Myrta: Jemi të gatshëm kundër Dritës

Futboll

Myrta: Jemi të gatshëm kundër Dritës

Nga: Kemajl Goca Më: 16 mars 2018 Në ora: 18:40
Yll Myrta

Të dielën (pasnesër në orën 14.00) zhvillohet njëra ndër ndeshjet më interesante në Kampionatin e Kosovës në futboll, mes Vëllaznimit nga Gjakova dhe Dritës së Gjilanit.

Dy skuadra me synime diametralisht të kundërta, sepse Drita kërkon titullin e kampionit, kurse gjakovarët t’i shmangen zonës së barazhit. Vëllaznimi aktualisht është në pozitën e nëntë me 31 pikë, kurse Drita renditet në pozitën e dytë me 41 sosh. Te dyja skuadra mëtojnë pikët e plota, të cilat iu nevojiten shumë në luftë për t’i arritur qëllimet e tyre. Kapiteni i Vëllaznimit, Yll Myrta, tha se është ndeshje mjaft e vështirë.  “Si çdo lojë tjetër që i qasem me seriozitet, normal edhe këtë radhë me Dritën qasja ka me qenë e njëjtë. Do të hyjmë që të luftojmë, të angazhohem për të arritur rezultat pozitiv”, tha Myrta për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Vëllaznimit i duhen pikët gjithsesi, do të ishit të kënaqur edhe me një pikë? “Në bazë të lojës që jemi duke e zhvilluar dhe formës që kemi arritur, personalisht nuk do të isha i kënaqur edhe pse Drita ka një ekip mjaft të mirë, normal në letër është edhe favoritë. Futbollisti tha më tej se ballafaqohen me disa lëndime. “Kemi ca probleme me disa lëndime. Besoj se deri të dielën kemi me qenë të gjithë të gatshëm”, ka deklaruar kapiteni. A jeni në presion?

“Presion Vëllaznimi ka gjithmonë, nuk e di personalisht që kam zhvilluar një ndeshje pa presion, por jemi mësuar tash, po dimë me menaxhuar”, theksoi ai. A mendoni se do t'i shmangeni barazhit? “Personalisht të parashikoj para kohe nuk dua, por me këto lojëra, me këtë angazhim edhe seriozitet, edhe të futbollistëve, edhe të kryesisë, mendoj se nuk ka me qenë problem barazhi edhe pse futbolli është i pa parashikueshëm”, tha Myrta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat