Vllaznia entuziazmon, me hap Europe në fazën e tretë

Futboll

Vllaznia entuziazmon, me hap Europe në fazën e tretë

Më: 12 mars 2018 Në ora: 14:50
Vllaznia

Nëse kampionati do të kishte nisur në vitin 2018, Vllaznia do të ishte një prej skuadrave që garojnë për kupat e Europës. Fatkeqësisht, prej ecurisë jo të mirë gjatë dy fazave të para, paraqitjet fantastike të skuadrës në këtë periudhë do të shërbejnë për të korrigjuar gabimet e së kaluarës.

Shkodranët kanë një prej ekipeve më në formë, mbi të gjitha në fazën e tretë të Kategorisë Superiore. Tre fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, edhe kjo ndoshta e pamerituar në fushën e Laçit. Në javët e fundit, më mirë se kuqeblutë kanë bërë vetëm Skënderbeu kryesues dhe Kukësi i shkëputur nga ndjekësit në luftën për vendin e dytë.

11 pikë të grumbulluara prej fillimit të muajit shkurt, por mbi të gjitha një mbrojtje që jep garanci. Vetëm një gol i pësuar në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit. Dora e trajnerit Gjoka në repartin difensiv jo vetëm që ndihet, por po ndihmon skuadrën të ngushtojë diferencën me ekipet e tjera, në objektivin për t’u larguar nga zona e rënies nga kategoria.

Një Vllazni e tillë entuziazmon në fushë dhe jo më kot tifozët shkodranë po kthehen në stadium. Shpeshherë në “djepin e futbollit” vetëm pikët nuk mjaftojnë, një tregues ky që kuqeblutë diçka të mirë po e bëjnë edhe në aspektin e lojës. Përpara sfidës së kësaj të mërkure në “Loro Boriçi”, Partizani është i paralajmëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat