Mino Raiola, nën hetimin e autoriteve tatimore holandeze

Futboll

Mino Raiola, nën hetimin e autoriteve tatimore holandeze

Më: 16 mars 2018 Në ora: 15:01
Mino Raiola

Mino Raiola ka përfunduar në shënjestrën e autoriteteve tatimore holandeze. Sipas “Il Fatto Quotidiano” në Holandë ka nisur një hetim administrativ ndaj agjentit të Gianluigi Donnarumma-s, Zlatan Ibrahimovic-it dhe shumë yjeve të tjerë, për një pasuri të cilën revista “Forbes” e ka vlerësuar rreth 160 milionë euro.

Autoritetet fiskale holandeze në këtë moment janë duke sqaruar disa aspekte të çështjes, ndërkohë që hetimet do të përqendrohen ndaj të gjitha transferimeve ku Mino Raiola ka qenë ndërmjetës në periudhën 2014-2018. Veç të tjerash, do të verifikohet edhe rezidenca e agjentit në mënyrë që të sqarohet e gjithë situata.

E përditshmja ka kontaktuar vetë Raiola-n i cili është përgjigjur kështu: “Nuk di asgjë për verifikimet fiskale dhe as nuk më shqetësojnë. Kam vepruar gjithmonë në mënyrë korrekte, duke respektuar rregullat në vendet ku kam punuar. Nuk jam një qytetar holandez, shtëpia ime është në Monaco ku edhe jetoj, dhe në Holandë nuk kam asnjë shoqëri”.

Por shpesh, agjenti është mbështetur nga “Maguire Tax & Legal” me seli në Holandë, por Raiola mohon gjithçka: “Nuk kam asnjë lidhje me këtë shoqëri, jam vetëm një mik i vjetër i pronarit të saj. Është një studio e njohur, dhe kjo është e gjitha”.

Pra, siç thuhet qëllimi i organeve tatimore holandeze është të analizojnë pagesat e kryera nga klubet e futbollit dhe të përcaktojnë natyrën e tyre në bazë të shërbimeve të ofruara nga Raiola. Duhet theksuar se bëhet fjalë për një hetim administrativ dhe jo penal, përveç faktit që në të përfshihen disa agjentë që operojnë në botën e futbollit.

Në objektiv janë disa transferime ndërkombëtare, si ai i Mario Balotelli-t nga Milan-i te Liverpool-i në verën e vitit 2014 për 16 milionë euro, përveç kalimit me parametër zero të vetë Super Mario-s nga klubi anglez te Nice.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat