“Spalletti trajneri më i mirë në Seria A, Zeman më shkatërroi kurrizin!”

Futboll

“Spalletti trajneri më i mirë në Seria A, Zeman më shkatërroi kurrizin!”

Më: 16 mars 2018 Në ora: 23:02
Petrescu

Nëpërmjet një interviste të gjatë, ish-ylli i përfaqësueses së Rumanisë, që u aktivizua në Seria a me Foggia, Dan Petrescu ka folur ndër të tjera edhe për teknikun aktual të Inter, Luciano Spalletti, por pa harruar edhe teknikun e tij të parë në aventurën italiane, Zeman. Tashmë në rolin e trajnerit të Cluj, Petrescu, vlerëson Spallettin si trajnerin më të mirë në Seria A, ndërsa akuzon Zeman se i ka shkatërruar kurrizin.

“Kur isha trajner në Rusi i pata thënë Spallettit se ai do të ishte shpallur matematikisht kampion, përpara se unë të përballesha sërish me atë. Ai më premtoi një dhuratë dhe kur parashikimi im u realizua, atëherë ai u prezantua në dhomat tona të zhveshjes me një çantë që përmbante… një orë Rolex. Në fillim të eksperiencës në Rusi me Kuban, ishim në divizionin e dytë dhe duhej të përballonim një transfertë në Shën Peterburg, ndaj i kërkova një mikut tim që të më gjente numrin e Lucianos, sepse doja të njihja botën e Zenit. Ai më mirëpriti në mënyrë të shkëlqyer me të mbërritur aty dhe për këtë e respektoj shumë. Nisëm të krijonim këtë miqësi duke nisur nga parashikimi im dhe që atëherë kemi qëndruar gjithmonë në kontakt. E çmoj shumë cilësinë që ai arriti të përçojë te Zenit. Shoh ndeshjet e Inter si tifoz vetëm për atë, personalisht e konsideroj trajnerin më të mirë në Seria A”, deklaroi Petrescu.

Mbërritja e Petrescut në Seria A të Italisë, te skuadra e Foggia-s së viteve 1990, fsheh një histori komike: “Kujtoj se ndodhesha në aeroport me idenë se do të shkoja në Stamboll për të firmosur me Fenerbahçe, kur menaxheri im më detyroi të ndryshoja gati të gjitha planet e mia, për të shkuar në Itali që të njihesha me Pasquale Casillo dhe Zdenek Zeman. Anullova fluturimin për në Turqi, por qëndrova në Bukuresht për të vendosur derisa ishte vetë trajneri ai që më takoi për të më sqaruar idenë e tij të futbollit ofensiv dhe pastaj nuk pata më asnjë dyshim për të pranuar. Stërvitja dhe puna ndaj të cilës na nënshtronte Zeman ishte vërtetë e rëndë. Fatmirësisht pata mundësi që të provoj këtë eksperiencë në fillim të karrierës time, kështu që gjithçka që erdhi më pas dukej shumë e lehtë. Edhe pse stërvitjet në shkallët e stadiumit më kanë shkatërruar kurrizin”, deklaroi Petrescu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat