Sermaxhaj: Miloti kaloi në kohën më të mirë tek Werderi

Futboll

Sermaxhaj: Miloti kaloi në kohën më të mirë tek Werderi

Nga: Kemajl Goca Më: 13 mars 2018 Në ora: 19:07
Rashica

Werder Bremeni shmanget sado kudo nga zona e rrezikut në Bundesliga I, megjithatë nuk e ka qetësinë sepse nuk ka më shumë se pesë pikë larg pozitës së 16-të, që e mban Mainzi, pozitë që shpie në garat e play-autit për mbetjen në këtë shoqëri. Fitorja e Werderit me rezultat 3:1 kundër Kolnit, ka edhe firmën e reprezentuesit të Kosovës, Milot Rashica, i cili hapat e parë i kishte bërë për ekipin e Vushtrrisë. Djaloshi nga Kosova dëshmoi potencialin e tij dhe me golin që shënoi me mjeshtërinë e tij (58’)  heshti shumë kritikë.

Ai luajti standard deri në minutën e 67-të dhe ishte ndër më të vlerësuarit. Werderi renditet në pozitën e 13-të me 30 pikë pas 26 jave të zhvilluara deri me tash dhe shpresojnë se do të ngjiten edhe më lart. Analisti Genc Sermaxhaj, ndryshe trajner i shkollës së futbollit ‘78’ në Gjilan, tha se reprezentuesi i Kosovës fillimisht ka pasur edhe probleme derisa është ambientuar. Rashica ka qenë prej më të kritikuarve për një start aspak të mirë, por me ndeshjen e të hënës mbrëma heshti të gjithë.

Rashica në Werder ka ardhur nga Vitesse e Holandës dhe duket se është në formën më të mirë. “Miloti kaloi në kohën më të mirë tek Werderi, por pritshmëritë e tij kanë qenë më të mëdha. Trajneri i besoi Milotit duke e futur nga fillimi i pjesës së dytë të kampionatit por ai pati vështirësi me ambientimin në Bundesligën gjermane. Tani shënoi dhe ky gol do t’ia rrisë vetëbesimin për ndeshjet pasuese dhe shpresojmë të ketë paraqitje të mira sikurse në kampionatin holandez. Të arrish nivele kaq të larta nga Kosova në një moshë kaq të re, është brilante dhe në të gjithë duhet ta mbështesim këtë djalosh të talentuar”, tha Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”. A mendoni se po adaptohet dhe do të jetë një Rashicë më ndryshe? 

Image

Sermaxhaj

“Gjithsesi që ky gol do t’ia ngris përqendrimin, dëshirën, angazhimin dhe koncentrimin për ndeshjet që pasojnë. Të shënosh gol është punë e madhe dhe shkarkohesh nga presioni i cili të ka kapluar prej kohësh. Ai do të jetë shumë më i freskët dhe do të ketë paraqitje bindshëm më të mira”, thotë Sermaxhaj. Në javën e 27-të (e shtunën 15.30), Werderi do të luajë në udhëtim kundër Augsburgut, njëra nga skuadrat më të papërshtatshme në ligë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat