitore 4-1 në ndeshjen e luajtur në fazën e parë kundër Spal. Vendasit morën vetëm një fitore në kampionat nga 5 nëntori i 2017-ës deri në 18 shkurtin e 2018-ës. Pas kësaj ecurie zhgënjyese kanë ardhur dy fitore të njëpasnjëshme kundër Crotone dhe Bologna.

Ndeshja e tyre e fundit në kampionat ka qenë kundër Sassuolo dhe është mbyllur në barazim 1-1. Kjo do të thotë se ata kanë grumbulluar shtatë pikë në 3 ndeshjet e fundit. Juventus, nga ana tjetër, ka një ecuri mbresëlënëse në ndeshjet e kampionatit të luajtura në transfertë: 12 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Ndërkohë, në 11 takimet e fundit të kampionatit, bardhezinjtë kanë pësuar gol në vetëm një ndeshje. Juventus ka fituar tetë ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur larg shtëpisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat