Juve-Udinese, torinezët duan 3 pikët dhe vendin e parë

Futboll

Juve-Udinese, torinezët duan 3 pikët dhe vendin e parë

Më: 11 mars 2018 Në ora: 06:36
Juve-Udinese

Juventus ka siguruar një vend në çerekfinalet e Champions League falë fitores 2-1 të marrë në fushën e Tottenham të mërkurën e kaluar dhe të dielën do të kërkojë të marrë tri pikët në kampionat kundër Udinese-s. Kampionët në fuqi të Italisë janë në avantazh në luftën për titull pas fitores 1-0 të marrë kundër Lazio-s të shtunën e kaluar, teksa Napoli është mundur në shtëpi nga Roma.

Bardhezinjtë janë akoma në vendin e dytë, vetëm një pikë larg skuadrës së Maurizio Sarri-t, por kanë një ndeshje për të rikuperuar. Një fitore këtë të diel do t’i ngjiste ata në vendin e parë, në pritje të rezultatit që do të dalë nga ndeshja Inter-Napoli që do të luhet mbrëmjen e së dielës.

Juventus është në garë për të fituar të gjitha kompeticionet në këtë sezon duke parë se janë kualifikuar edhe në finalen e Kupës së Italisë. Lufta për titull në kampionat pritet të jetë e luftuar deri në javët e fundit, por kjo situatë mund të jetë motivuese edhe për fazat finale të Champions League, një kompeticion që ka qenë i mallkuar për ekipin e Allegri-t, që ka humbur dy finale në tre vitet e fundit.

Problemi kryesor është se Juventus nuk mund të bëjë më asnjë gabim në sfidat e mbetura duke filluar nga ndeshja kundër Udinese. “Zonja e Vjetër” është e vetmja skuadër që ka fituar të gjitha ndeshjet e kampionatit në 2018-ën (7 nga 7) dhe i vetmi ekip që nuk ka pësuar gol në takimet e kampionatit të 2018-ës. Ata kanë fituar 10 ndeshjet e fundit të kampionatit që kanë luajtur në shtëpi dhe nuk kanë pësuar gol në 16 nga 17 takimet e fundit të luajtura mes kampionatit dhe Kupës së Italisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat