Tyson Fury i ofrohet dueli me Joshua, por me një kusht

Futboll

Tyson Fury i ofrohet dueli me Joshua, por me një kusht

Më: 10 mars 2018 Në ora: 08:52
Tyson Fury

Eddie Hearn, menaxheri dhe promotori i boksierit britanik Anthony Joshua, kampion bote në peshat e rënda, ka konfirmuar edhe një herë tjetër se i ka ofruar ish-kampionit Tyson Fury kërkesën për t’u bërë menaxheri i tij. Në favor, Hearn do t’i garantojë Fury një duel për titujt kampionë bote në peshat e rënda me Anthony Joshua. Fury është ende në pritje të licensës nga antidopingu britanik për t’u rikthyer në ring.

Fury, që nuk ngjitet në ring prej dy vitesh e gjysmë, nuk ka një menaxher ndaj dhe Hearn është gati ta bëjë kë detyrë, duke qenë se bëhet fjalë për një boksier dhe sportist që bën shumë zhurmë, ka mjaft fansa dhe gjeneron mjaft të ardhura.

“Kemi biseduar, ai e di ofertën time, por nuk kemi asnjë marrëveshje. Unë mendoj se Fury ka të drejtën të bisedojë edhe me menaxherë të tjerë. Nëse ai vjen me ne, ai e ka rrugën e shtruar me flori, pasi do të zhvillojë mjaft duele të rëndësishme në peshat e rënda. Anthony Joshua, Dillian White, Tony Bellew janë të gjithë gati”, u shpreh Eddie Hearn, që duket se i ka vënë një kusht të fortë të pamposhturit Fury.

“Natyrisht që çmimi i madh për Fury në rast se nënshkruam me mua është Joshua, boksieri që ai dëshiron të përballet në ring dhe të rimarrë titujt kampionë bote”, tha më tej Hearn, që është menaxheri i disa prej boksierëve më të rëndësishëm në botë në peshat e rënda, ku dhe qarkullon paraja më e madhe. Joshua do të duelojë më 31 mars, në Kardif, ndaj kampionit tjetër të botës të kësaj kategorie, Joseph Parker nga Zelanda e Re, një duel që do të unifikojë titujt kampionë bote.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat