Juventus kërkon “ndihmën” e Milan për sfidën e dyfishtë me Real Madrid

Futboll

Juventus kërkon “ndihmën” e Milan për sfidën e dyfishtë me Real Madrid

Më: 17 mars 2018 Në ora: 00:57
ilustrim

Rrugët që dërgojnë Juventus-in drejt dy objektivave kryesorë të sezonit do të kryqëzohen rrezikshëm mes fundit të këtij muaji dhe fillimit të tjetrit. Pas shortit të Champions League për çerekfinalet e këtij kompeticioni, drejtuesit bardhezinj kanë drejtuar sytë nga kalendari i ngjeshur dhe drejt dy datave të rrethuara me të kuqe: ajo e 31 marsit dhe ajo e 3 prillit.

Para ndeshjes së parë kundër Real Madrid (luhet në Torino), kampionët në fuqi të Italisë do të presin Milan-in e Gattuso, vetëm 48 orë para sfidës kundër Cristiano Ronaldo-s më shokë. Kështu, përballja kundër kuqezinjve rrezikon t’i heqë lojtarëve të Allegri-t energjitë e duhura për misionin europian dhe për këtë arsye drejtuesit e Juventus po mendojnë për të kërkuar një zhvendosje të datës dhe orarit.

Sipas “Sport Mediaste”, në fakt, torinezët do t’i kërkojnë Lega-s që ndeshja të luhet të premten, 30 mars, gjithmonë në 20:45, ose në 12:30 më 31 mars. Në orët në vazhdim drejtuesit e futbollit italian mund të vendosin të ndryshojnë kalendarin dhe të plotësojnë kërkesën e klubit bardhezi, edhe pse zhvendosja e kësaj ndeshjeje është e vështirë për dy arsye: e premtja e kërkuar nga Juventus është e premtja e shenjtë, ajo para Pashkëve, dhe orari 12:30 nuk pëlqehet aspak nga tifozët, të cilët do të jenë në “Allianz Stadium”.

Teksa Milan-i i eliminuar nga Europa League kërkon të kuptojë se kur do të rikuperohet derbi (ndoshta të martën e 3 prillit në orën 18:30, por klubi kuqezi kërkon që të luhet më 25 prill për të mbushur plot stadiumin), edhe Real Madrid ka një kalendar të ngjeshur. Pavarësisht se “Los Blancos” nuk kanë më asnjë objektiv në kampionat, lojtarët e Zidane do të luajnë derbin kundër Atletico Madrid mes dy sfidave që do të zhvillojnë kundër Juventus-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat